Albanian Free Press nis rrugëtimin

Albanian Free Press nis rrugëtimin
Tre pyetje, 9 përgjigje nga bota mediatike shqiptare

Emra të njohur të botës mediatike shqiptare, flasin enkas për numrin e parë të të përditshmes Albanian Free Press (AFP).

Blendi Fevziu, Sonila Meço, Arian Çani, Roland Qafoku, Edison Ypi, Ilda Lumani, Eduard Zaloshnja, Apollon Baçe, Dritan Kaba, japin këndvështrimin e tyre për të sotmen dhe të ardhmen e shtypit të shkruar dhe shprehin admirimin për traditën që vlerësojnë se nuk duhet shuar, përkundrazi të forcohet më tej.

Opinionistët e njohur sugjerojnë për AFP dhe se cilat janë fushat ku duhet të fokusohemi më shumë.

BLENDI FEVZIU

Më 14 shkurt del numri i parë i të përditshmes Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi besojmë se kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

Nuk besoj se në këtë rast ndaj të njëjtin mendim. Shtypi i shkruar është një traditë e bukur dhe me mjaft vlerë e së shkuarës, por nuk di të them se sa jetë dhe ndikim do të ketë në të ardhmen. Por në Shqipëri, ende ka një pjesë të publikut që e preferon.

AFP do të ketë në plan të parë qytetarët duke synuar të jetë sa më pranë jetës së tyre të përditshme. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

Jeta reale e njerëzve eshtë thuajse e harruar nga mediat në Shqipëri. Hallet dhe shqetësimet e tyre janë një pus i thellë. Çdo kovë që nxirret nga ai pus është për të mirën e vendit.

AFP nis një rrugë të gjatë, por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Uroj që të ruajë misionin e parë dhe të fundit të shtypit, atë të së vërtetës.

ARIAN ÇANI

1.Më 14 shkurt del numri i parë i të përditshmes Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi besojmë se kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

Çani: Jam dakord, por fatkeqësisht unë kam kohë që shtypin e lexoj vetëm online... sa inat!

2.AFP do të ketë në plan të parë qytetarët duke synuar të jetë sa më pranë jetës së tyre të përditshme. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

Çani: Seksi dhe sporti... ha ha ha...

3.AFP nis një rrugë të gjatë por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Çani: Jetë të gjatë Albanian Free Press!

SONILA MEÇO

Më 14 shkurt, del numri i parë i të përditshmes, Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi, besojmë se, kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

Kur nisa të bëj televizion, më kujtohet mirë sesi më ngulisnin në kokë një postulat profesional: suksesi i programeve të mia, do të varej nga pasqyrimi i fakteve, deklaratave, thënieve dhe pohimeve ekskluzive në shtypin e shkruar. Po ashtu, dita në traditën e vet, do të shenjonte edhe zgjimin e gjerbjen çdo mëngjes të kafesë, nën timbrin e zërit të gazetarit të njohur që lexon titujt e shtypit. Shtypi i shkruar pati rolin e tij të jashtëzakonshëm në vitet e shkëputjes prej regjimit totalitar e ndërtimit të sistemit demokratik, sidomos në ngjarje përcaktuese për fatin e demokracisë tonë të brishtë në tranzicionin e zvarritur e këmbëngulës shqiptar. Por e gjithë kjo histori e nostalgji, vërtitet midis vorbullës së një revolucioni teknologjik, që po ndryshon edhe mënyrën tonë të të menduarit, përveç se të reaguarit. Cikli i Gutenbergut mbaroi dhe një cikël i ri me vrull tsunami, po dikton marrëdhënien me informacionin e konceptin tonë për të. Nuk janë më logot dhe emrat e mëdhenj që bënë historinë e gazetarisë, ato që ndiqen nga publiku, por tema, fjalë dhe personazhe të caktuar, duke na çuar drejt kërkimit të copës së informacionit, videove dhe dialogut interaktiv, për të ndërtuar vetë botën informative. Madje vetë publiku do të japë dhe marrë informacion jashtë sistemit tradicional mediatik. Kjo ka vështirësuar mbijetesën e shtypit të shkruar, që duhet të përshtasë ekzistencën në rrethana të reja modelesh biznesi, krizën financiare, vrullit të zhvillimit të medias online, rënies së reklamës dhe nevojës për uljen e kostove të prodhimit, që do të mund të përballonin konkurrencën e fortë në botën e informacionit. Por kjo nevojë për mbijetesë, që i nënshtrohet revolucionit teknologjik, shpërthimit të botës online, po cenon cilësinë e informacionit dhe të komunikimit me publikun, aty ku shtypi i shkruar ka patur mjeshtërinë e vet. Mediat e reja, në kërkim të klikimit, për të siguruar arritjen e një publiku sa më të madh dhe reklamës që i sjell fitim, e kanë ridimensionuar konceptin e lajmit dhe besueshmërisë, gjë për të cilën publiku qe i papërgatitur e sot i pambrojtur. Në një vend si Shqipëria, - ku mundësia për të përdorur internetin lë jashtë një pjesë të publikut në zonat rurale dhe periferike, në grupmosha të caktuara dhe të statuseve të ndryshëm socialë, - shtypi i shkruar ka ende mundësinë për të ekzistuar e bashkëjetuar me median e re online. Unë jam në favor të bashkëjetesës së shtypit të shkruar me median online. Patjetër, ekzistenca e AFP edhe në rrjetet sociale, do ta ndihmojë të arrihet më shpejt, siç thuhet në gjuhën e saj, në mënyrë virale.

AFP do të ketë në plan të parë qytetarët, duke synuar të jetë sa më pranë jetës së tyre të përditshme. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

Besimi sot në media, shënon minimum historik. Gazetaria rrezikon të humbasë publikun. Në studimin më të fundit të besueshmërisë së qytetarëve, ndaj institucioneve në vend, media ka pësuar ulje. Lajmi politik, duke qenë më i liri dhe subjekt i propagandës, është banalizuar, duke bërë që qytetari të ndjehet i tradhtuar nga media. Madje, axhenda e saj nuk përputhet me atë të publikut. Mungesa e transparencës së financimeve, lidhja e pronarëve të mediave me interesa politike apo futja e duarve në paranë publike, po e largojnë gjithnjë e më shumë publikun nga media tradicionale, duke e zhvendosur drejt hapësirave që i koncepton më të lira dhe të ndikuara më pak nga propaganda.

Tashmë, është e vërtetë se, me gjithë përpjekjen tinëzare të pushtetit për të kapur me çdo kusht median tradicionale, kjo e fundit nuk mund të monopolizojë hapësirën publike, apo të konkurrojë me autoritarizëm editorialist e njëanshmëri të theksuar. Ndaj AFP, si një aktor i ri në treg, duhet të mbushë këtë hapësirë të pashfrytëzuar lirie, për të krijuar besim tek publiku i zhgënjyer. Studimi të cilit iu referova më herët, dëshmon së publiku shqetësohet më shumë për ekonominë, korrupsionin, keqqeverisjen, shëndetësinë, arsimin. Në këto kushte, gazetari si ekspert dhe lider opinion duhet të orientojë debatin me qytetarët për të zhbërë autizmin e frikshëm të medias, që është vetizoluar e vetëcensuruar për të mbijetuar financiarisht. Përmbajtja ekskluzive është një gur kyç suksesi, njerëzit do ta kërkojnë dhe lexojnë. E, kjo përmbajtje, ky prodhim autentik, do gazetarë të mirë, profesionistë, më aftësi hulumtuese, do burime dhe financim të mirë. Sado kaotik të ngjaj njeriu në mes të vorbullës informative, krijuar nga shpërthimi i revolucionit dixhital, sërish do mbetet në kërkim të burimeve alternative të besueshmërisë, ndaj gjejeni në mes të rrugës, takohuni aty.

Por, nga ana tjetër, gara për klikime nuk duhet të ngatërrojë zhurmën me lajmin. Publiku gënjehet më tituj bombastikë me përmbajtje të munguar. Gara për klikimin të kalojë nga tabani i cilësisë dhe jo “dyshemeja” e standardeve etike dhe morale. Ndaj duhet kujdes e profesionalizëm edhe në versionin online të gazetës suaj. Së fundi, por jo e fundit, jemi në vit elektoral. Politika do tentojë të raportojë vetë, nuk do ketë nevojë për gazetarë. AFP-ja duhet të dijë të veprojë me gazetarë profesionistë, me burime të verifikuara, të zgjedhë e kontrollojë në kërkim të lajmit. Nuk duhet të ketë frikë nga përballja e ideve dhe fakteve. As nga mungesa e kontrollit mbi atë se çfarë mund të prodhojë debati. Beteja për të fituar besimin e publikut do varet nga ekselenca e gazetarëve dhe lidhja që do ruhet me audiencën, shqisat që do t’i vërë asaj në dispozicion për të dëshmuar realitetin të cilit sot i druhen protagonistë të pushtetit të parë, dytë, tretë dhe të katërt, atij ku AFP-ja po hyn.

AFP nis një rrugë të gjatë, por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Liria e fjalës dhe e shprehjes nuk ka asnjëherë mjaftueshëm mbrojtës. Mirë se erdhët, për t’i dhënë zë një revolucioni, aty ku media tradicionale po dështon bindshëm: mbijetesës së pluralizmit të shëndetshëm mediatik!

ROLAND QAFOKU

Më 14 shkurt, del numri i parë i të përditshmes Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi besojmë se kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

Mes morive të lajmeve, shumica të këqija, befas, në Shqipërinë tonë të trazuar e cila i ngjan trupit që nuk i ikin ethet, mësojmë një lajm të mirë: një grup gazetarësh themelojnë…. Çfarë? - do thotë bota, portal, media online, gazetë të printuar që transformohet në online, televizion, rrjet kabllor, platformë numerike, frekuencë etj., etj? Joo.. Një gazetë në print. Realisht, kur miku dhe kolegu im, Edison Kurani, më dha lajmin se, bashkë me disa gazetarë, do të themelonin një gazetë print, realisht, nuk ndjeva ndonjë entuziazëm. Në kohën kur media print quhet e vdekur, madje, i është bërë edhe funerali, afërmendsh është normale të shqyesh sytë se disa “të krisur” themelojnë pikërisht një media print!!! Por shumë pak më kaloi në mendje ky mendim. Mendimi i dytë që m’u rrotullua në tru ishte dashuria për printin. Nëse në karrierën time, besoj edhe të shumë kolegëve, rendis një kohë të artë, padyshim është ajo kur me stilolaps, me mollëza në tastierë dhe me ingranazhet e shtypshkronjës, kam botuar lajmet dhe analizat e mia. Sado teknika online të quhet revolucioni i revolucioneve, gazeta fizike me fletë të njëpasnjëshme, me faqen e parë si vitrinë e lajmeve, është e papërsëritshme. Mendimi i tretë që më shkoi në mendje, është historiku botëror i medias. Kur doli për herë të parë telegrafi, njerëzia mendoi se vdiq gazeta. Në fakt, gazeta nuk vdiq. Kur u shpik radioja dhe nisi transmetimet për herë të parë, përsëri thanë se gazeta vdiq. Por, përsëri, gazeta nuk vdiq. Kur u shpik televizioni dhe thanë me zë të lartë: Këtë herë gazeta vdiq që ç’ke me të. Jo! As ekrani magjik nuk e vdiq gazetën print. E katërta që më shkoi në mend, është emri. Më saktë akoma, inicialet e saj. AFP-ja është një tog inicialesh që, nuk e di përse, më ngjit kaq shumë. Dikush do të bëjë krahasim me agjencinë franceze të lajmeve. Pak rëndësi ka kjo. E rëndësishme është që më mjaftuan katër mendime që të bindem se, gazeta jo vetëm nuk ka vdekur, por rilindjen e saj do ta shikojmë me AFP-në nga një staf kokëfortë, por me dëshirën që të përmbysin çdo paragjykim.

AFP-ja do të ketë në plan të parë qytetarët, duke synuar të jetë sa më pranë jetës së tyre të përditshme. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

Unë besoj se nuk ka receta në gazetari. Është, si të thuash, se cila gazetari është më e mirë ajo amerikane, angleze, apo ajo italiane dhe gjermane. Ka vetëm një gazetari: profesioniste dhe një tjetër joprofesioniste. Në këtë kontekst, dua të them se fushat që duhet të rreken në “AFP” duhet të jenë ato që kanë interes më të madh publik. Që lajmet të mos vërtiten brenda unazës së vogël të Tiranës, që qytetari të jetë mbreti i gazetës dhe gazetarët që shkruajnë në të, të kenë integritet moral dhe të jenë të pakapur. Dhe vetëm një gjë ama është e rëndësishme, që gazeta duhet të shkojë te lexuesi dhe jo anasjelltas.

AFP nis një rrugë të gjatë, por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Unë i uroj “AFP-së” vetëm suksese në rrugën e saj të gjatë, të vështirë, por që jam i bindur se do t’ia dalë të jetë jo thjesht një zë më shumë në median shqiptare, por një zë që do bëjë emër në historinë e medias shqiptare. Shumë urime “AFP-së”!

 

EDISON YPI

Më 14 shkurt, del numri i parë i të përditshmes Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi besojmë se ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

Bjerrja e rëndësisë së shtypit të shkruar, është thashethem disfatist, që e përhapin impotentët e mendjes, njerëzit mediokër, pa vizion, ata që me tekstin nuk kanë marrëdhënie të qenësishme, që shkruajnë keq, që marrëdhënien shkrues-lexues nuk e njohin. Rëndësia e shtypit të shkruar, jo vetëm nuk do pakësohet kurrë, por vetëm do shtohet, vetëm do lartësohet. Teksti mbi letër ka shpirt, ka gjak, jetë, madje dhe aromë. Teksti mbi qelqe mund të vazhdojë të jetë i vlefshëm për informim. Por duke qenë i ftohtë, steril, nuk do mund të bëhet kurrë aq i afërt dhe i ngrohtë sa të shërbejë për përcjellje të gjendjeve shpirtërore. Ka mendje të çkurdisura që supozojnë se teksti mbi qelq do ta konkurrojë tekstin mbi letër, kur kompjuteri do aftësohet për të ndjerë ironinë, shakanë, dashurinë, xhelozinë, apo tipare të karakterit. Përderisa është njeriu që e bën kompjuterin dhe jo e kundërta, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Edhe nëse bota do përplaset me ndonjë planet tjetër ose do përpihet nga zjarri i ndonjë komete gjigande, dhe njerëzit të gjithë do të vdesin, pas kataklizmës vjen një njerëzim tjetër, që me dëshirë të shtuar do vazhdojë të lexojë mbi letër më të mirë, tekst më të bukur.

AFP-ja do të ketë në plan të parë qytetarët duke synuar të jetë sa më pranë jetës së tyre të përditshme. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

AFP-ja duhet të jetë kudo ku ka shqiptarë që punojnë, lodhen, çlodhen, mbjellin, korrin, dashurohen, martohen, shtohen, trashëgohen, sherrosen, pajtohen, rrihen, rrahin, vriten, vrasin, vdesin etj.

AFP nis një rrugë të gjatë por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Të jetë e dashur për të gjithë shqiptarët që dinë shkrim e këndim. Të bëhet e domosdoshme për secilin lexues që do të informohet, edukohet, zbavitet. Të ketë qashtërsinë e ujit të Jonit, kaltërsinë e qiellit të Adriatikut! Të tërbohet si Drini në dimër! Të rrjedhë si Vjosa në pranverë! Të jetojë sa Tomorri, Korabi, Gramozi!

 

EDUARD ZALOSHNJA

Më 14 shkurt, del numri i parë i të përditshmes Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi besojmë se kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

Çdo mëngjes, kafenë e shoqëroj me leximin e gazetave. Të njëjtën gjë bëjnë edhe mjaft njerëz të tjerë në barin poshtë pallatit ku banoj. Shpresoj që, shpejt, AFP-ja të jetë ndër gazetat më të lexuara në mëngjes!

AFP-ja do të ketë në plan të parë qytetarët, duke synuar të jetë sa më pranë jetës të përditshmes së tyre. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

Fushat ku fokusohen gazetat serioze, janë pak a shumë të njëjta kudo në botë - politika, ekonomia, problemet sociale, kronika e zezë, kronika rozë, kultura, sporti etj. E rëndësishme është që, AFP-ja të zbërthejë për lexuesit domethënien e informacionit të botuar, sepse shumë gazeta shqiptare riprodhojnë njoftime mbi vendime, ligje, deklarata zyrtare, pa i zbërthyer ato dhe pa i përballur me kritikat që mund të kenë aktorë të ndryshëm publikë ndaj tyre.

AFP-ja nis një rrugë të gjatë, por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Urimi im është që AFP-ja të bëhet shpejt ndër gazetat e kërkuara më tepër, falë informacionit e analizës më të thelluar që mund t'u sjellë lexuesve.

 

ILDA LUMANI

Personalisht, gazetaria e shkruar, shtypi, është ajo çfarë unë kam dashur të bëj, që kur nisa këtë profesion, të cilit i jam dedikuar plotësisht! E kam dashur edhe më shumë kur kam qenë pjesë aktive e tij. Ashtu sikurse kam vuajtur, teksa kam parë zbehjen dhe venitjen në vitet e fundit, keqardhjen, kur, ndërsa shoh gazetat e mëngjesit, çdo herë dhe më pak, ngec në ndonjë faqe. Andaj, shpresoj dhe uroj shumë, që AFP-ja të jetë gazeta që i duhet zgjimit të shtypit dhe rikthimit të lexuesit besnik drejt tij!

Temat Sociale. Në këndvështrimin tim, në kohën në të cilën jetojmë, përveç temave sociale, shqetësimeve të njerëzve, nxjerrjen në pah të problematikave, vënia përballë e gjithë aktorëve deri në reagimin dhe zgjidhjen e tyre, duhet të jenë baza e AFP-së.

I uroj jetë të gjatë AFP-së dhe që të bëhet guida e mëngjesit për njerëzit, gazetë e njerëzve dhe për njerëzit!

 

APOLLON BAÇE

1. Në 14 shkurt del numri i parë i të përditshmes Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi besojmë se kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

1. Sivjet mbushen 176 vjet nga botimi i gazetës së parë shqiptare të De Radës dhe 111 vjet nga gazeta e parë në tokën shqiptare e Çerçiz Topullit, Muço Qullit dhe Nezir Leskovikut. Nëse në këto 111 vjet, nuk ramë përfundimisht në diktaturë absolute, nëse nuk na aneksuan fqinjët, nëse në shpirtin shqiptar ka ende një shkëndijë iluminizmi, kjo është meritë e fjalës, në kuptimin e fjalës së shkruar: Nuk ka ndonjë popull me gazetë të tijën që të jetë zhdukur nga harta. Mirë/keq, ajo nuk u fik as në vitet më të errëta të diktaturave duke paguar një haraç aspak të lehtë: Profesioni më i syrgjynosur i këtyre viteve ka qenë ai i gazetarit.

2.AFP do të ketë në plan të parë qytetarët duke synuar të jetë sa më pranë jetës së tyre të përditshme. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

Sa më pak vëmendje fjalëve të atyre që paguhen për politikë, sa më afër shqetësimeve reale të Shqipërisë dhe shqiptarëve: Që nga kthimi në Kolombi europiane tek rritja e çmimit të karburantit (i cili sjell si domino kineze rritjen e tërë çmimeve), që nga arritjet e privatit shqiptar tek pengesat që has privati shqiptar, nga debutimet e mira të artistëve shqiptarë në pozicionimet e nxënësve në olimpiadat ndërkombëtare. Jo vetëm tek e bardha, as dhe tek e zeza, as dhe tek e hirta (ca më pak tek kjo). Jo thjesht si konstatim, por edhe si statistikë fenomeni dhe sugjerimi për zgjidhjen e fenomenit.

3.AFP nis një rrugë të gjatë por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Të jetë e drejtë, objektive, të gjejë rrugëzgjidhje, të jetë e guximshme, të ketë sa më pak ujë që të jetë e mundur, të mos qëndrojë indiferente dhe mënjanë, të jetë e asimilueshme dhe hatërmbeturit të mos jenë të mirët, të mos jetë aq e mirë sa ta hanë as aq e keqe sa ta pështyjnë. Pak a shumë siç thotë Konfuci “Po të shanë të gjithë është keq. Po të lëvduan të gjithë është keq”.

 

 

DRITAN KABA

Më 14 shkurt del numri i parë i të përditshmes Albanian Free Press (AFP). Ne synojmë të mbajmë gjallë traditën e shtypit të shkruar, pasi besojmë se kjo traditë ka vlera që nuk humbasin kurrë. A ndani edhe ju të njëjtin mendim me ne?

Kjo gazetë vjen në duart e lexuesit shqiptar në një ditë sinjifikative, atë të Shën Valentinit. AFP është një dhuratë për të gjithë të dashuruarit e medias së shkruar në letër. Unë, vetë, kam 26 vjet i dashuruar me shtypin e shkruar, që në 5 janar 1991, kur pata fatin të isha pjesë e grupit të studentëve që kontribuuan në daljen e numrit të parë te RD.

Ashtu si festa e të dashuruarve, që i reziston ditëve të tjera të dedikuara në kohët moderne, ashtu edhe gazeta do qëndrojë sërish një media e dashur për të gjithë lexuesit.

Gazeta është e prekshme, ka aromë dhe ndjesi. Gazeta është si një e dashur, e përkëdhel, e mban mes duarsh, e shikon gjatë, ke kontakt fizik. Por edhe kur nxehesh dhe debaton me të, i rikthehesh sërish me të njëjtin pasion.

Gazetat të cilat kanë në themel informimin dhe debatin e ideve, jo shpifjen dhe akuzat e telekomanduara nga interesa financiare dhe në shërbim të dikujt kundër dikujt, do t’i qëndrojnë kohës gjithmonë, si Shën Valentini.

AFP do të ketë në plan të parë qytetarët duke synuar të jetë sa më pranë jetës së tyre të përditshme. Cilat mendoni se janë fushat ku ne duhet të fokusohemi më shumë?

Në gazetat e sotme thuajse është zhdukur reportazhi. Me anë të këtij zhanri gazetaresk lexuesi bëhet i afërt me vende që nuk ka qenë ndonjëherë. Njeh jetë njerëzish, që nuk i ka kontaktuar. Jeton dhimbjen ose gëzimin si të jetë një i afërt. Reportazhi sjell histori njerëzore, optimizëm, dhimbje, solidaritet dhe mendim.

Gjithashtu sot mungon pozitiviteti. Gazetat janë të mbushura me lajmet e kronikës së zezë, gjë që në fakt është pjesë e gazetarisë, por nuk ka vend për njerëzit e punës. Mund të njohësh me detaje jetën e një vrasësi, përdhunuesi, elementi të krimit të organizuar, por për ata që i japin këtij vendi shumë herë më shumë se i marrin, nuk gjenden as pesë rreshta për t’i dhënë një model brezit të ri.

Gazeta është diçka materiale, çohet në shtëpi, merret me vete në punë, në kafen e së dielës me familjen, në plazh me miqtë. Ajo ndahet me të tjerët. Dhe si e tillë duhet të ketë frymë pozitive brenda saj.

Gazetaria ekonomike është një fushë shumë e rëndësishme në kohët që jetojmë. Njohja me prodhimet shqiptare do të ishte një ndihmë e madhe si për qytetarët edhe për bizneset.

Por në fakt drejtuesi i AFP, z. Edison Kurani, është një gazetar me shumë përvojë, por edhe si drejtues i medias së shkruar, kështu që kam shumë besim në cilësinë e informacionit që do të ofrojë kjo gazetë.

AFP nis një rrugë të gjatë por jo të panjohur. Cili është urimi juaj?

Më shumë se urim është edhe një dëshirë e imja.

Do doja që AFP të jetë një gazetë e pavarur, me këtë nuk kuptoj e paanshme. Çdo media ka ideologjinë e saj, por kur kjo vjen në mënyrën si e mendojnë drejtuesit e saj profesionistë është një vlerë e madhe në tregun e ideve.

AFP do ta doja larg financimeve të errëta, të bëra gjoja për lirinë e medias, por që sjellin vetëm skllavërinë e saj në formë moderne.

AFP do ta doja të sjellë të vërtetën në investigimet e saj, sa do të hidhura të jenë për këdo.

AFP nuk do ta doja të ishte një gazetë Fake News, se të tilla ka plot sot në tregun mediatik.

AFP do të konkurrojë në tregun e së vërtetës dhe mendoj se atje do të jetë fituese për të gjithë ne. Për të vërtetën kemi shumë nevojë sot.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: