Formula e suksesit

Formula e suksesit
nga Meri Dishnica

Pse disa njerëz kanë sukses dhe disa të tjerë jo? Kjo pyetje pasohet nga pyetja tjetër e ngarkuar me kuriozitet: Çfarë i bën disa njerëz të kapin objektivat, të shkojnë drejt majës dhe pse disa të tjerë, thjesht, nuk munden?” Ne bëjmë gabim nëse priremi të mendojmë se këta njerëz të suksesshëm duhet të jenë me siguri disa qenie të jashtëzakonshme, me aftësi të papërsëritshme. Bëjmë gabim nëse besojmë se diçka e lindur i ka bërë të jenë thellësisht kaq të ndryshëm nga ne. Bëjmë gabim nëse e shohim suksesin si rrjedhoje e një predispozite dhe tërësisht të varur nga aftësitë personale, sepse, në fakt, nuk është kështu. Ka disa elemente që ndikojnë në arritjen e suksesit, të tillë si p.sh.,: mundësitë, background-i, kulturor, arsimimi, aftësitë personale, puna sistematike etj.

Mundësitë

Në fillimet tona, më shumë se çdo gjë tjetër, vlerësojmë një mundësi që na jepet, quaje fat, mundësi apo ç’të duash. Po të shohim me kujdes, në të gjitha biografitë e njerëzve të shquar të biznesit, por edhe të showbizit, vëmë re se atyre u është paraqitur një lloj mundësie e jashtëzakonshme, thuajse e pabesueshme.

Edhe pse një thënie e famshme e Albert Kamysë, thotë: “Ne jemi përmbledhja e zgjedhjeve tona”, duhet ta besojmë pjesërisht, sepse, në fakt, këtë shprehje duhet ta konceptojmë në këtë mënyrë: “Ne jemi përmbledhja e mundësive tona”. Njerëzit e suksesshëm duhet të kenë parasysh diçka të rëndësishme, të jenë modest dhe mirënjohës, për atë çfarë janë bërë. Me gjithë respektin që kam për ta, dhe pa i hequr asgjë aftësive të tyre dhe punës së fortë, them se ata, janë aty ku janë, sepse kanë qenë me fat. Ndoshta disa njerëz të suksesshëm mund të ndihen të zhgënjyer nga kjo gjë, pra, nga të besuarit se janë thjesht me fat, por të pranosh me zë të lartë rolin e mundësive nuk e bën suksesin më pak të vlefshëm, por, thjesht, bën që ta vlerësojmë më shumë suksesin dhe ta shohin si të veçantë…fati ju ka zgjedhur. Ne jemi mësuar ta shohim suksesin si virtyt, që do të thotë se po kështu dështimet i shohim si dështim personal…dhe bëjmë gabim, sepse dështimi është pjesë e rastësisë po aq sa edhe suksesi. Kështu do të ishte mirë që, sikurse të suksesshmit të vlerësonin mundësinë dhe fatin e mirë për suksesin e tyre, edhe më të pasuksesshmit do ishte mirë të gjenin shpjegime më bujare për dështimin e tyre.

Përparësitë

Njerëzit e suksesshëm kanë pasur shumë avantazhe që të tjerët nuk i kanë hasur në rrugën e tyre. Më shumë sesa klasi i lindur, background-it të privilegjuar dhe plot komforte, familjarë tepër mbështetës…këta njerëz të privilegjuar janë bërë të tillë, jo sepse ishin ata dhe s’kishte të dytë në botë, por thjesht kanë pasur shumë avantazhe specifike të lidhura drejtpërdrejtë me çfarë janë bërë në të ardhmen.

Është më shumë se kaq, është një detaj që bën ndryshimin. P.sh.,: Bill Gates është një shembull i gjallë i kësaj. Po, sepse e para erdhi nga një background i privilegjuar, plot me oportunitete. E dyta, u dërgua në një shkolle private, më pas nëna e tij drejtonte një fond dhe bashkë me nënat e fëmijëve të tjerë të shkollës private, në saj të punës së tyre, i ofruan mundësinë shkollës të kishte një kompjuter që në vitin 1968 (shumë me përpara se shkollat e tjera). Billit i pëlqeu kompjuteri dhe e kalonte kohën e lirë të dhoma e kompjuterit të shkollës. Pastaj u ndërtua një qendër për zhvillimin e kompjuterëve pranë shkollës së tij dhe meqë pronari ishte prind i një nxënësi të shkollës, nxënës të pasionuar ndërkohë si Billi, mund të ndiqnin vazhdimësinë e zhvillimit të teknologjisë së kompjuterëve, dhe bëhej fjalë për vitet ’70. Imagjinoni impulset pozitive dhe motivacionin e lartë që kanë shfaqur gjithë këto mundësi, tek një djalë i ri dhe veçanërisht i pasionuar pas teknologjisë. Mendoni sa adoleshentë të tjerë në botë mund ta kishin këtë mundësi. Vetë Billi ka thënë me sinqeritet  se jo më shumë se 50, në të gjithë botën. Ok, ai ishte djalë i zgjuar, fëmijë i zgjuar, por më thoni sa fëmijë të tjerë të zgjuar ka pasur, por që nuk kishin mundësitë e tij.

Dekada e ndryshimeve e cila të gjen potencialisht të motivuar, është vendimtare në mënyrën sesa i suksesshëm mund të bëhesh. Më konkretisht, ekzistojnë disa periudha në të cilat mund të të jepen mundësi të mëdha, që janë zakonisht kohëra ndryshimesh politike, teknologjike, kulturore, sociale. P.sh., vitet ‘70 kanë qenë gjithë mundësi në çdo fushë, por vetëm ata që ishin adoleshentë përfituan maksimalisht, sepse që në vitet ‘70 ishin më të mëdhenj, u gjendën jo shumë të motivuar dhe kishin ndërkohë karrierë, ata që ishin më të vegjël thjesht e humbën mundësinë. P.sh., Gates ka lindur në ’55-n dhe në atë periudhë ishte një adoleshent virtuoz.

Na ndodhin shumë gjëra në jetë, shumë ndodhi dhe na ofrohen shumë apo pak mundësi, por një faktor i rëndësishëm është koha në të cilën na jepen këto mundësi, gjatë të cilës të kemi marrë ndërkohë njohuritë e duhura për ti dalluar dhe për ti shfrytëzuar si duhet.

Ekziston edhe një faktor i cili është krejtësisht i pakushtëzuar, është viti i lindjes, a ju besohet? Le ta konkretizojmë, datëlindja (kjo është rastësore dhe ne nuk mund ta zgjedhim) p.sh., është vënë re se: nëse dy fëmijë nisin shkollën në klasën e parë që zakonisht fillon kur janë 6 vjeç, por nëse njeri i ka bërë 6 në pranverë dhe tjetri i bën disa ditë para se të fillojë shkolla. Ata janë të dy në një klasë edhe pse mund të kenë vetë disa muaj diferencë, kjo bën ndryshim të madh në termin e zhvillimit. Fëmija më i madh do të jetë më i shpejtë në lexim, shkrim apo lojëra, vetëm sepse është më i madh. Ai do të jetë më i përfshirë, do ti jepen më shumë stimuj që do ta zhvillojnë dhe motivojnë më shumë…vetëm sepse është disa muaj më i madh, vetëm sepse thjesht mundet. Pra, të kesh disa muaj më shumë moshe, në fillim të vitit akademik, është ndërkohë një përparësi që mund të ndikojë në gjithë karrierën e mëvonshme akademike.

Puna sistematike

Çfarë mund të mësojmë nga këta njerëz dhe udhëtimi i tyre drejt majave, është puna sistematike. Psikologët kanë argumentuar prej kohësh për ekzistencën dhe rëndësinë e talentit të lindur. Nuk ka dyshim që ekziston, por është një faktor më pak i rëndësishëm i suksesit duke u krahasuar me përgatitjen sistematike dhe punën e fortë. Një nga aftësitë personale që do të duhet të vlerësoni te vetja është puna e madhe dhe e vazhdueshme.

Është kryer një studim me disa fëmijë që e pëlqenin muzikën dhe ishin të gjithë njëlloj të talentuar. Pas disa vitesh vetëm dy ishin bërë shumë të famshëm, disa të tjerë ishin bërë muzikantë të mirë dhe pjesa tjetër nuk ishte më shumë se mësues muzike. Diferenca nuk ishte talenti por prirja për tu ushtruar më shumë, gati dyfishin e kohës, në krahasim me të tjerët. Ideja e të qenit ekselent në një fushe kërkon së paku një nivel minimal praktikimi vazhdimisht dhe vazhdimisht. Praktikimi, puna sistematike është njësoj e vlefshme dhe nuk ka rëndësi nëse je programues kompjuteri, violinist apo shkrimtar.

Pra, është e vërtetë që duhet të punosh shumë fort që të kesh sukses, por duhet gjithashtu të të jepet mundësia që të punosh shumë…dhe jo të gjithë e kanë. Sepse ai i suksesshmi ka pasur mundësi që të tjerët nuk i kanë pasur dhe këto mundësi nuk lidhen me personalitetin e tij, talentin apo me aftësitë personale.

Pra cili është sekreti i njerëzve të famshëm…asnjë. Po, po asnjë sekret. Thjesht ata janë përkëdhelur nga disa faktorë si oportunitetet, background-i, kultura, me shumë sesa talenti dhe aftësitë…duke u pasuar nga lidhjet sociale të duhura, njerëzit e privilegjuar që kanë takuar, komuniteti ku jetojnë, dekada kur kanë lindur dhe një erë e mirë fati.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: