Gështenja, dobitë dhe përdorimet

Gështenja, dobitë dhe përdorimet
Gështenja është një bimë mjaft e përhapur jo vetëm në Evropë, por edhe në vendin tonë. Falë përbërësve të saj, përdorimi i gështenjës në mjekësinë popullore është i njohur dhe mjaft i përhapur. Kokrrat e gështenjës kanë vlerë të lartë ushqyese e dietike. Ato përmbajnë rreth 40 për qind niseshte kur janë të freskëta.

Gështenjat përdoren të freskëta, të ziera, të pjekura ose të përpunuara. Kokrrat e gështenjës, të ziera a të pjekura, kanë veti të mira rrudhëse dhe rregullojnë funksionimin e stomakut dhe të zorrëve, treten lehtë dhe ndihmojnë në tretjen edhe të ushqimeve të tjera duke aktivizuar organet dhe gjëndrat e tretjes. Përdoren me efekt të mirë në rastet e heqjes së barkut ose diarresë. Veçanërisht këshillohen për fëmijët e vegjël disavjeçarë për të normalizuar procesin e tretjes kur karakterizohet nga mjaft çrregullime.

Vaji i gështenjës është një tjetër vaj esencial i cili këshillohet të përdoret, si një element i rëndësishëm në mjekimin tradicional të disa sëmundjeve.

Ai ka gjetur përdorim të gjerë në sëmundjet reumatizmale. Me vajin e gështenjës për të larguar dhembjet duhet të fërkohet vendi i sëmurë dhe kjo mund të përsëritet disa herë në ditë pa probleme të dëmshme.

Gjethet e gështenjës kanë gjetur një përdorim të mirë si zbutës të rrugëve të frymëmarrjes dhe qetësues të kollës. Çaji me gjethet e gështenjës ka veti tonike dhe jep rezultate të mira në stomak si tretës dhe si nxitës për hapjen e oreksit. Bën mirë posaçërisht kundër heqjes (shkuarjes) së barkut. Ndikon edhe për uljen e temperaturës.

E.G/Afp.al

Shpërndajeni me miqtë tuaj: