Eurostat: Shqipëria, sa pak rrugë e autostrada

Eurostat: Shqipëria, sa pak rrugë e autostrada
Instituti Evropian i Statistikave e rendit Shqipërinë si vendin e fundit në rajonin e Ballkanit përsa i përket kapacitetit ekzistues të rrjetit të saj infrastrukturor, konkretisht për numrin e rrugëve, autostradave dhe të hekurudhave

Eglantina Nasi

Vendi i fundit në rajonin e Ballkanit përsa i përket rrjetit të saj infrastrukturor. Ky është pozicioni që i ka rezervuar Shqipërisë, Instituti Evropian i Statistikave (Eurostat) sa i përket numrit real të rrugëve, autostradave dhe të hekurudhave në territorin e saj, në krahasim me fqinjët tanë që synojnë njësoj si edhe ne integrimin drejt Bashkimit Evropian.

Konkretisht, Eurostat citon se rrjeti rrugor shqiptar (pa përfshirë autostradat) është më i shkurtri në rajon, respektivisht me 3.947 kilometra në total. Kundrejt shifrave tejet të larta të këtij treguesi që kanë vendet e tjera të rajonit, të tilla si Serbia me 44.995 kilometra; Mali i Zi me 8.614 kilometra; deri tek Maqedonia e cila disponon 14.256 kilometra rrugë apo Turqia plot 236.617 të tilla. Ndërsa në tërësi, hapësira e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian raportohet se zotëron një rrjet rrugor prej 4.778.000 kilometrash.

Gjithashtu, edhe densiteti i rrugëve në Shqipëri për km² rezulton të jetë mjaft i ulët, respektivisht në nivelin prej 137 metrash, më i ulët krahasuar edhe me Kosovën përshembull që e ka këtë tregues në nivelin prej 185, apo edhe tre vendet e tjera të Ballkanit, Serbi, Maqedoni apo Mali i Zi, të cilat e kanë atë rreth nivelit prej 500 metra për km². Për të qenë akoma edhe më larg mesatares së këtij treguesi për vendet e anëtare të Bashkimit Evropian që e kanë atë në nivelin prej 1.1 kilometër për km².

Kurse referuar dendësisë së rrugëve kundrejt numrit të banorëve, Eurostat referon se sërish Shqipëria paraqet një nivel inferior, vetëm 1.4 kilometra për çdo 1000 banorë. Krahasuar ai me një shifër mjaft të lartë të këtij treguesi siç e ka përshembull Mali i Zi, deri 13.8 .4 kilometra për çdo 1000 banorë, i cili ia kalon edhe vetë mesatares së Bashkimit Evropian, i cili është 9.5 kilometra për çdo 1000 banorë.

Sikundër, një vend mjaft të ulët zënë vendet e rajonit në tërësi, duke përfshirë edhe Shqipërinë sa u përket autostradave të ndërtuara në territoret e tyre.

“Gjatësia e autostradave në vendet kandidate për zgjerimin është e barabartë me më pak se 5% e gjatësisë totale të rrjetit të autostradave të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, citon saktësisht Eurostat-i lidhur me një tregues të tillë. Duke i dhënë Shqipërisë vetëm një gjatësi prej 3 kilometrash autostradë në total, kundrejt 216 të tillave në Maqedoni, 693 në Serbi, deri edhe 2159 në Turqi.

Të fundit në renditjen evropiane dhe

  për hekurudhat e dendësinë e tyre

Shqiptarët rezultojnë të jenë të fundit në renditjen evropiane, krahas turqve edhe sa i përket numrit të hekurudhave dhe dendësisë së tyre. Kështu, referuar gjithmonë shifrave të Eurostat-it, rezulton se Shqipëria kap një shifër prej vetëm 13.2 metrash hekurudhë për km² dhe 0.13 kilometra për çdo 1000 banorë.

Nivel mjaft i ulët ky po të krahasohet me atë të Serbisë e cila i ka këta tregues respektivisht prej 48.6 metra për km² dhe 0.53 kilometra për çdo 1000 banorë; apo me Maqedoninë me 27.2 metra hekurudhë për km² në territorin e saj apo 0.34 kilometra hekurudhë për çdo 1000 banorë etj.

“Turqia dhe Shqipëria raportojnë nivelet më të ulëta për rrjetet e tyre hekurudhore”, citojnë saktësisht ekspertët evropianë lidhur me këtë tregues, teksa shtojnë për vendin tonë edhe një tjetër karakteristikë, atë të amortizimit të rrjetit ekzistues hekurudhor.

INSTAT:

Transporti, shtohen udhëtimet në ajër dhe det

Transporti ajror dhe ai detar po kthehen në dy preferenca të dukshme për shqiptarët gjatë kohëve të fundit. Një dukuri kjo e konfirmuar nga ekspertët e Institutit të Statistikave në një raport të fundit të tyre, sipas të cilit, udhëtimi i shqiptarëve përmes duke zgjedhur avionët dhe tragetet po njeh një rritje të tyre. Krahas transportit rrugor, i cili ka njohur ritme të shtuara të tij vitet e fundit në tërësi, pas rritjes së numrit të mjeteve të qarkullimit.

“Në transportin ajror operojnë 15 shoqëri fluturimi dhe janë kryer 1.554 fluturime ajrore, duke shënuar një rritje me 3,6%, ndaj shkurt 2016”, pohon INSTAT për muajin shkurt të këtij viti lidhur me situatën e fluturimeve ajrore.

Kurse në lidhje me transportin detar, po të njëjtët ekspertë pohojnë se për muajin shkurt të këtij viti “numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 43.176 persona”. Duke shtuar se krahasuar me  muajin shkurt 2016, ky tregues është rritur në nivelin prej 5.7%.

Por edhe për hekurudhat në tërësi, INSTAT raporton një rënie të transportit të mallrave përmes tyre. “Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë, është rritur me 93.5%, krahasuar me muajin shkurt 2016”, citon INSTAT-i.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: