Arjola Basho: Pamja më ka cunguar, jam zgjedhur më shumë në role me trajta erotike

Arjola Basho: Pamja më ka cunguar, jam zgjedhur më shumë në role me trajta erotike
Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Si të lindi pasioni për tu bërë aktore?

Unë kam qenë shumë e vogël dhe nëna ime ka pasur që në gen marrjen me aktivitete artistike, me kërcim, me recitim, me këngë. Them që e kemi pak gjenetike nga nëna dhe tezja. E gjithë familja e nënës time ishin shumë gazmorë, pa komplekse, ata kërcenin e këndonin e do jenë të pashlyera për mua dasmat tona. Se për mendimin tim, dasmat shqiptare janë si një shfaqje artistike.

Nëna ime me natyrën e saj gazmore na improvizonte gjithmonë shfaqje në shtëpi, natyrisht fëmija ndikohet shumë, veçanërisht nga nëna. Më pas që në shkollë fillova të jepja shenjat e para që kisha prirje për aktrim. Publiku im i parë ishin shokët dhe shoqet e klasës që më duartrokisnin kur unë imitoja profesorët. Nuk do ti harroj kurrë duartrokitjet e tyre hipur mbi banka, kur unë imitoja. Aty kuptova nga vetja se çfarë doja të bëhesha dhe aty filloi dhe ndjeshmëria më e madhe imja për ta parë edhe si profesion.

E mban mend rolin tënd të parë?

Unë kam pasur disa role edhe në Akademinë e Arteve por ishin role në provime ose shfaqje të shkollës. Roli im i parë ka qenë në vitin 2004 në tetarin e Antigonës, në Butrint. Regjisor ishte një djalë nga Saranda dhe aktorët ishin nga Saranda dhe nga Tirana. Unë isha pjesë e korrit. Unë jam me origjinë nga Saranda dhe ky rol do më mbetet shumë i dashur. Më pas vijuan role të tjera. Ky kontakt me amfiteatrin e Butrintit është një kujtim shumë i bukur, një emocion i veçantë.

Kanë kaluar 13 vite me role, por ende je tek brezi i ri i aktorëve dhe nga më të angazhuarat. Sa vështirësi gjen për të gjetur veten?

Në mënyrën se si funksionon sistemi i artit shqiptar, se si shtrihen politikat e artit shqiptar, ka shumë vështirësi për të gjithë aktorët e brezit tim. Por kur diçka e do, edhe sakrifikon për të. Gjen më të mirën, shpesh pranon edhe role të vogla apo që nuk të pëlqejnë, vetëm që të jesh në skenë. Aktori vetëm në skenë merr kënaqësi. Pas studimeve dalin shumë aktorë në vit, por një pjesë shumë e vogël e tyre arrijnë të angazhohen më pas. Nga kursi im p.sh dolën 16 aktorë, por protagonistë në skenë janë vetëm 5. Por kjo varet edhe nga vlerësimi i publikut, nëse ti pëlqehesh nga publiku, do të kesh rrugën tënde, pavarësisht vështirësive. Ne aktorët vërtetë nuk marrim sodisfaksion të merituar ekonomik, kjo asnjëherë, por kemi sodisfaksione të tjera që marrim nga dashuria e publikut.

Ndonjëherë nga mungesa e kushteve, ja bën pyetjen vetes, ta vazhdoj apo jo këtë profesion. Ka raste kur edhe demoralizohesh, por fiton gjithmonë pasioni për skenën, gjithmonë.

Cili është pra shpërblimi i vërtetë i një aktori në Shqipëri?

Vetëm kënaqësia shpirtërore, nga ana ekonomike pagesat nuk janë të kënaqshme. Unë personalisht punoj vetëm me projekte, nuk jam aktore e brendshme në teatër. Por kjo pakënaqësi mbi vlerësimin financiar është tek të gjithë aktorët. Vlera e një artisti nuk mund të matet me pagesa qesharake. Cilido artist duhet të vlerësohet në bazë të statusit, të pëlqimit nga publiku. Ne e masim vlerësimin nga rrjetet sociale, mesazhet që marrim.

 

Ke zgjedhur të qëndrosh me teatrin dhe filmin, nuk i je afruar spektaklit të humorit asnjëherë. Pse?

Kjo është e vërtetë. Unë e shikoj veten vetëm në teatër, në teatrin klasik. Skena mua më jep jetë, më shtohet jeta. Është dashuri shumë e thellë, nuk kuptohet kollaj dhe jo nga të gjithë. Unë mund ta alternoja punën time dhe të kisha fitim më të madh dhe sukses më të madh, por zgjodha të qëndroja besnike e teatrit të mirëfilltë. Ka lidhje edhe me personalitetin tim, ndoshta. Aq sa jam komike, jam dhe e tërhequr.

Por ti je një femër e hijshme. Të ka ndihmuar apo penguar kjo?

Pamja e jashtme nga njëra anë më ka cunguar disi sepse jam zgjedhur më së shumti në role provokuese, mikluese, me trajta erotike. Kjo është gabim. Ka një lloj paragjykimi, mbeten tek imazhi. Kam provuar në skenë që kam luajtur edhe role me tjetër karakter. Roli që do të luaj tani është tek “Don Kishoti” dhe nuk ka lidhjet me hiret. Ose edhe tek filmi “Seks, përrallë dhe celular” unë isha një grua. Edhe në atë film u fut ky elementi i erotizmit, nuk e lanë pa e prekur por i kam toleruar. Pra më ka ndihmuar por edhe penguar pamja e jashtme.

 

 

A e gjen kohën të merresh me veten?

Kur kam prova ose shfaqje jo, aspak. Kur jam në periudha pauze merrem shumë me palestër dhe ecje si dhe bëj shumë kujdes me ushqimin. Si vajzë jugu që jam, gatuaj vetë dhe ha vetëm në shtëpi gjërat që gatuaj vetë. Preferoj gjellën dhe supërat me perime. Nuk shmang asnjë vakt dhe nuk përdor të skuqura dhe ushqime të thata. Gjithashtu unë rri shumë natyrale, nuk grimohem. Vetëm në shfaqje apo në ndonjë event. Nuk dua kimikate mbi lëkurë.

 

Cili është mendimi juaj për gjendjen e teatrit sot?

Teatri po kalon shumë probleme, nëse vazhdon kështu shoh shumë larg zgjidhjen. Shikoj vetëm që ja hedhin fajin njëri-tjetrit, akuzohet njëri drejtues, pastaj tjetri e ndërkohë asgjë nuk ndryshon. Të gjithë faktorët duhet të mblidhen dhe të gjejnë një zgjedhje, duke filluar që nga problemi i ngrohjes, që është absurditet në vitin 2017 e deri tek probleme të tjera që ne aktorët e dimë të gjithë. Ata që e duan teatrin duhet të mblidhen të diskutojnë të zgjidhin problemet e jo të ngrihet ai aktor ose ajo aktore e të merren vetëm me drejtuesit. Inatet nuk zgjidhin asgjë. Duhet gjetur formula e duhur. Është si menaxhimi i një familjeje. Burri sjell të ardhurat, gruaja i menaxhon. Pra nuk mund të kalohet “topi” ministri-teatër dhe anasjelltas, të gjithë faktorët duhet të jenë zinxhir.

Ke vuajtur nga xhelozia femërore në teatër?

Direkt jo, indirekte po. Mund edhe të më kenë prishur punë duke ndikuar ndoshta vendimmarrjen për një rol. Kjo ndodh rëndom. Por nëse dikush vlen e tregon skena.

Kë do të veçoje nga aktoret me të cilat ke punuar?

Do të dalloja Rajmonda Bulkun. Është një grua e jashtëzakonshme, plot pozitivistet, me brezin tonë shumë e afrueshme dhe përkrahëse. Një femër shumë e bukur por edhe fisnike. Kam punuar me të edhe së fundmi tek “Opera për tre grosh”.

Planet e tua të shpejta?

Do të jemi në sallën e Akademisë së Arteve me pjesën “Don Kishoti” dhe kam fituar audicionin për pjesën “Makbeth” që shpresoj të vihet në skenë në vjeshtë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: