Ermal Meta: Çmimi në Sanremo, një histori që kishte urgjencë për të dalë jashtë meje

Ermal Meta: Çmimi në Sanremo, një histori që kishte urgjencë për të dalë jashtë meje
Juela Meçani

Ermal Meta, kantautori me origjinë nga Fieri dhe që, më pas, u zhvendos për të jetuar në Itali, është personazhi muzikor i momentit për botën shqiptare. Ai u klasifikua i treti në Festivalin e Sanremos, por, mbi të gjitha, rrëmbeu dy çmime mjaft të rëndësishme, madje, më shumë se vendi i tretë, çmimin e kritikës “Mia Martini” dhe atë të publikut të radio RTL 102.5, me këngën e tij “Vietato morire”.

Në një intervistë për mediat italiane (Rockol) ai shprehet: “Ishte një histori që kishte urgjencë për të dalë jashtë meje. Është autobiografike, por nuk është kjo rëndësia e saj. Rëndësi ka që të bëhet historia e shumë personave, që të japë sinjal shprese. Do të doja të bëhej një mënyrë për të përqafuar personat të cilët ndodhen në situata të ngjashme, duke u thënë atyre që mund të dilet duke u rebeluar mbi diçka e cila duket si e pandryshueshme. Mesazhi është të rebelohesh duke u mos u bindur! Sa i takon muzikës, ishte shumë e lehtë të transformoje këtë tekst në një baladë. Ndaj jam përpjekur të krijoj një kontrast me fjalët, duke përdorur muzikë të lehtë, por edhe me ritëm.”

Kënga “E ndaluar të vdesësh”, i jep titullin edhe albumit të ri të kantautorit, album që deri tani renditet i treti më i shituri në Itali.

Ermal Meta ka prekur një pikë shumë të rëndësishme të emocioneve të publikut, matanë kufirit, në vendin e tij të lindjes, kjo këngë ka të gjitha gjasat të kthehet në një himn kundër dhunës. Por edhe Italia, veçanërisht vitet e fundit, po kalon një periudhë tepër shqetësuese mbi dhunën në familje, aq i madh është numri i grave dhe vajzave të vrara nga partnerët ose ish-partnerët e tyre në Itali, saqë për të folur për të, ka një term tashmë të përhapur kudo “feminicidio”, “gravrasje”. Ajo që i jep edhe më shumë vlerë kësaj kënge, është se ajo përshkruan episode, por tregon për një grua të fortë dhe jo të përulur, e cila rebelohet, reagon, lufton. E që biri i saj i bëhet krah nënës kur rritet, e kupton atë, i jep shpresë pra, dhe dimension tjetër dukurisë.

Në faqen e tij zyrtare në Facebook, të bën përshtypje se çdo frazë është e shkruar në të dy gjuhët, shqip dhe italisht. Kantautori ka një thjeshtësi dhe humanizëm, siç vetëm një njeri që ka vuajtur ka, ai falënderon fansat e tij me këto fjalë: “Ju falënderoj për çdo herë që më keni menduar!”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: