Mes gazetashitësve në Tiranë, ku trokiti dhe Albanian Free Press

Mes gazetashitësve në Tiranë, ku trokiti dhe Albanian Free Press
Reportazh /Si i mbron Shoqata  “Kioskat e tregtimit të shtypit shkruar- KTSHSH”, gazetashitësit

Albert Z. ZHOLI

Gazetarinë të bukur e bëjnë gazetarët e mirë dhe të zotë- apo të vështirë, ata që ngecin në këtë profesion, pa e dashur atë.  “Gazeta është ushqimi i përditshëm shpirtëror i njeriut. Nqs ky ushqim do serviret në pjata të pista populli do helmohet” thotë një shprehje.

Tirana është qyteti i gazetave

Pikërisht, në kryeqytetin tonë shtypen 23 gazeta të përditshme , 6 javore dhe 14 mujore. Kur lexon këto shifra me të vërtetë thua se Tirana është një nga kryeqytetet më me shumë gazeta në botë. Duke e marrë për frymë të popullsisë, e them pa frikë, për nga numri i të përditshmeve, Shqipëria ndodhet në këtë vend. Për shitjen e gazetave dhe revisatave në Tiranë janë aktualisht 142 pika shitje në formë kioskash dhe 6 pika shitje të lëvizshme. Kjo mënyrë shitjeje filloi pas vitit 1991, kur gazetat e pavarura filluan të rriten nga dita në ditë. Në fillim gazetat shiteshin në disa kisoka  portative në formë tavolinash dhe nga vitit në vit kjo mënyrë tregtie filloi të perfeksionohej. Në vitin 1997, filloi ndërtimi i kioskave të para sipas modeleve dhe shijes së gjithsecilit duke imituar ato greke dhe italiane. Këto kioska së pari u ndërtuan tek Pallati i Kulturës (5), rreth Muzeut Kombëtar (3), Bankës së Shqipërisë (3), qendrës së Tiranës, tek Sheshi “Avni Rustemi” dhe në rrugët kryesore të Tiranës si rruga “Myslym Shyri”, “Durrësi” , “Mine Peza”, Parku Rinia, rr. “Dibrës” ‘ Ali Demi”, “Kinostudio”. Tirana është qyteti më blerës i gazetave, kjo për vetë faktin se këtu ndodhen të gjitha institucionet kryesore shtetërore, universitetet, qendrat e mëdha kulturore, pa diskutuar dhe numrin e madh të qytetarëve që tashmë arrin afërsisht 1 milionë banorë.  Kioskat janë shtuar nga viti në vit por edhe janë perfeksionuar. Në vitin 2016, Bashkia e Tiranës, vendosi nëpër stacionet kryesore të Tiranës, kioska standarde gjë që vuri në tension pronarët e kioskave të vjetra të shitjes së gazetave, që ishin ideuar sipas shijeve individuale. Të gjithë menduan se koha e tyre po perëndonte. Por deri tani nuk ka ndodhur ashtu. Kioskat e vjetra, sot janë bërë si vera e vjetër, pasi dinë të reklamojnë gazetat, kanë klientelën e tyre dhe njerëzit për mëse 25 vjet janë mësuar se ku duhet të drejtohen për të blerë gazetat.

Një ditë në lagjen “Don Bosko” dhe tek “Zogu i Zi”

Në lagjen e re “Don Bosko”  dhe tek “Zogu i Zi” ka 8 pika shitjeje të gazetave dhe revistave. Shumica e tyre janë hapur qysh në vitin 1994. Gazetashitësit shkojnë tek pika e shpërndarjes tek “Zëri i Popullit” qysh në orën 04:00 në pritje të ardhjes së makinave që shpërndajnë gazetat. Në të ftohtë, në të nxehtë, pranverë dhe vjeshtë, ata e kanë kthyer gati në një rit, daljen nga shtëpia ende kur nata është në kulm dhe njerëzit janë në gjumë të thellë. Disa me biçikleta, disa me motorë dhe disa (shumë të paktë) me makina afrohen tek “Zëri” i popullit për të marrë gazetat e ditës. Kur Tirana është ende në gjumë, ku dëgjon tek tuk ndonjë borie makine, shitësit e gazetave dhe pastrueset e rrugëve janë të vetmit që gjallojnë kryeqytetin e hirtë. Për më shumë se dy dekada, ata e njohin njeri-tjetrin dhe po ashtu ata njihen shumë mirë nga banorët e lagjes. Sa shikojnë blerësit  ata e dinë shijen e tyre dhe ua bëjnë gazetat gati. Mund të themi se mënyra e komunikimit të tyre është e veçantë. Ata kanë një kod të ekstra, një kod etik specifik, pasi flasin me sy, me veprime. Ata e dallojnë menjëherë lexuesin e rastësishëm nga lexuesi i rregullt. Në kësi rastesh ata lodhen pak më shumë duke bërë prezent “mallin” tek blerësi. Reklamojnë atë që ju duket vërtetë interesante për një lexues të ri që më vonë mund të bëhet lexues i rregullt. Nga shitësit e gazetave në “Don Bosko” dhe “Zogu I Zi”, 4 prej tyre janë me shkollë të lartë dhe 4 me shkollë të mesme. Gazetat u janë bërë i ushqim shpirtëror dhe nuk mendojnë të ndërrojnë profesion, pasi gazetat u janë bërë pjesë ët jetës.

Nga bisedat me disa shitës gazetash

Lin Marku

Në qendër të pallateve Hawai është një kioskë model ku shiten gazeta, revista dhe libra. Kjo kioskë ka më shumë se 7 vjet që është ndërtuar kaq bukur, pasi më parë ishte një kioskë e lëvizshme e thjeshtë. Pronar i saj është z. Lin Marku një burrë shumë familjar, baba i dy fëmijëve të shkëlqyer i cila punon në këtë kioskë së bashku me të shoqen Lujeta Marku. Ja si shprehet ai:

-“Kemi mbi 7 vjet që kemi hapur këtë kioskë. Ishte nëj vendim familjar. Ishte një vendim pasi familjarisht jemi të dashuruar me shtypin dhe me librin. Kjo ishte gjëja më e mirë që mund të bënim si familje, të përhapnim dije dhe kulturë. Kemi 6 vjet që jemi regjistruar si biznes i vogël dhe kemi Niptin tonë të aktivitetit. Disa herë kemi pasur problem me policinë bashkiake por duke parë korrektesën tonë, punën në bazë të rregullave na kanë lënë në qetësi. Mund të them se kjo lagje ka njerëz me nivel të lartë kulturor. Kemi një shitje të përafërt shitjeje ku përparësi kanë gazetat e pavarura. Shumica e blerësve janë klient të rregullt. Ne i njohim ata dhe ua bëjmë gati gazetat. Ka dhe njerëz të varfër që nuk mund ti blejnë gazetat dhe ne i lejojmë që të shohin atë çka duan. Gazetat janë ushqim informacioni për të gjithë, pasi aty gjejnë gjithçka që u nevojitet deri dhe shtëpi për qira apo makina etj. Pa gazeta dita duket Bosh. Mbaj mend se ditët e para të çdo viti, kur nuk dalin gazetat, shumica e njerëzve vijnë rrotull kioskës duke tundur supet. U duket dita bosh pa lexuar gazetat. Kërkojmë vetëm bashkëpunim me bashkinë që kjo punë që bëjmë të jetë në interesin e përbashkët, çdo gjë të bëhet sipas ligjit. Ne tashmë kemi krijuar Shoqatën tonë Shoqata e “Kioskave dhe tregtimit të Shtypit shkruat- KTSHSH”. Kjo shoqatë mbron të drejtat tona. Vihet re se disa gazeta të përditshme janë mbyllur, por u befasuam kur doli në dritë gazeta e re  “Albanian Free Press”. Ditën e parë atyre që ua dhuruam kryesisht lexues të rregullt e panë me mosbesim. Port ë nesërmen e kërkuan vetë. Në kioskën time marr 12 copë gazeta të tilla dhe në orën 08:00, i kam dhuruar sepse vijnë dhe e kërkojnë pa parë gazetat e tjera.

Mrika Seferi

Është një grua rreth të 60-ve, e qeshur, e dashur, korrekte. Ka plot 13 vjet që shet gazeta përballë godinës së televizionit  “Vizion Plus”. E qeshur, gojëmbël dhe shumë korrekte. Ja si shprehet ajo:

-Kam 14 vjet që shes gazeta dhe revista në këtë vend. Kjo është shtëpia ime e parë, pasi në shtëpi shkoj vetëm për gjumë. Të dy bashkë me bashkëshortin punojmë 17 orë në ditë. Një punë që na sjell gëzim. Ndodhemi në korent të çdo ngjarjeje që ndodh në botë pasi i lexojmë të gjitha titujt e gazetave për të bërë me dije lexuesit. Në shi, borë, erë, vapë ne na gjen këtu. Ka raste kur shiu na mbërthen por mbulohemi me mushama dhe nuk ikim nga puna. Lexuesi na do këtu pasi ai largohet kur nuk i qëndron pranë në çdo kohë. Disa herë kemi pasur shume debate me policinë bashkiake. Madje dy herë na kanë zbuar. I sqaroja ne dije shesim jo drogë. Jemi të pajisur me licencë dhe pse kemi kioskë lëvizëse kemi marrë dhe kaskë fiskale. Kur kanë ardhur kemi pasur klientë. Ata kanë reaguar njëherazi duke u thënë që ata janë shërbëtorë të dije, shërbëtorë të zhvillimeve në vend dhe të rregullt, nuk keni pse i ngacmoni. Kështu tani kemi rënë rehat. Jemi korrket me shtetin, jemi korrekt me ligjin. Më ka bërë përshtypje gazeta e re “Albania Free Press”, për mënyrën e faqosjes dhe vendosjes së lajmit. Pas ditës së dytë janë vetë klientët që e kërkojnë. Në mos gaboj nuk del të dielën dhe ma kërkuan disa lexues të rregullt. Tashmë ne kemi dhe shoqatën tonë dhe besojmë që të drejtat tona do ti kërkojmë në mënyrë ligjore pasi kemi dy dekada që punojmë me gazetat.

Sefer Kulla

-Tek “Zogu i Zi” kam 15 vjet që kam ndërtuar këtë kioskë. Jam pajisur me licencë dhe kasë fiskale. Vazhdimisht kemi pasur problem me policinë bashkiake por edhe me policinë e shtetit. Njëherë deshën dhe të ma mbyllnin. Nuk i di arsyet. Por kohët e fundit diçka ka rënë në qetësi, por janë shtuar kioskat standarde. I kemi përballë. Ato janë ideim i Bashkisë dhe disi na trembin. Jo sepse na prishin punë, ato kanë klientët e tyre, por qarkullojnë zëra se ato do zëvendësojnë kioskat tona. Ndaj dhe ne po organizohemi. Kemi një jetë që i shërbejmë popullit  dhe kjo punë është një profesion korrekt për ne. Nuk mund ta mendoj veten pa gazetat. Janë bërë pjesë e familjes. Klientela ime është e ngritur. Që në mëngjes sistemoj gazetat për abonentët e përhershëm.

Axhem Çeta, Kryetar i Shoqatës  “Kioskat e tregtimit të Shtypit shkruar- KTSHSH”

-Problemet e gazetashitësve në këto 25 vjet kanë qenë nga më të ndryshmet. Shumë herë policia na ka ndërprerë shitjen, herë të tjera nuk na kanë lënë ti hapim ato fare. Ne sakrifikojmë, çohemi herët në shi, në borë dhe erë që të çojmë shtypin tek lexuesi. Marrim mijëra falënderime në ditë. Vendosja e kioskave të reja standarde kudo ën Tiranë na ka pezmatuar, pasi thuhet do zëvendësojnë avash avash kioskat tona. Por ne nuk do ta lejojmë këtë gjë. Kemi mbi 15 vjet që punojmë në këtë profesion dhe nuk mund të na flakin për një ditë. Këto janë mendime por dhe en kemi marrë masat. Më datë 22.11.2016, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me anë të Vendimit nr. 5507, ka vendosur pranimin e kërkesës dhe regjistrimin e Shoqatës së Shoqata e “Kioskave dhe tregtimit të Shtypit shkruat- KTSHSH”.  Si fillim jemi 9 anëtarë shumica me shkollë të lartë. Në bordin e Shoqatës janë  Isan Vejsiu, Selvie Hajdari,  Gëzim Alushi,  Bardhyl Haxhi, Lefter Brahimaj, Lorenc Hasani, Luljeta Marku, , Sefer Kulla. Ne po afrojmë në këtë shoqatë të gjithë shitësit e gazetave, pasi ndihemi të rrezikuar. Ne me këtë punë po mbajmë familjet dhe duam të punojmë me djersën e ballit. Të gjithë jemi me licencë madje dhe me kasë fiskale. Duam të jemi të rregullt me shtetin ashtu si duam që dhe ai të jetë i rregullt me ne.

Detyra për gazetarët

Që të gjithë ata që kanë preferuar mes profesioneve të tjera gazetarinë, duhet ta dinë që ky profesion ka parimet e tij, kodin kryesor të gazetarisë: - e vërteta. Suksesi i gazetarisë dhe i gazetarit që e përcjell apo punon me lajmin është të zbulojë lajmin dhe ta përcjellë atë në kohë reale, duke ruajtur kodin e etikës, duke qenë sa më korrekt me shikueshmërinë e lajmit, pa mbajtur njëanshmëri dhe pa i dhënë ngjyrimet e dallimit apo konceptit. Përcjellja e lajmit duhet ti përshtatet sa më shumë ndodhisë së vërtetë dhe mbi të gjitha sa më shumë ti shërbejë kombit. E pra ky është qëllimi i mirëfilltë i gazetarisë.

Media është një shembull për të tjerët

Media është një shembull për të tjerët, qëllimi i saj është propagandimi i kulturës, i etikës, i gjuhës së bukur, i mendimit të lirë dhe të edukuar, i mendimit të papërlyer me interesin. Gazetaria, si çdo fushë tjetër ka përkryerjen e saj tek e vërteta e përjetshme.  Ndërkohë që realiteti është kryekëput ndryshe.  Shqiptarëve i emetohen qëndrime prej gallofësh që tundin llullat në emisione direkte televizive, sharje dhe fyerje publike ndaj simboleve të kombit, piedestal  njerëzve të paaftë të veshur me pushtet.

Besimi tek gazetaria

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një anketë të zhvilluar në vitin 2005, shumica e njerëzve treguan se ende u besojnë gazetave apo lajmeve televizive. Por nga ana tjetër një anketë e organizuar nga Qendra Kërkimore “Pju” tregoi se përqindja e lexuesve ka rënë. Oshilacionet e tregut të shtypit ndoshta kanë të bëjnë me arsyen e të dyshuarit në vërtetësinë e asaj që thuhet në gazete apo televizion, sidomos kur tema e trajtuar prek interesat kombëtare të vendit.

Personalitete mbi gazetarinë

Uinston Çerçili pohonte se “gazetaria është thirrje e jashtëzakonshme që duhet sa më parë t’i largohesh”. Megjithatë, ishte lexues i pasionuar i gazetave. Gëte thoshte se shpesh herë gazetarët nuk e dinë se çfarë thonë, ndërkaq ndonjëherë nuk mund ta thonë atë që e dinë. Një shkrimtar tjetër pohonte se gazetat duhej që të shtypeshin kur ndodhte ngjarja e madhe për njerëzimin, e cila, sipas tij, ndodhte njëherë në njëqind vjet. Megjithatë, ka shumë shkrimtarë të njohur që i kanë shkruar veprat e tyre teksa punonin si gazetarë, të cilët kanë folur me respekt për gazetarinë. Të tillë janë gazetarët dhe shkrimtarët: Ernest Heminguej, Dino Buxati apo Gabriel Garsia Markez...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: