Paga minimale: Në sektorin privat 24.000 lekë, në shtet 37.000 lekë

Paga minimale: Në sektorin privat 24.000 lekë, në shtet 37.000 lekë
Megjithë rritjen e pritshme, sërish, paga minimale e punonjësve të sektorit privat mbetet e ulët, përballë asaj të parashikuar të aplikohet për punonjësit në shtet, deri në 37.500 lekë, pas 1 marsit. Duke bërë kështu që të duket se punonjësit e këtij vendi, trajtohen "ca si të nënës dhe ca si të njerkës"

Alket ALIU

Punon në privat? Atëherë nuk ke për t'u paguar me më pak se 24.000 lekë. Kështu ka rënë dakord në parim Këshilli Kombëtar i Punës, i cili ka marrë në shqyrtim ndryshimin e pagës minimale për sektorin privat si të tillë. Duke pritur, tashmë, edhe dakordësinë e qeverisë lidhur me aplikimin në të ardhmen e kësaj shifre, e cila, deri tani, ka qenë në nivelin e 22.000 lekëve dhe e pandryshuar për një periudhë prej disa vitesh. Por megjithë rritjen, duhet thënë se, sërish, paga minimale e punonjësve të sektorit privat mbetet e ulët, përballë asaj të parashikuar të aplikohet për punonjësit e sektorit publik, deri në 37.500 lekë pas datës 1 mars të këtij viti. Duke bërë kështu që të duket se punonjësit e këtij vendi, trajtohen "ca si të nënës dhe ca si të njerkës".

Gjithsesi, në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Punës, sindikalistët këmbëngulën fort për një rritje të pagës minimale për punonjësit e sektorit privat deri në nivelin prej 26.000 lekësh, por kanë gjetur kundërshtim, teksa propozimi i tyre fillestar ka qenë deri në 28.600 lekë. "Rritja sa propozon biznesi po ta shpërndajmë në katër vite është më pak se indeksimi i inflacionit dhe rritjes ekonomike. Ndaj e kundërshtojmë. Kërkesa jonë ka qenë për nivelin prej 30%, por kompromisi i fundit është 26 mijë lekë", - u shpreh lidhur me një fakt të tillë, Kolë Nikolla, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Sipas tij, nuk ka aspak logjikë ekonomike që paga minimale nuk ndryshon prej vitesh, ndërsa biznesit i janë bërë favorizime prej qeverisë përmes paketave të veçanta. Kurse nga ana tjetër, kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, ka propozuar që për profesione të veçanta si ai i minatorit për shembull, të ekzistojë një kufi tjetër për pagën minimale.

Që të gjitha këto, propozime të cilat u përballën me ato të mbërritura nga përfaqësues të biznesit, sipas të cilëve, mirë do të ishte që qeveria ta ndihmonte këtë të fundit për të përballuar kostot e rritjes së radhës për pagën minimale. Në fakt, bizneset, për herë të parë, kanë dalë në një qëndrim unanim, duke pranuar rritje edhe më shumë se 2 mijë lekë të pagës minimale për shumicën e sektorëve, por kanë kërkuar para së gjithash favorizim të industrisë me material porositës, ose siç njihet ndryshe, ai "fason", për një pagë minimale deri në 23.000 lekë. "Për fasonët kemi këtë propozim. Meqenëse punojnë me kontrata të nënkontraktuara në fillim të vitit dhe kjo u rrit koston, sivjet të bëhet 1000 lekë rritja, ndërsa vitet e tjera të ndjekë normën e inflacionit", - propozoi konkretisht Luan Bregasi, kreu i "Business Albania".

Në fakt, që në fillim të vitit të kaluar, ka qenë Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, e cila i ka kërkuar qeverisë rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar, deri në 23.000 lekë, duke e argumentuar me faktin se sipas saj, biznesi fason gjendet në vështirësi e se duhet ndihmuar nga qeveria, qoftë edhe përmes kësaj mënyre. Por edhe me argumentin tjetër se rreth 60-70% të kostove të tyre, e përbëjnë ato të punës, e kësisoj, një pagë minimale prej 24.000 lekësh, për mijëra punonjës të këtij sektori, do të rezultonte si një veprim "shkatërrues". Që të gjitha këto propozime që pritet të merren në shqyrtim nga qeveria, për t'u konsultuar më pas edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të zyrtarizuar shifrën përfundimtare të pagës minimale.

RRITJA

Paga minimale si e tillë, është rritur tradicionalisht me nivelin prej 5% deri në 10%, me përjashtim të tre viteve të fundit, kur ajo nuk pati asnjë ndryshim dhe u la në nivelin e vetëm 22.000 lekëve

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: