Zbardhet raporti i plotë i KLSH, 15 miliardë lekë dëm ndaj shtetit nga Albpetrol

Zbardhet raporti i plotë i KLSH, 15 miliardë lekë dëm ndaj shtetit nga Albpetrol
Dëmi total ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit arrin 15 miliardë lekë, ndërsa efekti financiar negativ 3 miliardë lekë. Albanian Free Press publikon raportin e plotë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka zhvilluar auditim në Albpetrol SHA per periudhën 1 korrik 2015 deri 30 shtator 2016 nga ku ka rezultuar se Albpetrol ka shkaktuar një dëm total ekonomik në vlerën 15,108,418 mijë lekë dhe një efekt financiar negativ në vlerën 3,010,832 mijë lekë

Dëmi ekonomik

-Në zbatimin e kontratave të marrëveshjeve hidrokarbure me vlerë 14,956,009 mijë lekë, nga të cilat:

-Detyrime të kontraktorëve për naftën brut pjesë e Albpetrol nga ndarja e prodhimit me vlerë 6,706,916 mijë lekë.

-Diferenca të prodhimit të naftës brut rezultuar nga testimi i prodhimit të puseve me vlerë 4,245,693 mijë lekë.

-Shpenzime të përfshira në kostot hidrokarbure në kundërshtim me përcaktimet e marrëveshjeve hidrokarbure, me vlerë 2,780,252 mijë lekë.

-Diferencë transporti me çmime shumë më të larta se tregu me vlerë 796,043 mijë lekë.

-Diferencë e krijuar nga vlera shitjes në ankande të naftës brut pjesë e Albpetrol nga detyrimet e kontraktorëve, krahasuar me çmimin e naftës brut në momentin e krijimit të detyrimeve, me vlerë 427,105 mijë lekë.

-Në fushë e pagave dhe shpërblimeve me vlerë 89,576 mijë lekë.

-Në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave me vlerë 60,157 mijë lekë.

-Firo transporti me vlerë 2,676 mijë lekë.

Efekti Financiar Negativ

-Diferencë e detyrimeve të shoqërisë në divident nga mos pasqyrimi i saktë i rezultatit financiar të shoqërisë me vlerë 1,788,727 mijë lekë.

-Kamatëvonesa të likuiduara për mosshlyerjen në kohë të energjisë elektrike me vlerë 564,402 mijë lekë.

-Detyrime të krijuara nga shoqëria për furnitorët me vlerë 644,031 mijë lekë.

-Pagesa për shpërblime grupe pune me vlerë 11,496 mijë lekë.

-Në zbatimin e procedurave të prokurimit me vlerë 2,176 mijë lekë.

Nga auditimi rezultuan edhe një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, ndër të cilat më kryesoret janë:

Nga aktiviteti i shoqërisë

-Për periudhën 1.01.2015 deri më 30.09.2016 mbi çështjet gjyqësore të punonjësve, rezulton se në Gjykatën e Lartë kanë përfunduar 12 çështje në favor të punonjësve për të dëmshpërblyer nga 8 - 17.5 paga vjetore secilin, si dhe kanë përfunduar 8 çështje në Gjykatën e Apelit. Gjithashtu, janë në proces 143 raste të tjera, nga të cilët 33 janë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe 110 punonjës të tjerë janë në Gjykatën e Apelit.

Në periudhën nga data 01.07.2015 deri me 30.09.2016 janë paguar 79 punonjës për vendime gjyqësore të largimeve nga puna pa shkaqe të arsyeshme të periudhave të mëparshme në shumën 58,448,661 lekë, e cila ka rritur kostot e shoqërisë. Në 40 raste zbatimi i vendimeve gjyqësore është bërë nëpërmjet zyrave përmbarimore duke rritur akoma më shumë koston e këtyre largimeve pa shkaqe të përligjura.

-Është dhënë karburant për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës në kundërshtim me ligjin me vlerë 1,800,120 lekë.

-Për vitin 2015, punonjësve të Albpetrol u janë likuiduar shpenzime transporti në kundërshtim me ligjin me vlerë 26,122 mijë lekë.

-Albpetrol SHA nuk ka zbatuar shkronjën “b” të nenit 1 të ligjit nr. 7598, datë 01.09.1992 “Për krijimin e fondit të veçantë monetar për ish-të dënuarit e të përndjekurit politikë” dhe VKM nr. 392, datë 12.08.1999 “Për administrimin e fondit të veçantë monetar, të krijuar sipas ligjit nr. 7598, datë 01.09.1992 “Për krijimin e fondit të veçantë monetar për ish-të dënuarit e të përndjekurit politikë”derdhur në Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë për të arkëtuar për llogari të Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë shumën 1 % të fondit të pagave për vitin 2015.

-QASHNG ka paraqitur në pasqyrat financiare të viti 2015, llogarinë “Provizione” në vlerën 38,833,280 lekë. Nga auditimi i kartelës së kësaj llogarie, u konstatua se kjo llogari gjatë viteve ushtrimore 2013-2015, nuk ka patur asnjë lëvizje kreditore ose debitore. Për më tepër nga ana e QASHNG Patos, për këtë llogari, nuk disponohej asnjë dokumentacion, veprime në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, neni 6 “Evidenca mbështetëse”.

-Nga ana e Albpetrol SHA nuk është bërë arkëtimi i detyrimit prej 3,445,021,679 lekë të ARMO SHA në zbatim të vendimit të gjykatës nr. 1480 datë 29.02.2016. Në detyrim e mësipërm janë të përfshira kamatat e arritura që rrjedhin nga mos shlyerja në kohë e kësteve të maturuara prej 20,269,908 lekë. Ky vendim është marrë me ekzekutim të përkohshëm, çka i jep mundësi shoqërisë për arkëtimin e detyrimit. Megjithëse uzina e përpunimit të thellë të naftës prone e ARMO sha është vënë në punë (kjo e konfirmuar dhe nëpërmjet mediave), Albpetrol SHA nuk ka kryer asnjë veprim arkëtimin e detyrimeve të mësipërme.

-Gjatë vitit 2015 nё Albpetrol SHA janë shpenzuar 6,296,379 lekë pёr sigurimin e automjeteve. Blerja e shërbimit është kryer pa u zbatuar procedurat ligjore të prokurimeve, nuk është nxjerrë urdhri i prokurimit, përcaktimi i fondit, ngritja e komisionit të vlerësimit si dhe njësia e prokurimit, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Mbi hartimin, miratimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve të lidhura me kompanitë e huaja që operojnë në sektorin e kërkimit dhe nxjerrjes së hidrokarbureve.

-Marrëveshja hidrokarbure për zonën Patos-Marinëz.

-Për vitin 2015 ashtu dhe periudhën respektive 2016, kontraktori ka rritur ndjeshëm shpenzimet administrative si dhe ka zvogëluar shpenzimet kapitale referuar planit vjetor. Sipas planit të paraqitur nga kontraktori por të pa miratuar nga Albpetrol për vitin 2016 (janar-qershor), janë parashikuar shpenzime transporti me vlerë 9.4 milionë USD dhe në fakt janë paraqitur shpenzime me vlerë 13.59 milionë USD, me një rritje rreth 30 %. Kjo rritje nuk justifikohet me prodhimin i cili është në nivele të njëjta me programimin. Krahas rritjes së shpenzimeve të pa argumentuara për transport, Kontraktori realizon këtë shërbim me çmime shumë më të larta se tregu. Në minutat e takimit të Komitetit Këshillimor të datës 23.12.2015, cilësohet se Albpetrol ka transportuar naftë brut me të tretë me çmim 17.5 lekë për ton*km ndërsa Kontraktori transporton me 27 lekë për ton*km, për të njëjtat kushte. Duke marrë në konsideratë vlerën e përfshirë në kosto hidrokarbure për transport, e cila për vitin 2015 është me vlerë 12,611 mijë USD dhe për vitin 2016 me vlerë 5,2017 mijë USD, rezulton se Kontraktori ka shpenzuar më shumë referuar çmimit të tregut vlerën 6,273 mijë USD ose 796,043 mijë lekë, vlerë e cila ka rënduar shpenzimet e kostove hidrokarbure dhe ka ndikuar negativisht në Faktorin R.

22. Gjetje nga auditimi: Nga dokumentacioni i raporteve të kontraktorit, për periudhën janar – mars 2015 në kostot hidrokarbure është përfshirë vlera 21,908 mijë USD, për shpenzime që rrjedhin nga marrëveshja miqësore për ndërprerjen e njëanshme të një kontrate furnizimi me një kompani tjetër.

Kontraktori me shkresë nr. 1119, datë 16.07.2015, ka paraqitur pretendimin se shpenzimet si më sipër konsiderohen kosto hidrokarbure, pasi kontraktori ka të drejtë të rikuperojë të gjitha kostot hidrokarbure të përballuara nga ai brenda apo në lidhje me zonën e projektit. Kontraktori pretendon se nuk është pësuar humbje pasi nga prishje e kontratës është akumuluar një fitim më i madh se penaliteti. Veprimi i mësipërm është në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure Aneksi B, neni 2, Pika 2.14 “Shpenzimet ligjore”.

Pavarësisht përqasjes së Albpetrol SHA dhe AKBN, zbritja nga kostot hidrokarbure e vlerës së mësipërme nuk është realizuar, madje AKBN nuk ka përfunduar hapat e parashikuar në marrëveshje për këtë qëllim, por e ka shtyrë këtë veprim për periudhën e auditimit. Sa më sipër, është vepruar në kundërshtim me Aneksin B, Neni 2.14 të Marrëveshjes Hidrokarbure duke përfshirë padrejtësisht në kosto hidrokarbure të rikuperueshme vlera 21,909 mijë USD, ose 2,780,252 mijë lekë.

-Me shkresë nr. 359/1, datë 02.02.2015, Albpetrol ka ngritur shqetësimin për rënien e prodhimit të naftës brut për periudhën tetor-nëntor 2014. Për këtë arsye ka filluar një proces inspektimi të prodhimit pranë vendburimit të Patos-Marinzës.

Albpetrol me shkresë nr. 8933, datë 07.12.2015, drejtuar Kontraktorit, për dijeni AKBN dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, ka paraqitur rezultatet e testimit të puseve nga ku ka rezultuar se nga testimi i 147 puseve, 45 kanë rezultuar me diferenca të konsiderueshme të prodhimit faktik, krahasuar me prodhimin e raportuar, me rreth 283 m3 në ditë, në bazë vjetore rreth 103,295 m3, ose rreth 8.5 të prodhimit të përgjithshëm. Ky veprim ka shkaktuar pasoja të rënda financiare për shtetin dhe bazuar në nenin 24, pika 24.2.1, të marrëveshjes hidrokarbure “Mbyllja” si dhe nenin 24, pika 24. 1. a të licencë marrëveshjes “E drejta e AKBN për ta përfunduar marrëveshjen”, ka kryer raportime fallco, pra devijim material. Nga ana e Albpetrol dhe AKBN duhet të bëhej njoftimi përkatës për korrigjim dhe për përfundim të marrëveshjes sipas përcaktimeve të mësipërme në marrëveshje hidrokarbure dhe marrëveshje-licencë.

Bazuar në sa më sipër, referuar periudhës së matjes së prodhimit të 45 puseve, shprehur në përqindje, Kontraktorit duhet t’i kërkohesh rishikimi i raporteve 3 mujore duke përfshirë në raportet përkatëse edhe sasinë e pa raportuar afërsisht 137,173 m3, me vlerë 31,399 mijë USD, ose 3,984,533 mijë lekë. Sa më sipër, në përputhje me nenin 24, pika 24.2.1 të marrëveshjes hidrokarbure “Mbyllja” si dhe nenin 24, pika 24. 1. a të licencë marrëveshjes “E drejta e AKBN për ta përfunduar marrëveshjen” duhet të bëhesh njoftimi përkatës.

-Bazuar në VKM nr. 947, datë 29.12.2014, detyrimi i krijuar në vite, deri në muajin qershor 2016, në mënyrë progresive dhe me vlerë, bazuar në VKM nr. 947, datë 29.12.2014, Kontraktori i detyrohet Albpetrol sasinë 76,805.09 ton naftë brut, me vlerë 23,954 mijë USD. Rritja e detyrimit krahasuar me të dhënat e auditimit të mëparshëm (deri mars 2015) ishte në sasinë 39,220 ton me vlerë 15,679 mijë USD. Detyrimi është rritur me vlerë 8,275 mijë USD.

Duke marrë në konsideratë auditimin e realizuar nga Albpetrol dhe mosnjohjen e detyrimeve me vlerë 352,513,463 USD, rezultat i të cilit Faktori R rezulton më i madh se 1, bazuar në nenin 9, pika 2 të Marrëveshjes Hidrokarbure, Kontraktori i detyrohet Albpetrol sasinë 3 % të prodhimit për puset e reja dhe jo 1 % të sasisë. Në këto kushte, referuar periudhës së zbritjes së këtyre kostove, për vitin 2014 dhe në vazhdim Kontraktori duhet të përllogariste si sasi të Albpetrol masën 3 %.

Sa më sipër si pasojë e kalimit të koeficientit R mbi 1, krahas detyrimit të krijuar në vite ndaj Albpetrol në sasinë 76,805.09 ton (me vlerë 23,954,640.7 USD), Kontraktori i detyrohet Albpetrol edhe sasinë 53,812.3 ton (me vlerë 20,194,234.3 USD). Pra detyrimi që kontraktori ka ndaj Albpetrol duhet të jetë në sasinë 130,617.4 ton me vlerë respektive 44,148 mijë USD.

-Bazuar në raportet e kontraktorit për të ardhurat e shpenzimet për periudhën nga fillimi i marrëveshjes deri në qershor 2016.

Deri në vitin 2013 janë miratuar planet vjetore, ndërsa për periudhën më pas nuk ka miratim. Kontraktori ka paraqitur plane dhe zbatim të tyre pa marrë miratimin e Albpetrol dhe AKBN, të cilat kanë devijime të rëndësishme nga marrëveshja. Këto devijime kanë ndikim negativ të konsiderueshëm të faktorin R. Pavarësisht se nuk ka miratim për to Albpetrol SHA nuk ka ndjekur hapat e mëtejshme që parashikon marrëveshja, si dhe nuk janë marrë masat përkatëse për konsiderimin thyerje marrëveshje dhe për kërkimin e riparaqitjes së raporteve përkatëse në përputhje me planin e zhvillimit. Bazuar në raportet e kontraktorit, situata e të ardhurave dhe shpenzimeve për periudhën 2013 deri qershor 2016, paraqitet si më poshtë:

Sa më sipër rezulton se, sipas planit të zhvillimit është parashikuar të shpenzohen 404 milionë USD për arritjen e prodhimit në sasinë 2.72 milionë ton, ndërkohë që shpenzimi është realizuar me vlerë 1.28 miliardë USD, prodhimi i realizuar është 3.6 milionë ton. Pra janë parashikuar shpenzime në masën 14.8 % krahasuar me prodhimin e naftës brut, që në fakt shpenzimet e realizuara janë në masën 33.5 % të prodhimit. Rritja e shpenzimeve nuk është justifikuar me rritjen e prodhimit. Rritja e shpenzimeve ka ndikim negativ në faktorin R, ndërsa rritja e prodhimit ndikon në rritjen e të ardhurave dhe rrjedhimisht përmirësim të faktorit R. Në këto kushte, rezulton se nga ana e Kontraktorit bëhen përpjekje për mbajtjen e Faktorit R më të vogël se 1, duke shmangur vlerën e fitimit me Qeverinë Shqiptare.

-Kontraktori nuk i është përmbajtur planit të zhvillimit të vitit 2006, rishikuar në vitin 2009.

-Duke krahasuar rritjen e shpenzimeve me rritjen e prodhimit të raportuara nga Kontraktori, pjesa takuese e rritjes së prodhimit me 919 mijë ton duhet të shoqërohej me rritje të shpenzimeve me vlerë rreth 136 milionë USD. Në këto kushte, bazuar në planin e zhvillimit, shpenzimet janë rritur në mënyrë të pa justifikuar me vlerë rreth 682 milionë USD.

-Mos respektimi i planit të zhvillimit dhe marrëveshjes në tërësi, ka cenuar interesat e Shtetit Shqiptar, për zonën me prodhimin më të madh në shkallë vendi dhe me burim nafte me cilësi të mirë.

-Plani i zhvillimit të vitit 2006 u rishikua në vitin 2009, në kundërshtim me interesat e shtetit shqiptar në këtë marrëveshje, megjithatë, kontraktori nuk ka zbatuar as këtë plan duke krijuar të ardhura të munguara për shtetin. Për më tej, në vitin 2016, nga ana e kontraktorit është kërkuar dhe ka marrë miratim ndryshimi i planit të zhvillimit, duke planifikuar Faktorin R më të madhe se 1, në fund të marrëveshjes, në kundërshtim të hapur me marrëveshjen hidrokarbure dhe planin e zhvillimit të paraqitur nga vetë kontraktori në vitin 2006 dhe të rishikuar në vitin 2009.

-Për periudhë e auditimit, kontraktori ka raportuar shpenzime me vlerë më të madhe se të ardhurat, duke bërë që Faktori R (sipas raporteve të kontraktorit), të jetë më i vogël se 1. Rritja e shpenzimeve dhe zvogëlimi i të ardhurave për vitin 2016, ka ardhur duke u thelluar, nga ku rezulton se shpenzimet e akumuluara krahasuar me të ardhurat janë më të mëdha se në vitin 2015, pra duke zvogëluar më tej Faktorin R.

-Përfshirja në kosto hidrokarbure e këtyre shpenzimeve ka ndikuar negativisht në Faktorin R, sipas të cilit nuk janë arritur përfitimet e parashikuara për Qeverinë Shqiptare. Vetëm si pasojë e mos respektimit të marrëveshjes dhe planit të zhvillimit sa më sipër, Qeveria Shqiptare rezulton me të ardhura të munguara me vlerë rreth 341 milionë USD (50 % e fitimit, sipas përcaktimeve në marrëveshje). Veprimi i mësipërm, i cili ka të bëjë me fryrje artificiale të shpenzimeve, veprim i cili është vërtetuar edhe nga auditimi i mëparshëm i ushtruar nga Albpetrol, për llogaritë kosto hidrokarbure të audituara për periudhën tetor 2012 deri shtator 2013, nga ku kanë rezultuar kosto hidrokarbure të pa pranuara me vlerë 352 milionë USD.

-Rritja e shpenzimeve, jo në përputhje me rritjen e prodhimit vërtetohet edhe me faktin e raportimit me diferencë të prodhimit me atë të prodhuar në fakt, rezultuar nga verifikimi i prodhimit të 147 puseve, nga të cilët 45 kanë rezultuar me prodhim më të madh nga ai i raportuar me afërsisht 283 m3 në ditë. Ky testim është realizuar nga vetë Albpetrol në 4 mujorin e parë të vitit 2015. Mos deklarimi i saktë i prodhimit të puseve përbën devijim material të marrëveshjes nga ana e Kontraktorit dhe përbën abuzim në raportimin e saktë të të ardhurave dhe rrjedhimisht mos përcaktimin real të Faktorit R, i cili duhet të ishte më i madh se i deklaruari dhe mëi madh se 1. Albpetrol në bashkëpunim me AKBN duhet të merrnin masat përkatëse sipas përcaktimeve në marrëveshje për këtë qëllim.

-Nga ana e Albpetrol nuk janë audituar llogaritë kosto hidrokarbure pas shtatorit 2013, për të evidentuar mangësitë në raportimin e shpenzimeve të përfshira padrejtësisht në kostot hidrokarbure, madje është rënë dakord për shtyrjen e periudhës së auditimit të tyre, duke vënë në rrezik reflektimin e kostove të tjera të cilat mund të jenë raportuar fiktivisht në kosto hidrokarbure, në raste të dështimit të kontraktorit në përmbushjen e marrëveshjes, apo ndërprerje të njëanshme të saj.

-Kjo pasuri po shfrytëzohet keq dhe në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure, pa marrë në konsideratë faktin se vetë marrëveshja është hartuar në mënyrë të disfavorshme për interesat e Shtetit.

-Krahas problematikës së mësipërme, kontraktori përpiqet të rrisë shpenzimet operative krahasuar me ato kapitale, të cilat shoqërohen me ulje të prodhimit pa ulur shpenzimet në tërësi, duke ndikuar negativisht Faktorin R.

-Peshën më të madhe në shpenzimet kapitale e përfshin hapja e puseve të rinj, hapja e të cilëve ka ardhur në rënie. Nga 163 puse të reja të hapura në vitin 2014, në vitin 2015 janë hapur 63 ndërsa në vitin 2016 asnjë. Zvogëlimi i numrit të puseve të reja të hapura nuk është shoqëruar me ulje të shpenzimeve respektive.

-Gjatë zbatimit të marrëveshjes, nga ana e Kontraktorit janë aplikuar teknologji dhe metoda të reja, me premtimin e uljes së shpenzimeve dhe rritjes së fitimit, por në fakt ka ndodhur e kundërta, shpenzimet rriten, prodhimi nuk rritet në raport me shpenzimet dhe të ardhurat gjithashtu nuk pësojnë rritje në raport me shpenzimet.

Nëse do të merreshin masat e duhura për monitorimin e inspektimin e vazhdueshëm, auditimin në përputhje me standardet dhe zbritjen e kostove të pa justifikuara nga operacionet hidrokarbure, Faktori R duhet të ishte më i madh se 1, vite më parë dhe do të ishte realizuar fitim për Qeverinë Shqiptare në vlera të konsiderueshme.

-Kontraktori, me shkresë nr. 352 prot., datë 23.03.2016, ka paraqitur programin e rishikuar për vitin 2016 duke rregulluar alokimin e zërave P&R ndërmjet shpenzimeve operative dhe kapitale në raport 70/30 (nga 50/50), bazuar në profilin e buxhetit të shpenzimeve (paraqitur me 11 shkurt 2016). Ndryshimi i këtij raporti është në kundërshtim me planin e zhvillimit të vitit 2006, rishikuar në vitin 2009. Albpetrol SHA dhe AKBN, duhet të paraqisnin pretendimet në lidhje me këtë ndryshim, si dhe duhet t’i referohej për zgjidhje ekspertit, në përputhje me nenin 8, Pika 8.3 të marrëveshjes hidrokarbure, si dhe pikën 7. 2. iii, c të licencë marrëveshjes, Albpetrol SHA dhe AKBN duhet të çonin çështjen për përcaktim eksperti, veprim i cili nuk është realizuar.

Janë raportuar shpenzime operative në vlerë 60,881 mijë USD dhe shpenzime kapitale në vlerë 17,598 mijë USD. Vlera e raportuar në shumën 43,283 mijë USD ose 5,492,612 mijë lekë, është në kundërshtim me planin e zhvillimit. Këto shpenzime duhet të ishin monitoruar dhe audituar nga Albpetrol dhe të mos pranohej rritja e tyre, sepse shpenzimet kapitale janë zvogëluar (numri i puseve aktiv është zvogëluar) dhe rrjedhimisht duhet të zvogëloheshin edhe shpenzimet operative. Rritja e shpenzimeve si më sipër, ka ndikuar më tej në mbajtjen e Faktorin R më të vogël se 1.

-Deri në momentin e auditimit, nuk rezulton të jetë zgjidhur problematika e aseteve të përfshira nga Kontraktori, si kolateral për marrjen e kredive. Albpetrol SHA me shkresë nr. 2258 prot., datë 27.02.2015, drejtuar Kontraktorit, për dijeni MEI dhe AKBN, ka kërkuar informacion në lidhje me asetet të cilat mund të jenë vendosur si kolateral për sigurimin e ndonjë kredie. Kontraktori me shkresë nr. 327/1 prot., datë 18.06.2015, ka kthyer përgjigje shkresës së mësipërme, nga ku theksohet se siç është në dijeni Albpetrol, Kontraktori ka marrë kredi në tre banka, veprime të konsideruara nga kontraktori si në përputhje me marrëveshjen hidrokarbure.

AKBN me shkresë nr. 9827 prot., datë 17.11.2015, i është drejtuar bankave të nivelit të dytë me kërkesë për informacion mbi asetet e hipotekuara nga 5 kompanitë në marrëveshje hidrokarbure në fazë prodhimi.

Albpetrol me shkresë nr. 7944/3 prot., datë 20.04.2016, ka rikërkuar nga AKBN dokumentacionin e paraqitur nga Kontraktori, për vendosjen e aseteve si kolateral, si dhe është kërkuar të vendoset në dispozicion çdo kopje e marrëveshjeve të kolateralit si dhe marrëveshjeve të kredisë që ka lidhur, të cilat duhet të jenë paraqitur pranë AKBN. Informacioni i kërkuar sa më sipër, është cilësuar nga Albpetrol si thelbësor në trajtimin e shkeljes materiale të njoftuar nga Albpetrol ndaj Kontraktori., sipas njoftimit të përsëritur me shkresë nr. 2258/3 prot., datë 02.10.2015.

Kërkesa për dokumentacionin e mësipërm është ripërsëritur nga Albpetrol sipas shkresës nr. 7944/4 prot., datë 12.05.2016. MEI me shkresë nr. 2926/1 prot., datë 26.05.2016, nisur nga problematika e mësipërme, ka kërkuar bashkëpunimin ndërmjet Albpetrol dhe AKBN për zgjidhjen e këtyre problemeve.

AKBN me shkresë nr. 3470/2 prot., datë 05.08.2016, drejtuar Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, MEI dhe Albpetrol, ka kërkuar opinion ligjor në lidhje me çështjen e aseteve në përdorim nga kompanitë që kryejnë operacione hidrokarbure në Shqipëri.

AKBN me shkresë nr. 4813 prot., datë 16.06.2016, drejtuar AKBN dhe për dijeni MEI, ka ridërguar kërkesën për dërgim informacioni në lidhje me asetet duke theksuar se:

-Kërkesat e AKBN janë bazuar në nenin 17.2 të licencë-marrëveshjes.

-Kërkohet të bëhet menjëherë korrigjimi i aseteve të rikuperuara në pasqyrat financiare të kontraktorit si dhe në raportimet e tjera.

-Në rast të mospërmbushjes së detyrimit të mësipërm kontraktual nga Kontraktori, informohet se AKBN do të veprojë në përputhje me nenin 24.1 “E drejta e AKBN për t’a përfunduar” pika (a) “dorëzon me dijeni në AKBN deklarata fallco të cilat përbëjnë një konsideratë materiale për përfundim dhe/ose ekzekutimin e kësaj licencë-marrëveshje”.

-Për analizimin e situatës në zonën Patos-Marinëz, MEI ka nxjerrë Urdhrin nr. 89, datë 01.04.2015 “Për ngritjen e grupit të punës për analizimin e situatës në vendburimin e Patos-Marinëz”, pas incidentit të ndodhur gjatë shpimit të pusit nr. 5761.

AKBN me shkresë nr. 651 prot., datë 23.04.2015, ka dërguar informacion për MEI dhe Ministrinë e Mjedisit mbi monitorimin e cilësisë së ajrit në zonën Patos-Marinëz, realizuar nga AKBN. Nga monitorimi ka rezultuar se, në pikën 1 (100 m nga vendi i shpërthimit) vlera e SO2 është 29.22 µ/m3, e cila është më e lartë krahasuar me normën e OBSH (që është 20 µ/m3). Po ashtu është monitoruar në pikën 2, ku vlera e SO2 është në nivelin 33.6 µ/m3 duke tejkaluar normën e OBSH me 68 %. Mbi normat e lejuara ka rezultuara edhe NO2, si dhe përmbajtja e PM10, e cila kalon 4.5 herë normën e OBSH.

Procesi i konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve është iniciuar dhe realizuar nga Ish-Komuna Kuman, Bashkia Roskovec, Këshilli i Qarkut Fier dhe Prefekti i Qarkut Fier, me pjesëmarrjen edhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.

Nga vlerësimi ka rezultuar se, kanë pësuar dëme 118 subjekte, për të cilat është vlerësuar kompensim financiar me vlerë 305,309,451 lekë, kompensim i cili është ndarë në dy zona si më poshtë:

Zona A, ku shtëpitë e banimit dhe objektet e tjera funksionale janë vlerësuar si të pa banueshme, sipas Vendimit nr. 17, datë 05.08.2015 të Këshillit të Bashkisë Roskovec janë miratuar 43 subjekte përfitues me vlerë 284,861,368 lekë, nga të cilët për 6 subjekte është bërë rivlerësim. Me 41 subjekte janë nënshkruar marrëveshjet e dëmshpërblimit dhe u janë ekzekutuar shumat përkatëse, për 2 subjektet e mbetura është në pritje të veprimeve të Bashkisë Roskovec.

Për zonën B, ku shtëpitë e banimit dhe strukturat e tjera janë vlerësuar si pjesërisht të dëmtuara, sipas shkresës nr. 407 prot., datë 18.05.2015 të Komunës Kuman, janë miratuar 69 subjekte përfitues me vlerë 20,448,083 lekë, nga të cilat dy janë publikë (shkolla 9-vjeçare “Naun Doko” dhe ambulanca e Fshatit Marinëz). Me 61 subjekte janë nënshkruar marrëveshjet e dëmshpërblimit dhe u janë ekzekutuar shumat përkatëse. Tetë subjekte nuk janë dakord me masën e dëmshpërblimit të vlerësuar nga Komisioni i Vlerësimit dhe nuk kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshje me Kontraktorin, një pjesë e të cilëve janë në proces gjyqësor.

Në auditimin paraardhës, KLSH ka rekomanduar analizimin e teknologjive që përdoren nga Kontraktori dhe ndalimin e tyre duke reflektuar efektet negative të përdorimit të tyre sipas përcaktimeve në marrëveshjen hidrokarbure. Nga auditimi nuk rezulton të jenë marrë masat përkatëse për këtë qëllim, megjithëse fenomeni i lëkundjeve të tokës dhe dëmtimi i pronave të banorëve të zonës ka vazhduar. Për këto dëme, banorë e zonës kanë paraqitur ankesa në instancat e larta shtetërore përfshirë dhe KLSH. Albpetrol SHA e cila është palë në marrëveshjen hidrokarbure me Kontraktorin, nuk ka marrë masa për eliminimin dhe gjetjen e zgjidhjeve afatgjata të shqetësimeve banorëve të zonës.

-Në marrëveshjen neni 21.2 përcaktohet: “Kontraktori do të bëjë tendera konkurrues për ndonjë shërbim të kryer në përputhje me çështjet e përfshira në një Program Vjetor dhe Buxhet, nëse shërbime të tilla pritet të kalojnë vlerën 2 milionë USD. Albpetrol mund të ndjekë hapjen e ofertave për të gjithë tenderat e tillë”.

Albpetrol me shkresë nr. 8159 prot., datë 10.11.2015, ka theksuar faktin se, nga Albpetrol është kërkuar në mënyrë të përsëritur aplikimi i një sistemi prokurimi në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikuara në Industrinë e hidrokarbureve. Sa i përket punimeve të infrastrukturës është kërkuar në mënyrë të përsëritur zbatimi i legjislacionit vendas të fushës së ndërtimit. Çmimet e aplikuara për punimet e infrastrukturës janë në nivele shumë më të larta se çmimet e tregut ndërkombëtar apo vendor. Këto veprime janë konsideruar nga Albpetrol si thyerje marrëveshje dhe është bërë paralajmërimi përkatës, duke lënë një afat për marrjen e masave përkatëse sipas marrëveshjes për 6 muaj.

Pavarësisht nga sa më sipër, Albpetrol nuk ka rezultate mbi mbikëqyrjen e procesit të prokurimit të realizuara nga Kontraktori.

Mbi auditimin e zbatimit të Marrëveshjes Hidrokarbure për zonat Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe vendburimin e Delvinës”.

-Komisioni i përbërë nga z. E.SH, z. I.M, znj. K.M, z. E.D, z. M.B dhe z. N.K, punonjës të Sektorit të Monitorimit dhe Supervizimit, ka njoftuar Drejtorin e Marrëveshjeve Hidrokarbure pranë Albpetrol z. A.D dhe vënë në dijeni Administratorin e Albpetrol z. E.P, mbi monitorimin e prodhimit të puseve, për vendburimin Gorisht-Kocul.

Monitorimi është bërë mbi bazën e letrës nr. 6485 prot., datë 01.09.2016 “Kërkesë për inspektimin e operacioneve hidrokarbure në vendburimin Gorisht-Kocul, në lidhje me prodhimin e naftës”.

Me shkresë nr. 959 prot., datë 16.02.2016, grupi i punës për testimin e prodhimit të puseve, për zonë Gorisht-Koçul. Janë testuar 1 herë 64 puse, 2 herë 54 puse dhe 3 herë 4 puse. Nga 133 puse aktiv, nuk janë testuar 13 puse, është ndërprerë testimi për 26 puse. Në total janë testuar 120 puse, ose 90.9 % të puseve aktivë. Rezultatet e dala nga testimi janë krahasuar me raportimin e prodhimit për muajin tetor 2015, të Kontraktori, nga ku ka rezultuar se: “Nga testimi i puseve zhvilluar në periudhën 21.09.2015 deri me 20.11.2015, dhe në krahasim me deklarimet e të dhënave të prodhimit mujor Tetor 2015, ka diferenca të konsiderueshme të naftës neto të prodhuar me atë të deklaruar në raportet mujore të prodhimit, të dërguar nga Kontraktori”.

Për periudhën dy mujore si më sipër, është konstatuar se prodhimi është në sasinë 122.9 m3, ndërsa raportimi për muajin shtator është 86.1 m3, me diferencë 36.8 m3 ose 29.9 %, si dhe për muajin tetor raportimi është 79.9 m3, me diferencë 43 m3 ose 34.9 %. Në këto kushte, duke marrë në konsideratë Faktorin R (sipas raporteve të kontraktorit) i cili për vitin 2015 është 0.99 theksojmë se nga diferenca e sasive të raportuara me atë të prodhuar në fakt, Faktori R duhet të ishte më i madh se 1 dhe si rrjedhim duhet të likuidohesh pjesa fitim për Qeverinë Shqiptare. Nga ana e Albpetrol dhe AKBN duhet të kërkohej rillogaritja e Faktorit R dhe mundësimi i pjesës fitim si dhe rritjen e sasisë së naftës brut, pjesë e Albpetrol sipas marrëveshjes.

Sa më sipër Albpetrol duhet të kërkonte përfshirjen në prodhimin e raportuar të sasisë rreth 13,505 m3 naftë brut, me vlerë të përafërt [9,800 m3 x 210 (mesatar 2015-2016) USD/ton] 2,058 mijë USD, ose 261,160 mijë lekë.

Kjo shmangie përbën devijim material si dhe deklarimi i të dhënave fallco dhe në përputhje me nenin 24, pika 24.2.1, të marrëveshjes hidrokarbure “Mbyllja” si dhe nenin 24, pika 24.1 të licencë marrëveshjes “E drejta e AKBN për ta përfunduar marrëveshjen”, duhet të bëheshin njoftimet përkatëse kontraktorit.

-Bazuar në Pikën 11, të aktmarrëveshjes nr. 1849/2, datë 28.02.2014, nënshkruar ndërmjet Albpetrol dhe Kontraktori, detyrimi i prapambetur i kësaj të fundit në naftë brut, do të shlyhet për një periudhë 6 mujore referuar nënshkrimit të marrëveshjes, me pagesa mujore që do të shpërndahen në mënyrë të njëtrajtshme, për aq kohë sa është e mundur, mesatarisht sa 1/6 pjesë e vlerës së llogaritur.

Nga detyrimi me vlerë 20,832 mijë USD, sipas marrëveshjes së mësipërme është likuiduar vetëm vlera 6,975 mijë USD.

Në marrëveshjen e korrikut 2015, për shuarjen me kompensim të detyrimeve është vendosur kompensimi i rentës minerare me vlerë 10,169,253.51 USD, likuiduar nga Kontraktori me detyrimet që ky kontraktor ka ndaj Albpetrol. Në marrëveshje është përcaktuar se vlera 7,424,724.89 USD, do të shlyhet brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

Në këtë marrëveshje nuk është përfshirë detyrimi me vlerë 10,521,755.37 USD, konsideruar dëm ekonomik dhe rekomanduar për t’u përfshirë në marrëveshjen për shuarjen e detyrimeve në auditimin e mëparshëm, pasi nuk garantohet vjelja e detyrimeve të Kontraktorit.

Në lidhje sa më sipër, Albpetrol SHA me shkresë nr. 1560/1 prot., datë 21.03.2016, drejtuar MEI, grupit ndërinstitucional të punës dhe AKBN, ka kërkuar që në përputhje me rekomandimet e KLSH, në draftin ekzistues të marrëveshjes Albpetrol do të përfshijë edhe detyrimet e Kontraktorit, deri me datë 31.12.2014, edhe detyrimin që i takon për vendburimin e Delvinës, detyrimin për naftën gjendje në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, detyrimin në formën e kamatëvonesës sipas pikës 19 të aktmarrëveshjes së datës 28.02.2014, si dhe detyrimin naftë brut për efekt të forcës madhore.

Krahas sa më sipër, për periudhën objekt auditimi është shtuar detyrimi si më poshtë:

-Gaz i pa dorëzuar për vendburimin e Delvinës në sasinë 2,358,000 Nm3, me vlerë 1,036 mijë USD ose 131,548 mijë lekë.

-Naftë brut për vendburimin Cakran-Mollaj, në sasinë 9,466.5 ton me vlerë 2,503 mijë USD, ose 317,630 mijë Lekë. Kondensat në sasinë 939.9 ton me vlerë 130 mijë USD, ose 16,578 mijë lekë.

-Si pasojë e kalimit të Faktorit R mbi 1, bazuar në nenin 9, të marrëveshjeve hidrokarbure, Albpetrol duhet të përfitonte nga ndarja e prodhimit në masën 2.5 % të prodhimit, duke filluar nga tetori i vitit 2013. Për zonat Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Gorisht-Kocul, kontraktori duhet të jepte për Albpetrol SHA 2.5 % të prodhimit për ASP dhe jo 2 % sa ka dhënë, pra nga rishikimi i Faktorit R, Albpetrol duhet të përfitonte më shumë naftë brut në sasinë 17,148 ton, me vlerë 4,836 mijë USD, ose 613,718 mijë lekë.

-Tabela e faktorit R, sipas zonave dhe viteve të zbatimit të marrëveshjeve, paraqitet si më poshtë:

Për zonën Cakraj-Mollaj, koeficienti R ka ardhur në rritje deri në vitin 2014. Për zonën Ballsh-Hekal, koeficienti R deri në vitin 2010 ka ardhur në rritje, pastaj në zbritje. Për zonën Gorisht-Kocul koeficienti R ka ardhur në rritje duke e kaluar njësinë 1. Në vitin 2014, ky koeficient ka pasur rënie përsëri. Sa i përket vendburimit të Delvinës, ky koeficient është shumë i vogël. Për vendburimin e Gorisht-Kocul, rënia e koeficientit R pas vitit 2013, vjen si shkak i rritjes së shpenzimeve mbi të ardhurat, për të cilën Albpetrol duhet të ushtronte inspektime dhe audite, për të monitoruar nivelin e shpenzimeve, sepse ndërkohë që prodhimi është rritur në masën 50 %, niveli i investimeve është zvogëluar dhe përsëri raporti të ardhura shpenzime paraqitet në nivel më pak se 1.

Për zonën Gorisht-Kocul, kontraktori nuk ka paraqitur raportet e aktivitetit hidrokarbur, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure për zonën Gorisht-Kocul. Nga ana e kontraktorit nuk janë paraqitur për miratim programet për vitin 2015 dhe 2016, në kundërshtim me marrëveshjet hidrokarbure përkatëse. Komiteti Këshillimor nuk është mbledhur nga data 22.04.2014, duke mos paraqitur pretendime në lidhje me aktivitetin hidrokarbur nga ana e Albpetrol dhe AKBN.

Sa më sipër rezulton se, vetëm për zonën Gorisht-Kocul faktori R është afër vlerës 1. Megjithëse në vitin 2012 dhe 2013, Faktori R për këtë zonë ka rezultuar më i madh se 1, në vitet pasuese ka ardhur përsëri në rënie, duke pamundësuar ndarjen e fitimit sipas marrëveshjes për këtë zonë.

Të ardhurat për vitin 2015 dhe 2016 kanë ardhur në rënie krahasuar me vitin 2014. Shpenzimet kapitale janë me zbritje, ndërsa shpenzimet operative kanë pësuar rritje. Mungesa e investimeve për këtë zonë, për të cilën shpenzimet operative janë në rritje, do të japin ndikim në uljen e prodhimit dhe më tej ulje të sasisë së naftës pjesë e Albpetrol.

Prodhimi për zonën Gorisht-Kocul, për vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 (për vitin 2016 nuk ka të dhëna) ka ardhur në rënie. Shpenzimet operative kanë pësuar rritje, nga 4,188 mijë USD në vitin 2014, në vitin 2015 janë shpenzuar 6,114 mijë USD. Shpenzimet kapitale nga 2,679 mijë USD në vitin 2014, në vitin 2015 janë realizuar me vlerë 219 mijë USD, pra kanë ardhur në rënie. Rritja e shpenzimeve operative krahasuar me ato kapitale nuk justifikohet, pasi prodhimi ka ardhur në rënie. Rënia e prodhimit lidhet me mos shpimin e puseve të reja dhe zvogëlimit të prodhimit të puseve ekzistues, pra si rezultat i mos shtimit të puseve të rinj, duhet të zvogëloheshin shpenzimet operative dhe jo të rriteshin.

Theksojmë faktin se, faktori R për këtë zonë, ka kaluar mbi 1 për vitin 2012 dhe 2013, ndërsa ka pësuar rënie në vazhdim të vitit 2014 dhe 2015.

Kalimi i faktorit R mbi 1 për këtë zonë, për vitin 2012 dhe 2013 është trajtuar edhe në auditimin e mëparshëm. Është rekomanduar përllogaritja e detyrimeve si dhe analizimi duke marrë masat e duhura për llogaritjen e vlerës së të ardhurave të kontraktorit mbi vlerën e shpenzimeve për vitin 2012 dhe 2013, si dhe njoftimi i organeve përkatëse shtetërore, për vlerën e detyrimit të ndarjes së fitimit. Gjithashtu, është rekomanduar që ky detyrim të sanksionohet edhe në amendimin e marrëveshjes “Për shuarjen, me kompensim të detyrimeve të ndërsjella ndërmjet Albpetrol SHA, kontraktorit, MF dhe MZHETTS”. Deri në momentin e auditimit nuk rezulton të jetë marrë masë për këtë qëllim. Ngarkohet me përgjegjësi Albpetrol dhe AKBN.

Për vendburimin e gazit, Delvinë, rezulton se nuk ka filluar akoma prodhimi i gazit, sipas përshkrimit në marrëveshje. Është realizuar vetëm prodhim kondensati. Për vitin 2014 është prodhuar 30.48 ton kondensat, për vitin 2015 7.75 ton, ndërsa nuk ka të dhëna për vitin 2016.

Shpenzimet operative për vitin 2014 janë realizuar me vlerë 2,070 mijë USD, nga 1,683 mijë USD, ose me rritje në masën 19 %. Shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 12,305 mijë USD nga 23,568 mijë USD të programuara, me rënie në masën 52 %. Për vitin 2015 shpenzimet operative janë raportuar me vlerë 984 mijë USD, ndërsa shpenzimet kapitale me vlerë 9,733 mijë USD. Për vitin 2016 (6-mujori i Irë), shpenzimet operative janë raportuar me vlerë 161 mijë USD dhe shpenzimet kapitale me vlerë (-) 28.9 mijë USD.

Sa më sipër arrihet në konkluzionin se, për vitin 2014 dhe 2015, shpenzimet e raportuara (OPEX + CAPEX) nuk justifikojnë aktivitetin e realizuar në këtë zonë, duke patur në konsideratë faktin se, prodhimi i gazit është zero, ndërsa prodhimi i kondensatit është në sasi shumë të vogla, për vitin 2015, vetëm 7.75 ton, ndërsa për vitin 2016 nuk është prodhuar.

-Kontraktori, nëpërmjet shkresës nr. 383/16 prot., datë 16.12.2016, drejtuar KLSH dhe pë dijeni Albpetrol SHA, MEI dhe AKBN, ka kërkuar dhënien e mundësisë për kompensimin e detyrimeve nga vendburime të ndryshme, për llogari të prodhimit PEP + ASP. Nga Kontraktori theksohet se, kjo metodë është ndjekur nga Albpetrol në rakordimin e detyrimeve për vitin 2014 për këto zona. Kjo procedurë është ndjekur për arsye teknike dhe praktike, pasi kushtet ekzistuese të organizimit të kapaciteteve depozituese dhe të pikave të lëvrimit, paraqesin probleme në zbatimin e procedurave të lëvrimit për çdo vendburim, si dhe lëvrimi i sasive të naftës brut nga vendburimi i Gorisht-Kocul në krahasim me vendburimin e Ballsh-Hekal, ka një kosto më të madhe për Albpetrol SHA. Ky veprim konsiderohet nga Kontraktori se jep fleksibilitet më të madh dhe nuk përbën asnjë parregullsi.

-Kontraktori, bashkëngjitur shkresës nr. 383/16 prot., datë 16.12.2016, drejtuar KLSH dhe pë dijeni Albpetrol SHA, MEI dhe AKBN, ka paraqitur disa pretendime për veprime të Albpetrol ndaj kompanisë, të konsideruara nga ana e saj si veprime tendencioze, që kanë ndikuar negativisht në performimin e marrëveshjeve hidrokarbure.

Kryesisht këto pretendime kanë të bëjnë me:

-Njoftimin e Albpetrol SHA për thyerje materiale të detyrimeve themelore të marrëveshjeve hidrokarbure për zonat Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj, në lidhje me detyrimet e akumuluara nga kompania. Nga kompania pretendohet se nuk janë marrë në konsideratë pretendimet e saj në kushtet kur edhe Albpetrol SHA ka detyrime ndaj Kontraktorit.

-Refuzimin e Albpetrol për të vënë në dispozicion të kontraktorit të rrjetit elektrik për zonë Cakran-Mollaj dhe faturimet e energjisë elektrike në masën 70 % të çmimit të OSHEE. Duke filluar nga muaji qershor 2016, ka patur ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike nga Albpetrol, për shkak të ndonjë vonese në likuidimin e faturave, të cilat janë shoqëruar me ndalim dhe humbje të prodhimit të naftës brut në rreth 1200 ton.

-Kontraktori konsideron të papranueshëm faktin se, ndërkohë që është nënshkruar një marrëveshje për shuarjen me kompensim të detyrimeve, angazhohen përmbarues për marrjen me forcë të detyrimeve dhe bllokim të aktivitetit të shitjes së naftës brut.

-Mosnjohja e forcës madhore, faturimi i kostos së përgatitjes së të dhënave etj.

-Edhe dy marrëveshje të tjera rezultojnë më detyrime ndaj Albpetrol me vlerë 113,357 mijë lekë.

-Gjatë muajit mars 2015, është zhvilluar një ankand për shitjen e sasisë 100,000 ton naftë brut, në të cilën është përfshirë sasia 43,268 ton nga detyrimet para vitit 2015, nga e cila 13,656 ton sipas marrëveshjes për zonë Patos-Marinëz dhe 29,612 ton sipas marrëveshjeve për zonat Gorisht-Kocul, Ballsh-Hekal, vendburimet e Delvinës.

Në ankandin tjetër të muajit shkurt 2016, është shitur naftë brut në sasinë 30,000 ton në të cilën përfshihet sasia 16,544 ton detyrim para datës 31.12.2014.

Si pasojë e shitjes në ankande të naftës brut nga sasia e detyrimeve të viteve 2014-2015, janë krijuar të ardhura të munguara për shoqërinë me vlerë gjithsej 427,105 mijë lekë, për arsye se, çmimi në bursa për këtë sasi ka qenë në nivele më të larta në momentin e lindjes së detyrimit kontraktual, krahasuar me atë të periudhës përkatëse të shitjes.

Gjatë auditimit është konstatuar përdorim pa efektivitet të fondeve me vlerë 3,010,832 mijë lekë, të cilat në mënyrë të detajuar paraqiten si më poshtë:

Gjatё analizёs sё pasqyrёs sё pozicionit financiar pёr vitin 2015, nga rezultoi se se zёri “Fitimi i pashpёrndarё paraqitet nё shumёn - 3,813,605,691 lekё, pra humbje, si rezultat i sistemimeve tё gjendjes sё produktit pranё tё tretёve pёr vitet 2011-2014 dhe rimarje amortizimi sipas raportit tё zvogёlimit tё kapitalit.

Nё vitin 2011 drejtimi i shoqёrisё vendosi qё detyrimet pёr produktin naftё tё kompanive koncesionare ta konsideronte si gjёndje produkti tё gatshёm dhe ta pёrfshinte nё rezultatin e vitit ushtrimor. Pёr vitin 2011 vlera ishte 2,228,772,900 lekё, pёr vitin 2012 vlera ishte 3,707,683 lekё, pёr vitin 2013 vlera ishte 979,962,123 lekё dhe pёr vitin 2014 vlera ishte 602,841,613 lekё.

Kjo mёnyre paraqitje ka shtrembёruar rezultatin e kёtyre viteve me shumat sa mё sipёr, mё tepёr duke pasur dhe efekte nё llogaritjen e tatimit mbi fitimin si dhe shpёrndarjen e dividentit pёr periudhat pёrkatese.

Dividenti i mundshёm i kёtyre viteve duke ruajtur tё njёjtёn % tё aplikuar nga MZHETS nё ndarjen e fitimit tё vitit ёshtё 1,957,548,128 lekё dhe 757,308,663 lekё janё paguar duke mbetur 1,200,239,465 lekё pёr tu paguar. Diferenca prej 2,988,966,925 lekё qё MZHETS ka nё detyrimet e Albpetrol SHA do tё korigjohet me shumёn 1,200,239,465 lekё duke sjellё njё efekt ekonomik negativ nё vlerёn 1,788,727 mijë lekё pёr Buxhetin e Shtetit.

Mbi auditimin e gjendjes së debitorëve dhe kreditorëve, si dhe zbatimin e ligjshmërisë për inventarizimin e pasurisë.

Për sa i përket gjendjes së debitorëve dhe kreditorëve arrijmë në konkluzionin e një punë të dobët të shoqërisë Albpetrol SHA në arkëtimin e detyrimeve që të tretët kanë ndaj tyre vlerë e cila në total është 17,643,210,596 lekë si dhe nga mos arkëtimi i detyrimeve të lindura rishtas, të cilat vetëm gjatë këtij viti kapin vlerën 752,677,184 lekë, ndërsa gjendja kreditore me 31.12.2015 paraqitet në vlerën prej 8,389,953,006 lekë vlerë e cila vetëm për këtë vit është rritur me vlerë 564,402,202 lekë.

-Me akt-rakordimin e mbajtur midis dy shoqërive është shlyer fatura për kamat vonesa të prapambetura në shumën prej 644,031 mijë lekë, si rezultat i mos shlyerjes në kohë të faturave të energjisë elektrike me efekt financiar negative për shoqërinë Albpetrol SHA.

-Nga shqyrtimi i dokumentacionit të listë-pagesave të administratës së Albpetrol SHA, rezulton se në muajin gusht 2015, Albpetrol SHA ka kryer pagesa për shpërblimin e Grupit të punës të ngritur me Urdhër të Ministrit nr. 540, datë 20.07.2010, “Për përgatitjen e rregullores për shfrytëzimin dhe ruajtjen e mbi dhe nëntokës në blloqet e kërkimit dhe në vendburimet e naftës dhe/ose të gazit, gjatë kërkimit dhe në vendburimet e naftës dhe/ose gazit, gjatë zhvillimit të operacioneve hidrokarbure” të ndryshuar, 25 persona, nga të cilët 18 punonjës të Albpetrol SHA dhe 7 persona të tjerë i përkasin MEI-t, AKBN etj., me vlerë neto 2,167,500 lekë, duke përfituar shpërblim midis të tjerëve, Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës K.B, Administratori i Albpetrol SHA, Drejtori ekzekutiv i AKBN, Drejtori i Hidrokarbureve në Ministri etj. Një urdhër i tillë i ministrit të MEI-t është në tejkalim të komptencave të tij, duke rënduar koston e shpenzimeve të Albpetrol SHA për 2,167,500 lekë, duke kryer shpenzime pa asnjë lloj efektiviteti, për më tepër që ky dokument nuk është në kuadrin e veprimtarisë së Albpetrol SHA, si dhe nga shkresa e mësipërme rezulton se është një Rregullore e vitit 2010.

Autoriteti Kontraktor në kundërshtim të plotë më dispozitat e prokurimit publik, ka përcaktuar një fond limit të paargumentuar dhe të pa dokumentuar. AK ka përllogaritur një fond limit të tejfryrë, i cili i ka shkaktuar një efekt negativ financiar ndaj buxhetit të kompanisë Albpetrol SHA, me vlerë 11,496,240 lekë. Kjo vlerë del si rezultat e verifikimit të analizës së çmimeve të realizuara nga AK, krahasuar me ato të miratuara sipas zërave të preventivit.

KLSH ka rekomanduar 27 masa organizative, 29 masa për shpërblim dëmi dhe 39 masa disiplinore.

Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe Vendimi nr. 179, datë 31.12.2016 i Kryetarit të KLSH, i është përcjellur:

-Albpetrol SHA dhe Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë, me shkresë nr. 814/15, datë 31.12.2016.

-Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, me shkresë nr. 814/17, datë 03.01.2017.

-Komisionit Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, me shkresë nr. 814/18, datë 03.01.2017.

-Kryeministrit, me shkresë nr. 814/20, datë 03.01.2017.

-Ministrisë së Ekonomisë dhe Industrisë, me shkresë nr. 814/16, datë 31.12.2016.

-Ministrisë së Financave, me shkresë nr. 814/19, datë 03.01.2017.

-Prokurorisë së Përgjithshme, me shkresë nr. 814/21, datë 10.01.2017.

Shënim : Nga Albpetrol SHA,  nuk është kthyer përgjigje brenda afatit 20 ditor,  në zbatim të nenit 15/j, të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ” rreth hartimit të programeve për zbatimin e rekomandimeve të dërguara nga KLSH me shkresë nr. 814/15, datë 31.12.2016.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: