Ana e panjohur e poetit Ali Asllani

Ana e panjohur e poetit Ali Asllani
I njohur si një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e Ismail Qemalit, poeti-patriot Ali Asllani ka edhe një “njollë” të errët: Periudhën 1939-1944 kur pranoi të bëhej anëtar i Këshillit të Shtetit, teksa vendi ishte i pushtuar. Në të njëjtin këshill ku bënte pjesë edhe Lasgush Poradeci

Prof. Bardhosh Gaçe

Ky shkrim është përgatitur posaçërisht për Albanian Free Press

Ndryshe shumë poetëve dhe njerëzve të tjerë të dijes, poeti Ali Asllani ka një jetë  dhe veprimtari ndër më aktivet në zhvillimet e kohës që ai jetoi. Të gjendurit mes njeriut me ndjesi të holla prej poeti, të njeriut me një formim solid kombëtar dhe patriotik, të intelektualit në zhvillimet e befta historike, jeta dhe veprimtaria e Ali Asllanit përbën një model të rëndësishëm të një njeriu, i cili përveçse ka qenë aktiv dhe refleksiv, po ashtu ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e zhvillimeve lokale dhe kombëtare shqiptare.

Ali Asllani lindi në Vlorë më 20 nëntor të vitit 1882, në fshatin Vajzë. Mjedisi i vendlindjes së tij ka qenë mjaft i rëndësishëm për poetin dhe veprimtarin Ali Asllani, pasi në kujtesën e të gjithëve është i njohur fakti, se në Vajzë ka pasur njerëz të mençur, patriotë, me dije dhe burrëri, besimtarë dhe njerëz me shpirt të madh atdhetar e patriotik, si një nga fshatrat  e njohur të kulturës dhe traditës së Jugut. I mbetur jetim në një moshë të vogël, Ali Asllani u lidh shumë me njerëzit që e rritën, me mjedisin ku u rrit dhe kulturën e këtij mjedisi, të cilën  e reflektoi gjatë gjithë jetës së tij në karakter dhe në krijimtari.

Në “Zosimea”

Pas shkollimit në Muradie, në të cilën do të merrte në kujtesën e tij shumë të njohur, veçmas Kolë e Kristo Karbunarën, Spiro Jorgo Kolekën, Ali Beqirin, Lluka Papajorgjin, Osman Haxhiun, Shahin Harunin dhe të tjerë, arsimimi i tij do të vazhdonte në gjimnazin e njohur të Janinës "Zosimea", një shkollim që do t'i shërbente gjatë gjithë jetës, pasi aty do të niste dhe të dilte në dritë talenti prej poeti dhe personaliteti prej njeriu me një dimension social. Në Janinë, Ali Asllani mori kontakte dhe njohje të rëndësishme për gjithë krahinat e vendit, për Kosovën, Çamërinë, për vise të tjera të Shqipërisë së Jugut dhe asaj në përgjithësi. Veçmas njohja dhe ruajtja e kontakteve me një personazh të njohur të Çamërisë, Muharrem Rushitin, i shërbyen atij për të krijuar një qasje të qartë lidhur me çështjen kombëtare shqiptare dhe çështjen çame në veçanti.

Ali Asllani që në fëmijëri dhe në vazhdim pati një interes të konsiderueshëm për të lexuar dhe njohur traditën, kulturën popullore, folklorin, që më vonë do të ishin të nevojshme dhe të rëndësishme për të. Ahmet Meminaj do të kishte një ndikim të madh shpirtëror tek Ali Asllani që në rininë e tij. Ndërkohë, njohjen që kishte për Ismail Bej Qemalin, si një personalitet i madh dhe atdhetar i rëndësishëm, për të cilin shkruan se: "Ky vlonjati ynë Ismail Qemali , është njeri i madh. Është nga tarafi i Kastriotëve e jo i Sulltanit", po rritej nga koha në kohë brenda dijes dhe shpirtit të Ali Asllanit.

Ali Asllani, që në fëmijërinë e tij, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së prindërve, por që të afërm dhe njerëz të tjerë në Vajzë nuk i kursyen asgjë për ta rritur dhe edukuar atë me shpirtin e madh lab, u shqua për një interesim të madh për kulturën, historinë dhe arsimimin. Shkolla "Zosimea" ishte një mjedis i njohur shkollor i kohës, në të cilin ishin shkolluar njerëz të rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare, patriotë dhe atdhetarë, njerëz të dijes në përgjithësi. Pikërisht në "Zosimea", nën ndikimin e Ahmet Meminajt dhe Sulejman Kapos, njerëz të njohur dhe me ndikim në Vajzë dhe në Vlorë, Ali Asllani nisi të shkruante vjershat  e tij të para. Dy poezitë e para të tij titullohen "Fshati im" dhe "Kroi".

Shkollimi në Stamboll

Në vjeshtën e vitit 1902 Ali Asllani shkoi në Stamboll për të filluar studimet universitare. Pasi qëndroi një vit në Fakultetin e Mjekësisë, për shkak të një ndjeshmërie të lartë shpirtërore, në vitin 1903, me ndihmën e djalit të Ismail Qemalit dhe Mulla Xhaferr Drashovicës, ai regjistrohet në "Mylqie", në Institutin e Lartë të Shkencave Politiko – Shoqërore - Administrative. Gjatë gjithë kohës së studimeve larg atdheut e veçmas Vlorës së tij të dashur, Ali Asllani ndiqte me vëmendje të gjithë zhvillimet në vendin e tij. Me mbarimin e studimeve të larta, Ali Asllani do të niste rrugëtimin e tij të gjatë, me një veprimtari të rëndësishme dhe të dendur, jo vetëm si një krijues me një vokacion të veçantë, por dhe si një intelektual, si një shtetar, si një atdhetar e patriot, si një personalitet i dijes sonë kombëtare. Në një periudhë të gjatë historike, që niste me fillimshekullin e kaluar dhe gjatë gjithë gjysmës të po të atij shekulli, intelektuali i shquar vlonjat dhe gjithëkombëtar Ali Asllani, do të shënojë gjurmët e tij të pashlyera si shtetar, si diplomat, si zyrtar i lartë i qeverisë së Ismail Qemalit, të qeverisë së Sulejman Delvinës, Mbretërisë Shqiptare e më pas.

Zyrtari i shtetit shqiptar

Menjëherë pas mbarimit të studimeve të larta në vitin 1906, Ali Asllani emërohet stazhier në prefekturën e Janinës, i cili deri në vitin 1910 bëri edhe detyra të tjera, si nënprefekt i Delvinës (1908) dhe ndihmëssekretar për doganat. Gjatë kësaj kohe, e cila është mbushur me zhvillime të shumta, Ali Asllani kontribuoi në ndihmë të çështjes sonë kombëtare, aq sa në jo pak raste u ndëshkua dhe rrezikoi. Të tilla ishin ngjarjet pas "grushtit të shtetit" në Stamboll, njohur si "31 mars", ku patrioti i madh shqiptar nga Vlora, Ismail Qemali, u konsiderua si njëri nga organizatorët, ndërsa dallgët e ndëshkimit dhe të përndjekjes erdhën deri në Janinë edhe mbi Ali Asllanin. Ali Asllani dhe atdhetari i njohur, Zija Mesarea, u vunë hapur në mbrojtje të Ismail Qemalit. Ali Asllani ra shpejt në sy si veprimtar. Ai u përfshi në aktivitetet dhe veprimtaritë e klubit "Labëria" të Vlorës, të klubit "Bashkimi" me ç'rast ishte edhe delegat i këtij të fundit, si përfaqësues i shqiptarëve të Janinës në Kongresin e Dibrës në vitin 1909.

Si veprimtar i guximshëm, ai kishte rënë në sy të censurës së kohës. Në vitin 1909, zyrtarisht ai ishte nën vëzhgimin e autoriteteve të kohës. Me këtë rast ai u detyrua t'u shmanget daljeve të hapura, kështu që për njëfarë kohe u strehua në fshatin Trevllazër.

Në shkurt të vitit 1914 ai emërohet nënprefekt i Fierit me urdhër të Komisionit të Fuqive të Mëdha, e që nga korriku i vitit 1914, deri në shkurt të vitit 1915, qe i papunë. Më pas punoi si sekretar i Përgjithshëm i Administratës së Vlorës. Në dhjetor të vitit 1918, me kërkesë të Avni Rustemit, Halim Xhelos dhe Tol Arapit, Ali Asllani bëhet kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në këtë detyrë, Asllani i la qytetit ndërtimin e merkatos rrugën Vlorë - Skelë dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme, që do t'i shërbenin qytetit të bukur bregdetar.

Ali Asllani, që nga viti 1912 e në vazhdim, priti e përcolli miq, ushtarakë, shkrimtarë, diplomatë, delegacione të huaja që erdhën në Vlorë, që nga francezi Herbert, delegacioni qeveritar i amerikanëve të Uillsonit - Hervin e të tjerë, me çfarë kuptohet se Vlora ishte në qendër të vëmendjes perëndimore, që me diplomacinë, aftësinë e komunikimit, aftësitë për të informuar bashkëbiseduesit e nivelit të lartë të përcillte tek ata një shtetar dhe intelekt të një nëpunësi e intelektuali të një vendi të vogël.

Vitet ’20-’30

Ali Asllani ka qenë zë dhe kontributor i madh në vitin  e rëndësishëm shqiptar 1920, në mbrojtjen e patriotit të njohur Avni Ristemi, i cili kishte një proces të vështirë gjyqësor në Gjykatën e Parisit, për shkakun e vrasjes së tradhtarit të kombit, Esat Pashë Toptani. Ali Asllani u bë njëri nga zëdhënësit më të mëdhenj, jo vetëm të Vlonës, por gjithë Shqipërisë në mbrojtjen e patriotit, aq sa ai i dërgoi telegram edhe delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1920.

Në nëntor të vitit 1920 Ali Asllani emërohet Këshilltar në Kryeministri. Betimi i tij me këtë rast, në formulën: "Do të kryej detyrën qi më ngarkoni me ndërgjegje e therori tue ruajtur ligjet e shtetit shqiptar e do të jem gjithnji besimtar përpara Këshillës së Naltë e Kabinetit, ruejtjes së indipendencës së Shqipërisë dhe Flamurit", e bënë të kuptueshme rëndësinë  e detyrës së tij.

Në shumë takime të rëndësishme me të huajt, Ali Asllani bëri punën e diplomatit që i vinte në ndihmë çështjes sonë kombëtare. Shkrimtari i njohur, Justin Godard, e ka shprehur dhe shënuar këtë konsideratë të lartë për Ali Asllanin në një takim që ai ka pasur në vitin 1921, i cili posaçërisht shkruan në gjuhën frënge: "Ali Asllanit, mikut tim, i cili me fjalën e mençur më mundësoi njohjen e problemeve diplomatike shqiptare..." që, siç kuptohet, kemi të bëjmë me një rast të dhurimit të një libri të tij poetit shqiptar.

Më pas, në janar të vitit 1922 Ali Asllani emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, ndërsa në mars po të vitit 1922 është konsull i Shqipërisë në Trieste. Në vitin 1925 u emërua "Zëvendës i ngarkuar me punë" në Sofje dhe në nëntor të vitit 1926 merr detyrën e sekretarit të parë "I ngarkuar me punë", po në Sofje. Viti 1930 e gjen Ali Asllanin në Athinë, një vend ku mori kontakte dhe bashkëpunoi me shumë atdhetarë arvanitas e çamë. Po ashtu, ai mori kontakte me personazhe dhe personalitete të dijes, kulturës, letërsisë si Tagora, Pallamas, Ali Dine (kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Greqisë) dhe me poetin e shquar Gjergj Fishta. Të gjitha kontaktet, komunikimin, konsideratat me këto personalitete Ali Asllani i ka reflektuar në shënimet dhe kujtimet  e tij. Ali Asllani ka përkthyer në shqip Tagorën dhe Pallamasin, dy poetë të mrekullueshëm të kohës.

Në vitin 1932, Ali Asllani thirret në Shqipëri. Ahmet Zogu (Mbreti i Shqipërisë) e ndëshkon për shkakun e dështimit të bisedimeve në Athinë për çështjen e pasurive të Shqipërisë në Greqi, dhe në vitin 1934 emërohet kryetar i Bashkisë së Vlorës, deri në vitin 1939. Gjatë kësaj kohe, Ali Asllani bëri ç'mundi për Vlorën, historinë  e saj, nxjerrja në pah e momenteve dhe monumenteve  të historisë që Vlora ka në historinë e saj, për kulturën dhe projekte afatgjata të saj. Dëshmitë për këtë kontribut madhorë, vijnë përmes shtypit të kohës, dokumenteve, dëshmive dhe dëshmitarëve që punuan dhe jetuan me Ali Asllanin.

 

 

 

 

Poeti i angazhuar i “Hanko Hallës”

Ali Asllani është njëri nga poetët shqiptarë me një angazhim maksimal në punët e rëndësishme të atdheut, që në ditën e parë kur atë e kërkoi atdheu dhe nevojat e tij. I lindur dhe edukuar në një mjedis patriotik, me një histori të njohur atdhetare - patriotike, me një raport të thellë me çështjen kombëtare në mënyrë të veçantë, marrëdhëniet me eventualitetin kombëtarë, që më së shumti vinte përmes ngjarjeve që ndodhnin në Vlorën e tij dhe në Labërinë me zakone burrash dhe trimash, Ali Asllani nuk u shkëput kurrë nga detyra që një njeri i rangut dhe dijes së tij kishte për atdheun.

Pavarësisht gjithë kësaj ngarkese në punët shtetërore, Ali Asllani e ka shoqëruar këtë periudhë me një krijimtari po kaq të rëndësishme, duke i bërë një shërbim të madh kulturës shqiptare në përgjithësi. Ai shkroi herët dhe nuk iu largua kurrë kësaj veprimtarie. Krijimtaria e tij poetike është e lidhur fort me fatet e vendit, me natyrën humanitare të njerëzve që ai ka njohur dhe ka adhuruar, me njerëzit që i ka kritikuar dhe i ka qortuar, me aspiratën popullore, të cilës i ka kënduar me pathos dhe dashuri.

Poezitë e para Ali Asllani i shkroi që në bankat e shkollës, kur ishte në moshë të njomë, me motive liriko - romantike, motive të cilat do të vijojnë deri në fundin e krijimtarisë së tij. Në këtë kuptim ai ruajti "aromën" e vendit ku lindi dhe u rrit. Duke qenë poeti midis dy luftërave botërore, Ali Asllani arriti të sjellë dhe të shndërrojë në art dhe poezi këtë periudhë historike, qoftë për motivet patriotike, po ashtu dhe ato me qasje sociale dhe liriko - erotike.

Nga viti 1932 deri në vitin 1944 Ali Asllani botoi poezi në periodikët e kohës, kryesisht në revistat dhe gazetat "Minerva", "Shkëndija" dhe "Besa".

Një ngjarje e veçantë, jo vetëm për A. Asllanin, për letërsinë shqiptare të kohës dhe pas çlirimit është botimi i poemës së njohur "Hanko Halla", të cilën Ali Asllani e botoi në vitin 1942.

Pas çlirimit, Ali Asllani bëri një pauzë jo të vogël lidhur me botimet e poezisë së tij, pavarësisht se ai ka shkruar në mënyrë të vazhdueshme. Kështu, në vitin 1960 ai boton përmbledhjen poetike "Vidi-vidi pëllumbeshë". Në vitin 1962 Ali Asllani botoi vëllimin poetik "Shqipëria kryezonjë", ndërsa vëllimi i fundit i botuar prej tij është botimi i vitit 1964, i titulluar "Vajza dhe dallëndyshet".

Ali Asllani është një poet me vokacion të hershëm në poezinë shqiptare, kështu që ai i ka kapërcyer kufijtë e Vlorës dhe të Shqipërisë që herët. Në vitin 1984, në Prishtinë botohet përmbledhja poetike e tij në dy vëllime, nën kujdesin e studiuesit Kajtaz Rrecaj. Një nderim të merituar Ali Asllani e ka marrë në Shqipëri, me botimin e veprës së tij të plotë poetike në vitin 2011, nën kujdesin e dy studiuesve të njohur, Nasho Jorgaqi dhe Ardian Klosi.

Tashmë vepra poetike e Ali Asllanit i nënshtrohet trajtimit dhe studimit edhe në nivelet universitare në një diapazon të gjerë për shkakun e vlerave që ajo ka si për karakterin historik, atë bashkëkohorë dhe mjeshtërinë artistike.

 

 

 

 

Hakërrim

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or' e ças,

Për çakallin, nat' e errët, është ras' e deli ras'!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek' ju gjeti dreka, milionier' ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t'ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun' e tija, djers' e ballit,

ësht' kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit, s'ka më mirë, lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz' edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;

hani, pini e rrëmbeni, ësht' bot e maskarenjve;

Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith' aksione, monopole,

ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,

ju shkëlqen në kraharuar dekorata "Grand Cordon"!

Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t'ju thërres'

gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes'

dhe të quheni përhera luftëtar' e patriot',

në ka zot dhe do duroj', posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris'sate, që në gji të kan' vendosur,

ësht' pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr',

ësht' trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,

kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,

mbasi dora e armikut ty me shok' të heq për hunde.

Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,

të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal' në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij' dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pem' e kalbur doemos jasht' do hidhet!

Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul' e zezë në ballë!

Mirpo ju që s'keni pasur as nevoj' as gjë të keqe,

më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: "Peqe!"

Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,

sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…

Teksa fshat' i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,

ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar' në errësira!

Ç'na pa syri, ç'na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:

te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar'

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,

dylli bëhet si të duash, kukuvajk' dhe dallëndyshe…

kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,

nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…

Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor' të metelikut,

fshini sofrat e kujtdoj', puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,

mjafton bërja pasanik, pasanik dhe "bej" i ri,

dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,

kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr' e qorrit, vlen për goj' e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull', shoku-shokut kreni sytë…

Dhe për një kërkoni pesë, po më mir' njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit' që nis e vrëret do mbaroj' me bubullimë,

ky i sotmi zër' i errët, bëhet vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasuris' dhe, kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit' për goj'!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor'

nuk ësht' yti, nuk ësht' imi, është i kombit arbror,

ësht' i syrit në lot mëkuar, ësht' i vendit djegur, pjekur,

Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

 

Vargjet që lëshonin kushtrimin

Një fakt interesant në këtë kohë është dhe prania e Atë Shtjefën Gjeçovit në Vlorë, i cili kishte një miqësi të fortë me Ali Asllanin, ashtu siç ai kishte dhe me Fishtën, një penë e njohur e çështjes sonë kombëtare. Ali Asllani qe hartuesi i rregullores në krijimin e shoqërisë "Përlindja shqiptare", rreth të cilës u afruan njerëz patriotë, intelektualë dhe luftëtarë të kohës. Në kushtet kur kjo shoqëri u krijua, ishte i rëndësishëm sensibiliteti atdhetar - patriotik, që ajo i shtonte situatës atdhetare në kushtet e agresionit fashist për pushtimin e Vlorës dhe të Shqipërisë.

Ali Asllani ruajti lidhje të forta me ngjarjet historike të Vlorës dhe të vendit të tij, ashtu siç ruajti raporte të thella me kulturën, zakonet dhe traditën labe, të cilën e reflektoi dhe në poezinë e tij. Përkujtimoret dhe festimet e Ditës së Flamurit kanë qenë shumë të rëndësishme në Vlorë. Ali Asllani nuk reshti gjatë gjithë jetës, duke ligjëruar dhe kujdesuro  që kësaj dite t'i jepte vendin e duhur. Në këta ditë, ashtu si Plaku i Vlorës, Ali Asllani donte që të kishte mysafirë jo vetëm nga trojet shqiptare, por dhe nga Perëndimi e gjetkë, duke i bërë një shërbim të madh kësaj dite të rëndësishme.  Të kësaj atmosfere janë dhe vargjet kushtrimtare të Ali Asllanit : "Në zjarr e gjak sod po vlon Vlona,/ Në kamb asht' çue gjith' Shqipnia,/ -Nuk e lshojmë, thonë, asht' e jona./ pa dek për të gjithë burrnia...", për të cilët Nikollë Ivanaj në këtë kohë shkruante : "Kushtue atyne fatosave- trimave, atdhetarëve, të cilët me gjak të vet dhe ma së mirit e vulosën lirinë dhe vetëqeverimin e Shqipnisë".

Duke pasur një kulturë të gjerë në kuptimin e plotë të fjalës, Ali Asllani bëri ç'mundi në promovimin dhe ruajtjen e vlerave historike të Vlorës dhe kudo ai punoi, që nga kultura shpirtërore, ajo kulturore, historike, e vendeve, kalave dhe ç'ishte e rëndësishme. Interesimi bashkë me Shtjefën Gjeçovin për kalanë e Vlorës, Kaninën, rrënojat e Amantias ishin pjesë e kujdesit që ai kishte për historinë si një çështje e rëndësishme jo vetëm për Vlorën, po për gjithë shqiptarët. Ali Asllanin e lidhte shumë me Shtjefën Gjeçovin dhe kontributet që ata bënë si njëri dhe tjetrin për kulturën shqiptare.

 

 

 

Kur Vlorën e pushtuan italianët

Për asnjë rast Ali Asllani nuk u shkëput dhe nuk anashkaloi njerëzit e mençur, trima dhe atdhetarë të Vlorës dhe Labërisë, të cilët kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë kombëtare.

Në detyrat që Ali Asllani mori herë pas here, ruajti qëndrimin atdhetar dhe patriotik, duke iu kundërvënë pazareve në dëm të çështjes kombëtare. I tillë qe dhe në kundërshtimin që ai i bëri komisarit të Bashkisë së Vlorës, që në nëntor të vitit 1919 i kishte kërkuar Ali Asllanit, t'i dërgonte një telegram Mbretit të Italisë, e ta falënderonte në emër të popullit të Vlorës. Ai e kishte kundërshtuar dhe i kishte thënë: "Ju ftuam si mik në festën tonë kombëtare!"

Ali Asllani nuk ishte anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, por bashkëpunimi me patriotët, qe kthyer në një moto jetësore. Në vitin 1920, njohur në historinë tonë kombëtare dhe si viti i Luftës së Vlorës kundër fashizmit Italian, Ali Asllani bashkë me patriotët vlonjatë Osman Haxhiu, Abaz Mezini, Halim Xhelo, Jani Minga, Aristidh Ruçi, Tol Arapi, Tod Filipi, Arshi Selfo, Murat Tërbaçi, Beqir Velo, Myqerem Hamzarai, Duro Shaska, Hamza Isai, Spiro J. Koleka e shumë të tjerë, qenë protagonistët e rezistencës antifashiste, e njohur si lufta me "40 milionët".

 

 

 

“Njolla” e kohës së fashizmit

Në vitin 1939, me pushtimin nga Italia fashiste, Ali Asllani shkoi në Tiranë dhe emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit. Ndër bashkëpunëtorët e tij janë dhe intelektualët  e kohës si: Selahedin Toto, Ferid Vokopola, Lasgush Poradeci, Rauf Fico, Nebil Çika, Lef Nosi, Sotir Kolea etj. Duke u larguar nga jeta politike,u largua nga Tirana dhe shkoi në vendlindje deri në dimrin e vitit 1944, kur u kthye përsëri në Tiranë. Në këtë kohë, ishte pranuar anëtar i Institutit Shqiptar për Studime e Arte, ku bie në sy bashkëpunimi i tij me Odhise Paskalin, Atë Viktor Volajn, Ernest Koliqin, Nexhat Hakiu si dhe intelektualin e shquar Sotir Kolea. Pas çlirimit të vendit, përveçse u mor me letërsi, duke u mbajtur me të ardhurat që i siguronte nga përkthimet (për Institutin e Shkencave), është dhe njëri nga kontribuuesit dhe themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Mbylli sytë me 20 dhjetor 1966.

 

 

Miqësia dhe bashkëpunimi me “Plakun e Vlorës”

Ali Asllani kishte një miqësi dhe njohje të thellë me Ismail Qemalin, njërin nga personalitetet më të rëndësishme të kohës për shqiptarët, jo vetëm në Perandorinë Osmane, por dhe në Perëndim. Ali Asllani hynte e dilte në shtëpinë e Ismail Qemalit, me ç'rast iu krijua mundësia të njihte shumë patriotë të tjerë shqiptarë, që kontribuonin për pavarësinë dhe çështjen tonë kombëtare.

Siç dihet, Perandoria Osmane e ndëshkoi Ismail Qemalin për veprimtarinë atdhetare të tij, veçmas për çështjen shqiptare. Në kthimin e Ismail Qemalit nga mërgimi i gjatë, Ali Asllani ishte i pranishëm. Për këtë ditë të veçantë Ali Asllani ka shkruar kujtimet e tij interesante.  Me njohjet në klubin e shqiptarëve të Stambollit me personalitete si Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Ibrahim Temo, Shahin Kolonja, Ali Asllani krijoi një marrëdhënie të fortë me zhvillimet politike në Shqipëri. Kështu, nën ndikimin dhe mbështetjen e Shahin Kolonjës, u bë e mundur që ai të emërohet nënprefekt në vilajetin e Konjës në Anadoll dhe më pas në Alepo.

Shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali e mësoi përmes lajmeve, kryesisht të Egjiptit. Pavarësia qe një moment i rëndësishëm edhe në jetën dhe aktivitetin e Ali Asllanit. Kështu, ai menjëherë u paraqit në selinë e Qeverisë së Vlorës nga fundi i dhjetorit të vitit 1912. Qe i mirëpritur dhe i nevojshëm jo vetëm për Qeverinë e Vlorës, por edhe për vetë Ismail Qemalin. Miku i tij, Rexhep Sulejmani, tregon se menjëherë Ali Asllani u bë kryesekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së Vlorës deri në vitin 1914, kur plaku i Vlorës Ismail Qemali, dha dorëheqjen. Ali Asllani i ka përjetuar dramatikisht këto momente, të cilat i ka shkruar me shumë kujdes, ashtu siç ka shkruar të gjithë kujtimet që ka pasur për një kohë të caktuar dhe me Plakun e Vlorës. Shëtitjet dhe bisedat me Plakun e Vlorës janë më shumë se kujtime, të një njeriu si Ali Asllani. Ato përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të fateve të vendit.

Gjatë kësaj kohe, Ali Asllani e vuri në shërbim të vendit dhe të Ismail Qemalit shkollimin e tij të mirë dhe aftësitë e tij prej zyrtari dhe shtetari. Në vitin 1913 ai u ngarkua për organizimin e Qendrës Administrative si ndihmës i Mehmet Pashë Dërrallës. Po ashtu, dhe me organizimin e policisë shqiptare.

Ali Asllani i bënte nder Qeverisë së Vlorës, pasi ai ishte një njeri me dije të mira, me një inteligjencë të dukshme, duke u krijuar mundësi bashkëpunimi jo vetëm njerëzve të Qeverisë së Vlorës, por edhe bashkëpunimeve të rëndësishme dhe me të huajt, të Lindjes dhe të Perëndimit, si Mis Durham, Hebert etj. Ali Asllani, në mënyrën më autentike na ka sjellë momentin e trishtueshëm dhe në një farë mënyre rrethanat e dorëheqjes së Ismail Qemalit. Shënimet e shkruara prej tij kanë një ngjyrim të veçantë dhe prekës, për shkakun se Ali Asllani kishte një ndjeshmëri të lartë. Po ashtu, ai ishte një nga njerëzit që përgjatë kohës që Plaku i Vlorës drejtoi Qeverinë, ishte njëri nga bashkëpunëtorët e tij të afërt dhe të besuar. Në kushtet e një qeverie të re, pa përvojë dhe me një mision krejtësisht të ri dhe të paprovuar, kjo merrte një rëndësi të madhe për kohën dhe të ardhmen. Tekstin e Ismail Qemalit mbi dorëheqjen, Ali Asllani e ka shkruar plotësisht në kujtimet e tij, duke e bërë atë autentik.

Ali Asllani nuk i shkëputi lidhjet dhe korrespondencën me Ismail Qemalin pas dorëheqjes së tij. Po ashtu, dhe Ismail Qemali nuk i shkëputi marrëdhëniet dhe lidhjet me Vlorën dhe bashkëpunëtorët e tij. Në vitin 1914 ai solli në Vlorë të birin, Et'hemin, i cili u takua me Ali Asllanin, Ibrahim Abdullahun, Hasan Sharrën, Ali Beqirin, Behxhet Shapatin, të cilët organizuan pritjen e Ismail Qemalit, i cili u takua me princ Vidin për të formuar Komitetin për Shpëtimin Kombëtar. Ali Asllani nuk iu shkëput në asnjë rast aktivitetit dhe veprimtarisë së Ismail Qemalit. Pas largimit nga drejtimi i vendit i Ismail Qemalit, Ali Asllani punoi në punë të ndryshme e në ndonjë rast qe dhe i papunë.

Me rastin e vdekjes së Ismail Qemalit, Ali Asllani, si shumë njerëz dhe personalitetet të tjera të kohës, u pikëllua shumë për këtë humbje të madhe.  Me këtë rast, ai i kushtoi një poezi vdekjes së Plakut të Vlorës, e cila u mësua përmendësh nga qindra vetë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Vlora, Vlora

 

Jam vlonjat e jam vlonjat,

e kam shkabën mëm' e atë,

shkaba trime dykrenore

fron' e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare

si rob jetën s'e do fare,

a do mbetet Shqipëri,

a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,

s'duron burri zgjedhë kurrë,

jam vlonjat e si vlonjat

di bëj luftë me të shtat'!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,

Bjeri, moj, t'u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,

rreth flamurit di të vdesë,

a me hir a me pahirë

doemos do rroj i lirë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: