Fqinji është një lloj vëllai

Fqinji është një lloj vëllai
Nga Rovena Dilo

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Kur ka qenë hera e fundit, që keni menduar: Çfarë budallallëku është, e gjithë kjo farsa e urrejtjes ndaj grekëve, apo grekëve, ndaj nesh.

Mua sapo me ndodhi, vetëm para pak minutash.

Jam në Festën Kombëtare të Greqisë dhe, me sa duket, gjindja qenka për marshalla! Ndërsa prisnim të shtrëngonim duart, me të gjithë pjesëtarët e trupit diplomatik grek në Tiranë, sinqerisht, nuk e kisha menduar se pjesëmarrja do të ishte kaq e madhe dhe gazmore! I thashë vetes: Ej, vajzë e mbarë, pse çuditesh! Flitet për fqinjin më të afërt.

Po, atmosfera ishte fantastike. Të ftuarit sikur zukasnin, përshëndeteshin, trokisnin gotat, flisnin me zë të lartë, qeshnin.

Nuk e di pse, por ndihej shumë pozitivitet.

Shqiptarë dhe grekë, të përzier nga festa dhe nga gjithë të tjerat që i bëjnë të jenë bashkë, pashmangshmërisht, dukeshin njëlloj.

Dhe tek i shihja ashtu, me buzagaz, mendja me shkoi padashur te mëritë. A ekzistojnë vërtet, apo ndonjë arsye, jashtë interesit të dy popujve tanë, i pjell.

Pse duhet ta urrejë një grek, një shqiptar dhe anasjelltas. A ka shkak kjo ndjenjë konsumuese?

Po të shihje skena si festa e sotme, do ta kuptoje patjetër që s’ka asnjë arsye.

Jo, asnjë! Unë njoh mjaft grekë dhe më vjen mirë të them që, asnjë prej tyre, me mend në kokë, s’e urren një shqiptar dhe, po kështu, asnjë shqiptar normal, s’mund të ketë probleme keqdashëse me një grek.

Çdo episod i nxitur nga media dhe politikisht rrëzohet, po të jesh dëshmitar i një dollie të vogël, që ngrihet në çdo tryezë fqinjësh.

Dhe, besomëni, e dini sa të tilla ka? Ne, fqinjët, hamë vazhdimisht bashkë. Pra, ulemi në tryeza buke me njëri-tjetrin, shumë më tepër seç mund të imagjinohet.

Ngremë dolli, po aq shumë, dhe s’besoj se ka shqiptar që nuk di, a s’e ka përdorur qoftë edhe njëherë "jasun" e grekëve. Ne jetojmë, përditë, me njëri-tjetrin si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri. Jemi me qindra e me mijëra. Jemi më lart se çdo politikë që kërkon të na nxisë e të na ndërsejë kundër. Pra, ku t’ia gjejmë vendin urrejtjes apo mërisë... As që ekziston.

Është vetëm një relike që, ndonjëherë, kujtohet dikush ta ç’pluhurosi.

Po reliket nuk vlejnë në kohën e konsumizmit dhe të ritmit frenetik që vetë jeta jonë ka.

Njerëzit duan të jetojnë.

As që e kanë mendjen te budallallëqet e fanatikëve e të shovinistëve që, në momente planesh të errëta, sikur mbijnë prej vetvetiu!

Për secilin nga ne, këtu në Shqipëri, është më e rëndësishme të bëjë planet e verës dhe të shikojë si do të sistemoje buxhetin për pushimet që po trokasin. Pas vendit tonë, me bregdetin e dashur, Greqia është mundësia e dytë më e sigurt, pastaj të tjerët me radhë.

Askush nuk duket se e ka mendjen në retorika boshe, urrejtjesh dhe luftërash... As e ka dhe as do ta ketë! Se, larg qoftë, po u dogj fqinji, zëre se na ka ardhur zjarri edhe neve! Këtë e di çdo shqiptar dhe çdo grek.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: