Hajrije Rondo, një rrëfim për luftën me sëmundjen dhe garën me veten

Hajrije Rondo, një rrëfim për luftën me sëmundjen dhe garën me veten
EKSKLUZIVE/ Intervistë me "Mjeshtren e Madhe": Arti i takon popullit, jo individit

Komedia "Tre dhëndurët" vepër e Dionis Bubanit që pati sukses në skenën e teatrit të Metropolit gjatë sezonit artistik, 2016, kishte si kryefjalë aktoren e mirënjohur Hajrije Rondo. Vepra erdhi me regji të Sonila Kapedanit. Ajo që e bëri interesante në sytë e spektatorit ishte ardhja sërish në skenë e aktores së njohur Hajrie Rondo me rolin e Sanijes. Roli në komedinë "Tre dhëndurët" ishte i dyti i Hajrijes brenda dy viteve të fundit, pas rolit në një tjetër shfaqje në skenën e teatrit "Bylis".

Dalja në skenë e Hajrijes kur komedia hapi siparin u prit me duartrokitje. Ky rol e bashkoi atë me brezin e ri, por dhe me shokët dhe shoqet që kishte kohë pa i takuar. Hajrija thotë se e mirëpriti, pasi ishte brenda të gjithë aftësive dhe karakteristikave të saj të interpretimit. Në këtë bisedë me gazetën “Albanian Free Press”, Hajrije Rondo flet për jetën e saj artistike dhe jo vetëm

Intervistoi për Albanian Free Press: Albert Z. Zholi

“Tre dhëndurët”, një komedi e bukur, një rol po aq i bukur si erdhi roli tek Hajrija?

Mund të them se "Tre dhëndurët" për mua është një komedi e shkëlqyer karakteresh e situatash, të vendosura në një familje shqiptare gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kur e rilexoja tekstin, pashë që ishte shumë brenda meje, sikur të ishte shkruar enkas. Ajo që vlen për të theksuar është puna dhe gërmimi i regjisores për ta nxjerrë këtë komedi nga pluhuri i harresës. E them këtë, pasi kjo komedi është shumë aktuale dhe sot. Me këtë vepër Dionis Bubani, ka treguar vlerat e tij të veçanta krijuese në gjininë e komedisë dhe e bën atë një nga komedianët më të vlerësuar në çdo kohë.

Si punove në këtë rol?

Punova si tek gjithë rolet e tjerë por më me dëshirë. Punova me mall me emocion. Doja të mposhtja dhe sëmundjen. Vija e para në prova. Mundohesha të isha korrekte. Vura veten në provë dhe pse isha me kimioterapi. Por lamë që unë të kisha dublante nëse nuk do të isha mirë. Ashtu u bë. Ditët që nuk isha unë, provat i bënte dublantja, një vajzë e talentuar nga Fieri, që punonte shumë. Edhe kur nuk shkoja në prova, unë në shtëpi bëja vetë prova apo riprodhoja pjesën. Isha në garë me veten. Pra përgatitesha në shtëpi që të shkoja në prova e përgatitur. Provat zgjatën rreth 37 ditë. Por dhe të gjithë aktorët e rinj, ishin të gjithë të dëgjueshëm, ishin kokulur dhe pranonin vërejtjet.

Nga kush more vlerësimin më të mirë për këtë komedi?

Nga Marjeta Larja. Ajo e ndoqi që në premierë komedinë. Atë ditë kishin ardhur edhe Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Marjeta Larja, Merita Dabulla, etj.. Fjalët që më tha Marjeta ishin: "Dëgjo, 5 minutat e para u mora me pamjen tënde, me atë që dinim që ishe sëmurë, por kur ti fillove të luaje, harruam çdo gjë, dhe shikonim Hajrijen aktore. Ishte një mrekulli. Të uroj me zemër. Një rol që e çove në fund në mënyrë triumfale". Të them të drejtën ato fjalë më ngrohën pasi Merita nuk të vlerëson kollaj, ndaj them se atë rol e shijova. Në të vërtetë para se te dilja në skenë i thashë vetes: Hajrije, ose dil ose rri. Mos dil që të të mëshirojnë, por dil që të tregosh vlerat që ke. Po dilja në skenë kur mbi vete kisha mbi 38 vjet karrierë. Pra nuk dola për gjynah, dola të tregoj se profesioni është jetë. Pra në këtë rast më dha Jetë-Jeta.

Në disa aktivitete ju kam parë që interpretoni shumë bukur poezi, madje ju kam parë që mbani letra me poezi. Mos vallë janë tuajat?

(qesh). Po të miat janë. Janë poezitë që bëj vetë në kohë të ndryshme.

Keni botuar ndonjë poezi? Sa të tilla keni në dorëshkrim?

Jo, nuk kam botuar. As e kam shkuar në mend. Por duhet ët dish se poezia ka lindur bashkë me mua. Është bashkudhëtare e jetës sime. Pra tek unë është sa vjeç jam unë. Kam shkruar që ën vogëli dhe i kam ruajtur në shtëpi, Por më vjen keq se disa i kam humbur. Poezia më jep forcë, më jep gjykim të ftoftë, më motivon, më përcjell tjetër atmosferë në vetvete. Nuk e di sa poezi kam por di që janë shumë. I kam ashtu në dorëshkrim. Herë pas here i lexoj, rilexoj por edhe bëj ndryshime. Lexoj shumë poezi dhe duke lexuar shumë shoh se ku dhe çfarë mund të ndryshoj. Bashkëshorti më thotë botoi. Po kështu edhe vajza, por unë hezitoj. Mendoj se nuk kanë aq vlerë artistike sa poezitë e poetëve të mirë.

Po tematika e poezive ka të bëjë vetëm me filmin dhe teatrin?

Jo, jo. Temat janë nga më të ndryshmet, për dashurinë, familjen, natyrën, vendlindjen, fëmijët, por edhe problemet sociale. Pak kanë të bëjnë me filmin dhe teatrin. Shkruaj kur më vjen frymëzimi. Kur lëviz dhe shikoj diçka që më pëlqen. Poezia më jep forcë por edhe më lehtëson nga shumë halle. Kur mërzitem, kur lodhem mundohem të shkruaj poezi. Dhe vërtetë kur marr lapsin dhe shkruaj hyj në një botë tjetër. Kjo më bën që të harroj çdo gjë. Madje edhe dhimbjet kur jam sëmurë. Poezia në këto raste është adrenalina ime. Më duket se më heq si me magnet shumë shqetësime. Pastaj para se të bie të fle filloj i lexoj. Madje ja lexoj dhe bashkëshortit. Ai i pëlqen dhe më thotë botoji. Unë stepem, Por ndoshta atij i duken se unë pasi janë poezitë e mia, mundohem ti interpretoj më bukur (qesh). Por po i shoh dhe njëherë, po i shoh. Edhe mua po më mbushte mendja se nuk duhet të rrinë aty në sirtar të zverdhura nga koha. Mbase e kanë dhe ato vlerën e tyre.

Gjithë këto role, tashmë dhe pse jeni në pension keni jetë aktive. Jeni ftuar në shumë filma dhe në teatër. Keni ndonjë peng? Pra ndonjë rol që të ka ngelur peng?

Besoj se deri tani jo, se pengu i artisti është ai rol që duhet të bëj më të ardhmen. Pra pengu shkurt është: Rolin më të mirë nuk e kam bërë. Rolet shumë herë nuk komandohen, nuk i porosit, por të vijnë nga regjisorët. Ndaj unë mendoj se kam kohë ende që të mos ngelem me pengje. Përderisa po aktroj, punoj, them që do ti realizoj çka kam dëshirë. Mbase rolin më të mirë e kam përpara.

Keni qenë jashtë shtetit këtë kohë?

Po, kam qenë në Greqi e ftuar në një aktivitet nga gratë emigrante, ose më mirë e ftuar tek Konferenca e parë e grave emigrante në Greqi që u zhvillua ën Athinë. U mblodhën nga të gjitha shoqatat e grave në Greqi që nga Selaniku, Patra, Janina, Kreta në lokalin "Orfeus". Ishin rreth 500 gra. Më bri përshtypje pritja e tyre. Unë bëra një përshëndetje duke bërë prezent arritjet e tyre, që dhe në emigracion ato mundën të mbajnë traditat zakonet e vendit. Ato kanë treguar aty vlerat më të mira të grave shqiptare. Aty takova dhe çiftin Haxhijani nga Saranda, Theofil dhe Violeta Haxhijani. Ishte një aktivitet i madh që për mua mbetet unik. Njëkohësisht takova dhe këngëtaren Sofika Hodo e cila mbetet një këngëtare e mirë dhe ka munduar të tregojë vlera dhe në emigracion. Ishin disa ditë të bukura dhe plot takime mbresëlënëse me njerëz që kurrë nuk prisja ti takoja në atë vend. Rastësia mbreti i botës. Dolëm fotografi të panumërta dhe pashë se si respektonin artin shqiptar në emigracion duke më përcjellë shumë mbresa nga ato që shihnin në kanalet shqiptare.

 

Filmat me Dhimitër Anagnostin

Me regjisorin e talentuar Dhimitër Anagnosti ka luajtur dy filma "Përrallë nga e kaluara" dhe "Vëllezër dhe shokë". Për Hajrijen, Anagnosti mbetet një regjisor i talentuar, një regjisor vizionar dhe plot ide. Dy bashkëpunimet e saj me të kanë qenë nga më të bukurat dhe më mbresëlënëset. "Përrallë nga e kaluara", ku Hajrija luan Tanën, për vetë temën që ka trajtuar dhe interpretimin e të gjithë aktorëve mbetet një ndër filmat më të realizuar dhe më të komentuar në Shqipëri.

 

Rolet dhe karriera

Ka realizuar plot 132 role në 38 vjet karrierë. Delvina, qyteti i lindjes i ngjizi brenda vetvetes dashurinë për aktrimin, për të vazhduar studimet në Tiranë dhe për të vazhduar rrugën e suksesit në Fier. Ajo përjetoi vitet më të bukura me teatrin "Bylis", vitet në të cilat kjo trupë u kthye në një shkollë të vërtetë për teatrin shqiptar. Energjike, këmbëngulëse, e palodhur, studiuese këto janë tiparet kryesore të Hajrijes.

"Mulliri i Kostë Barbit" ishte roli i saj i parë. Ishte roli i një vajze, ku tema e dramës ishte nga LANÇ. Ishte në vit të dytë. Ky rol duket se i hapi rrugën e skenës. Pastaj... "Mosha e Bardhë" e Mihallaq Luarasit. Në këtë dramë kishte rol kryesor, sërishmi rolin e një vajze. Nga roli në rol e ndjente veten më të sigurt. Tek "Regjisori" i Gogolit që e vuri në skenë Birçe Hasko, kishte një rol karakteri. Gruan e një mekaniku. Kishte një rebelim kjo grua pasi i kishin hequr burrin nga puna.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: