Emigrantët, procedurat që duhet të ndjekim për të përfituar shërbim shëndetësor

Emigrantët, procedurat që duhet të ndjekim për të përfituar shërbim shëndetësor
Takimi me mjekun e familjes duhet të jetë një nga procedurat e para që duhet të kryejë një emigrant i cili vendos të rikthehet në Shqipëri për të jetuar. Në rastet kur kjo procedurë harrohet, këta shtetas shqiptarë do të jenë të detyruar të paguajnë tarifat e përcaktuara nga sistemi i referimit.

Rasti

Emigrantët të cilët janë rikthyer për të jetuar në Shqipëri duhet të ndjekin tre hapa kryesore në mënyrë që të përfitojnë shërbim shëndetësor falas për mjekun e familjes dhe në rastet kur ata janë në marrëdhënie punë dhe të siguruar në të gjitha institucionet e tjera shëndetësore. Në rastet kur një persona apo familje nuk paraqitet pranë mjekut të familjes dhe të pajiset me kartë shëndeti atëherë duhet ë paguajë tarifat e përcaktuara nga sistemi i referimit. I tillë ishte edhe rasti i Marsela Kekajt e cila iu desh të përballej me një sërë faturash dhe pagesash vetëm e vetëm se nuk kishte kryer procedurat e regjistrimit tek mjeku i familjes në zonën ku jetonte. “Pas 12 vitesh emigracioni në Greqi vendosëm të kthehemi në Shqipëri. Ne jemi me origjinë nga Vlora, por duke parë se Tirana kishte më shumë mundësi për biznesin tonë që do të hapnim u vendosëm në Tiranë.  Pas një viti bashkëshorti im filloi të kishte probleme shëndetësore me zemrën. Por sa herë që shkonim në spital dhe në poliklinikë për vizitë, herët e para gjithmonë paguanim pavarësisht se ishim të siguruar” pohon Marsela. Sipas saj, kontrollet e përgjatë muajit të parë dhe të dytë ishin të shumta dhe pagesat po ashtu. “Ishte koha kuvende nuk ishte kryer ulja e pagesave edhe për mjekun specialist në spital duhet të paguaje 30 mijë lekë ( të vjetra). Por sa herë i kam paguar” tregon 35-vjeçarja, ndërsa thekson se një prej infermiereve i kishte treguar rrugën që duhet të ndiqte në mënyrë që të përfitonte shërbim shëndetësor falas.

Procedura

Por çfarë rruge duhet të ndjekë një emigrant i rikthyer në Shqipëri, për të përfituar shërbim shëndetësor falas në rastet kur është i siguruar dhe tarifat që duhet të përballojë kur nuk është i siguruar.  Hapi i parë është takimi me mjekun e familjes në zonën ku jeton. Hapi i parë është takimi me mjekun e familjes dhe hapja e kartelës personale të çdo presioni, duke e regjistruar në regjistrin themeltar të banorëve që ky mjek mbulon me shërbim shëndetësor. Me hapjen e kartelës tek mjeku i familjes qytetari ka të drejtë të përfitojë shërbime bazë siç është vaksinimi, planifikimi familjar, kujdesi për gratë shtatzëna, fëmijët e porsalindur si dhe depistimi. Po kështu nëse një person është i regjistruar tek mjeku i familjes, shteti merr përsipër të mbulojë edhe shërbimet mjekësore për të sëmurët me sëmundje tumorale.

Hapi i dytë është kërkimi i statusit të tij sipas ligjit të sigurimeve shëndetësore. Dokumentet që duhet të paraqiten nga personi në mënyrë të tillë që të përcaktojnë kategorinë sipas ligjit janë, libreza – i siguruar aktiv kur është i punësuar, vërtetimi nga Zyra e Punës – kur është i regjistruar si punëkërkues, vërtetimi i  asistencës kur është në asistencë, vërtetimi i ndihmës ekonomike, libreza e pensionit kur ka dalë në pension. Kurse për fëmijët certifikatë në rastet kur ata janë të moshës 0-16 vjeç, etj. (sipas ligjit fëmijët 0-16 janë të siguruar sepse përfshihen në kategoritë pasive që shteti paguan)

Hapi i tretë që duhet të ndjekë një emigrant i rikthyer në vendin tonë është pajiset me kartë shëndeti. Me anë të një karte identiteti dhe një dokumenti të dhënë nga mjeku i familjes ku shkruhet numri i kartelës, qytetari paraqitet pranë sporteleve të Fondi të të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për tu pajisur më kartë shëndeti. Me pas vjen hapi i fundit cili është zbatimi i sistemit të referimit. Sipas këtij sistemi, çdo pacient fillimisht duhet të paraqitet pranë mjekut të familjes për të shkuar më pas tek mjeku specialist i poliklinikës- më pas tek spitali i rrethit, nga aty tek spitali rajonal dhe më pas tek spitali universitar duke pasur në mënyrë të detyrueshme rekomandimin e mjekut të familjes ose të përgjithshëm, kartën e shëndetit dhe një dokument identifikimi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: