Del vendimi: Si do të llogariten pushimet për punonjësit e policisë

Del vendimi: Si do të llogariten pushimet për punonjësit e policisë
Sipas këtij vendimi, koha normale e punës do të jetë 40 orë në javë ose 174 orë në muaj. Punonjësi i policisë nuk mund të marrë turnin e ri më parë se 11 orë nga dorëzimi i turnit të mëparshëm dhe natën, nuk mund të bëjë shërbim më shumë se 8 orë. Nëse do të kryejë orë jashtë orarit normal, do të paguhet me një shtesë prej 20%, për çdo orë pune dhe shërbimi të kryer, nga ora 19:00 deri në orën 22:00; 50% për çdo orë pune dhe shërbimi të kryer, nga ora 22:00 deri në orën 6:00 dhe 25%, për çdo orë pune të kryer në ditët e festave zyrtare dhe ditët e pushimit javor.

Shtesat do të paguhen bashkë me pagën mujore, brenda një muaji, nga dita kur është kryer shërbimi. Përgjithësisht, orët shtesë duhet të kompensohen me orë pushimi, të shumëzuara me të njëjtin koeficient si në orët jashtë orarit (brenda dy muajve), por mund të paguhen edhe në formën e shtesës së pagës. Punonjësit e policisë me gradën "Inspektor", do të kenë të drejtën e 30 ditëve në vit pushim të paguar, 35 ditë për ata që kanë gradat "nënkomisar", "komisar" dhe "kryekomisar" dhe 40 ditë kalendarike për "drejtues" dhe 'drejtues madhorë".

Por punonjësit e policisë do të kenë të drejtë edhe për ditë leje të paguar në këto raste: 7 ditë për martesë, 5 ditë për martesën e fëmijës, 3 ditë për lindjen e fëmijës, 7 ditë për vdekjen e një familjari të afërt, 3 ditë për ndërrim të banesës, 7 ditë për sëmundje të rënda të fëmijëve, prindërve dhe 10 ditë për përgatitjen dhe mbrojtjen e titujve të gradave shkencore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: