BE bën sikur....

BE bën sikur....
Nga Frrok Çupi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

BE bën sikur nuk ka ndodhur gjë me BE... Bën sikur i ka në dorë çelësat e krizës në Shqipëri e gjetkë... Bën sikur anëtarësimi në BE, është “buka e ditës” për çdo banor në Lindje... BE bën sikur vetë është “raca e pastër”, vetëm në këtë kështjellë nuk ka korrupsion dhe ligësi...

Nuk u desh shumë gjë për të zgjuar gjithë këtë “kështjellë” 60-vjeçare dilemash. U desh veç një deklaratë e vogël e një europarlamentari “babaxhan”. Eduard Kukan qortoi Shqipërinë për “bojkotin” e zgjedhjeve dhe tha se “në BE nuk pranohet bojkoti”. Qëlloi pikërisht dita kur Mbretëria e Bashkuar, sot më 29 Mars, u nda përgjithmonë nga BE. Theresa May- kryeministre e Britanisë dhe presidenti i BE, Tusk, (secili në anën e vet)  vulosën bojkotin më të madh në histori: Ndarjen e Britanisë nga Europa. Vetë fjala “bojkot”, vjen nga emri i një fermeri europian, me emrin “Boykot”...

Jo pse u shënua dita e djeshme si ditë koincidence; por kurdo që të bëhej deklarata për “gjasme” e secilit përfaqësues të BE-së, atë ditë do të kishte një koincidencë. Çdo ditë do të dilte se BE, tashmë, tjetër gjë është, e tjetër thotë.

A mund të qëndrojmë pak, vetëm pak, te çështja europianiste “Albania”? Dje, reporteri Kukan deklaroi se “bojkoti ju lë jashtë BE-së”. Para një jave, një tjetër i dërguar europian, tha se “BE nuk ka më vëmendje për vendet e Ballkanit”. Ky ishte Miroslav Lajcak. Edhe ky, sllovak si Eduart Kukan. Edhe Lajcak- ministër i Jashtëm i Sllovakisë, si Kukan. Edhe ky i studiuar në Universitetin Shtetëror të Moskës, për Marrëdhënie Ndërkombëtare, si Kukan... Koincidencat duken si apokaliptike.

Por, në përgjithësi, BE bën sikur... Briefly: A nuk ishte Jean- Claude Junker, president i KiE, që tha para pak ditësh se sikur “Ballkani (edhe Shqipëria)  të ndahet nga BE, atëherë ka luftë”. Kanë prurë në skenë edhe Rusinë e “urryer”, shumica të studiuar në Moskë...

BE bën “sikur”... Glorifikimin:

Të dielën, liderët e 27 vendeve të mbetura, festuan 60-vjetorin e themelimit të BE-së në Romë. Edhe aty kishte një koincidencë emblematike...”. Slogani i zgjedhur ishte: “Të ardhmen, bashkë”. Qëlloi që pikërisht në momentin kur po shpalosnin sloganin, mes tyre vjen urimi i dërguar nga Britania, d.m.th., nga Theresa May. “Urime, - thoshte letra, - por britanikët kanë zgjedhur drejtim tjetër. Ju në drejtimin tuaj”. Sapo mbaroi takimi i BE-së, Austria njoftoi se del nga programi i BE për Emigracionin. Polonia ka njoftuar se po bën procedurat e lënies. “Nuk pranojmë disa shpejtësi, - tha Polonia, - kjo është të aplikosh që shtetet e fuqishme të rrojnë në kurriz të më të vegjëlve”. Francën po e fiton Le Pen, që deklaron se që ditën e parë, do të kërkojë “largim nga BE-ja”... Megjithatë, BE bën sikur “të ardhmen e kemi bashkë”.

BE bën “sikur”... me korrupsionin dhe vesin:

Në Shqipëri, ku BE ishte një “ëndërr”, tani ka pak njerëz që besojnë se këta janë “raca e pastër”. Po të vijë dikush nga BE, sigurisht që këtu lëshon bubullima kundër “korrupsionit” dhe “kundër trafikut”, po kush beson?! Po të ishin besuar, sot nuk do të kishim kaq korrupsion.

Njerëzit kanë sy:

Vila për ambasadoren e BE në Tiranë, është blerë katër herë më shtrenjtë se sa kushton. Një llogari alias sekserësh do të tregonte se paratë e katërfishta kanë shkuar në të paktën tetë xhepa. Europa e ka marrë vesh tejpërtej; por BE është tjetër gjë, BE është kështjella ku bëhet “sikur”. Edhe shefja e Politikës së Jashtme, Mogherini, teksa vinte në Shqipëri për “clear hands misison”, teksa  takohej me shefat në kryeministri, mbesa e saj trafikonte drogë shqiptare në Adriatik. Më 13 Tetor mbesa u kap bashkë me trafikantë të tjerë të stërnjohur... Presidenti i Parlamentit Europian, social- demokrati gjerman Martin Shultz, sapo dha dorëheqjen dhe shpalli kandidaturën në Gjermani- u kap në korrupsion. Për vjedhjet e mëdha, rreth gjysmë miliard euro të humbura nga afera e CEZ-it, po drejtohet gishti mbi Brukselin... Sikur këta të BE të ishin ata që thonë!...

BE bën “sikur” me influencat...

Bashkimi Europian, edhe pse tenton të mbajë “ndezur” qëllimet e hershme, flaka po shuhet. BE- sipas studiuesve të Europës- nuk ka më influencë në “satelitët” e saj. Në Ballkanin Perëndimor, zonja Merkel i lëshoi synimet, sapo kuptoi se në atdheun e saj, i kishin shkuar punët në “drejtimin tjetër”. Për shtetet e varfra të Ballkanit, BE nuk ka asnjë numër telefoni; mund të ndodhë gjithçka dhe nuk përgjigjet askush. Shefi i BE ka paralajmëruar “ose luftë”, “ose influenca Ruse”. Nuk ndodh asnjëra, as tjetra; secila është me “sikur...”. Por BE - i pa zoti të marrë përgjegjësi, sajon “rreziqe” nga të tretët. BE po dështon me të “ardhurit e rinj”; nuk ka sesi të influencojë me anëtarësimet e reja. Polonia dhe Hungaria - të pranuara në vitin 2004, po presin “Brexit-in” e tyre. Ndërsa Greqia tani po dorëzon inventarin.

Kriza politike në Tiranë është dëshmuese e influencave joekzistente të BE. Sa për BE, “çadra” mbetet në bulevard, deri sa të kthehet në objekt arkeologjik. Njerëzia pret zgjidhje nga Shtetet e Bashkuara ose nga një “BE tjetër” - siç është shprehur hungarezi Viktor Orban - një nga më të famshmit mes euroskeptikëve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: