Fokusohu te objektivat e tua, oj gocë!

Fokusohu te objektivat e tua, oj gocë!
 

nga Juela Meçani

Takoj një shoqe para disa ditësh. Është natyrë sportive, me klas, por e thjeshtë. Gjithmonë më shumë shikon përmbajtjen sesa fasadën. O, xhan! - më tha. - Nuk di çfarë të vesh, kemi festën e 8 marsit me kolektivin e punës në një restorant. Ehu, edhe ti! - i them. - Pse e vret kaq shumë mendjen, një ditë normale quaje. Aman, o shoqe se atë punë kanë! Të shohin të gjithë çfarë do veshim, e nuk dua të dukem keq!

Pasdite u vura në mendime. Festa e 8 marsit (festa???) është kthyer në makth. Çfarë do veshim, ku do të shkojmë, dhuratat për mësueset e fëmijëve, dhurata aty e këtu. Një turravrap i vërtetë fasadash. Se, në fakt, në këto festa të gjera me orkestër e ushqim të bollshëm, treçereku nuk durohen, shahen e luftojnë njëra-tjetrën tërë vitin, përveç se në 8 mars.

Në 8 mars, na mbledh bashkë gjinia, na mbledhin bashkë hallet e qejfet. Të nesërmen, sërish, mbijnë shefe që kur bëhen të tilla “shtrigërohen”, gra që drejtojnë institucione për të drejtat e grave, por në të vërtetë janë të parat që shtyjnë me bërryla dhe thonj cilëndo femër më të re apo më të aftë se ato, mbijnë motra që grihen e zihen për një pronë, shoqe që sapo nuk janë më të tilla, pështyjnë vrer si një megafon i prishur.

O, zot! Sa hipokrizi ka edhe kjo ditë! Në fakt është dita kur duhet më shumë se kurrë të bërtasim derisa të ngjiremi, se në këtë vend e jashtë tij, po shuhet çdo vit nga një fshat me gra, aq shumë vriten. Se në këtë vend e jashtë tij femrat e nënat e motrat kalojnë vështirësi të paimagjinueshme pas një divorci, se përplasen gjykatave për të drejtat e tyre e po gjykatëse gra nuk ua japin ato. Nuk kuptoj se pse duhet të zbukurohemi e ujdisemi, kur paragjykohemi nga mëngjesi në darkë për çdo liri të arritur me djersë.

Bashkë femrat e gratë? Po. Duhet të bëhen bashkë sepse kanë ujq të vjetër përpara që kur bie fjala te gratë, bëhen bashkë në tufë e nuk i mund dot. Por ato duhet të bëhen bashkë sinqerisht. A e bëjnë dot këtë? E vështirë por e mundur. Duhet kauza e duhur. Dhe kauza është mbijetesa. Sepse pa femër të qetë, që ndihet e hijshme, që ka arsim e ka dinjitet, bota ikën në drejtim të paditur. Plaket. Shuhet. A ka qëllim më të lartë se ky?

Por ja që e harrojmë, se ajo tjetra vishet më bukur apo ka një partner të pasur, se ajo tjetra përdor çdo mjet se e ka luftë për ekzistencë ndërkohë ti ke ende parime. E kundër kujt vallë po bëjmë luftë konkurrence? Kundër shpëtimtares së botës, po ta mendojmë mirë.

Ne jemi më të forta sepse jemi më të ndryshme nga njëra-tjetra. Ky është diamanti ynë. Po luftuam shumë njëra-tjetrën kemi luftuar veten. Është kjo esenca e të qenit grua. Ndaj një fustan më i bukur thjesht të vë vigjilencën në gjumë. 8 marsi është sfidë ndaj vetvetes. Është një ditë kur duhet të kuptojmë se ku jemi me objektivat tona. Në 8 mars duhet të jemi shumë egoiste sepse vetëm ashtu kuptojmë se edhe sa rrugë na duhet për të përmirësuar botën. Kështu që “focus on your goals baby girl”, thwnw shqip, fokusohu te objektivat e tua, oj gocë!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: