Jane Janex: E vërteta ka kosto, por është e përballueshme

Jane Janex: E vërteta ka kosto, por është e përballueshme
 

Intervistoi për Albanian Free Press: Juela Meçani

 

Në fillim ishin daljet sporadike me miqtë, duke kënduar në klubet e Tiranës, më pas erdhi “Pas shiut lind diell”, me Gjergj Kaçinarin në “Top Fest”, por u pagëzua “Janex Trio” në “Voice of Albania”, ku këndoi me të motrën. Nisi dashurinë me artin si piktore, por rrugës zbuloi dhe zbuluam se Xhejn  kishte një vokal të veçantë, muzikalitet dhe stil unik në panoramën shqiptare të muzikës. Dhe u shpërblye nga kryeqyteti. Këngët e saj, bëhen hit në radiot, videoklipet klikohen e dëgjohen në “youtube”. Të rinjtë e duan Xhejnin dhe e ndjekin kudo ajo performon “live”. Ndaj, na bëri kureshtarë të dinim më shumë, si erdhi deri këtu kjo vajzë e imët, me një zë të fuqishëm dhe sharm intrigues.

 

AFP: Kënga “Wannabe” pati një sukses të menjëhershëm, pavarësisht se nuk është nga ato këngët tipike që bëhen hit në Shqipëri. Pse? 

 

Besoj se, thjesht, nuk jam munduar e as nuk jam përpjekur të bëj një hit të ngjashëm me ato shqiptare; formula është e qartë, thjesht çështje zgjedhjeje, preference dhe stili, absolutisht.

 

 

AFP: Dukesh dhe je shumë e re, por ke mbi 7 vjet që merresh me muzikë. Saktësisht, kur dhe si nisi rruga jote? 

 

Saktësisht, nisi 8 vjet më parë, erdhi krejt natyrshëm dhe befasisht. E kam nisur në një lokal të vogël ku performoja krijimet e mia me kitarë akustike, midis njerëzish që dëgjonin heavy metal, hard rock etj.,nga ku feedback-u pozitiv dhe mbështetja ishte e menjëhershme. Prej aty filloi dhe rrugëtimi im me muzikën live në bare dhe vende të ndryshme në Tiranë dhe jashtë saj.

 

 

AFP: Ju vini shumë ndryshe për publikun, ndryshe në tingull, në look, në impostim. Origjinalitet apo dhe pjesë e një tipologjie që rezultoi me sukses? 

 

Përfundimisht, origjinalitet. Përndryshe do të kisha më shumë popullaritet besoj. Nuk jam fort e mirë me strategjitë dhe nuk para funksionoj ashtu, edhe pse e pranoj se, ndonjëherë, është e nevojshme.

 

AFP: “Wannabe” i dedikohet pak vetes apo brezit tënd? 

 

‘Wannabe’ i drejtohet vetes  dhe brezit gjithashtu. Të gjithëve na ndodh, ndonjëherë, të kemi dyshime mbi veten, mbi kush jemi, çfarë jemi, apo kush dhe çfarë duam të jemi; ndonjëherë edhe e humbasim dhe bëhemi diçka që nuk jemi, por çfarë të tjerët, mbase, do të donin të ishim.

 

AFP:  Ke ngjyrat dhe stilin e një artisteje të huaj, del nga konturet shqiptare. I ke sytë nga tregu i huaj diskografik? 

 

Mendoj që çdo artist e ka ëndërr të jetë pjesë e tregut ndërkombëtar. Kështu që, absolutisht po. Deri më tani, nuk e kam shtyrë ende veten deri në atë pikë, por është diçka që po e konsideroj seriozisht së fundmi.

 

AFP:  Ku është motra juaj Enxhi, më parë ishit një duet mikluese. Ju mungon? 

 

 

Motra është e fokusuar më shumë në klasiken dhe studimet mbi violinën. Përveç projekteve të mia muzikore, ajo ka qenë gjithnjë e pranishme në shfaqjet muzikore live.

 

 

AFP: Të kujdesshme dhe të kuruara edhe videot e këngëve. Merreni vetë me to? 

 

 

Kam qenë gjithnjë e pranishme në ekzekutimin e tyre, si gjatë xhirimeve ashtu dhe në postproduksion. Por kam pasur fatin të punoj me njerëz që e dashurojnë atë që bëjnë dhe kanë shije të mirë artistike, ashtu siç është dhe Donaldi i cili ka ideuar 4 videot muzikore.

 

AFP: Bashkëpunimi me Donald Brahon rezultoi fitues, do të vazhdojë? 

 

Siç e lartpërmenda, Donaldi ka qenë gjithnjë pjesë e projekteve të mia si ideator dhe kurator i videove. Në një të ardhme, jo shumë të largët, jam e bindur se do kemi bashkëpunime të tjera.

 

AFP: Je kritike ndaj dukurive në festivalet tona, nuk ke nguruar të përplasësh të vërtetat e tua. Ke pasur kosto? 

 

Jam tepër kritike, sidomos te vetja dhe me veten. Kështu që, automatikisht, jam gjithmonë kur bëhet fjalë për muzikën dhe artin apo artistët dhe është diçka që s’mund të rri gjatë pa "kontribuuar" me opinionet apo "të vërtetat". Kosto? Jo, dhe nuk besoj se do të kishte kosto të papërballueshme në këtë pikë.

 

AFP: Ku ndodhesh tani dhe pse?

 

Aktualisht ndodhem në New York në SHBA, për çështje personale dhe projekte të ardhshme.

 

 

AFP: Një profesioniste e pjekur, që luan kitarë dhe performon “live”. Kemi surpriza të tjera nga ti, në të ardhmen e afërt? 

 

Sigurisht që kam mjaft plane në kokë, në lidhje me muzikën, dhe besoj që ende nuk është parë apo dëgjuar gjë. Jam në punë e sipër, për t’i demonstruar sa më parë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: