Kur arti ilustron veset e pushtetit

Kur arti ilustron veset e pushtetit
nga Juela Meçani

“Pushteti i karriges” dhe “Upside-Down” me ide dhe koreografi nga Eltion Merja dhe producente Rovena Dilo, na përballën me vesin, shoqërinë dhe dilemat e pushtetit në sallën e Akademisë së Artit.

Një publik elitar, shumë artistë, shkrimtarë, njerëz të dijes ulur dhe një skenë me pak ngjyra, drejt grisë dhe të zezës. Personazhi na shfaqet pas hapjes së perdes, i thjeshtë, vetëm me të brendshme, pa vese, pa ngarkesa. Muzika rrit ritmin bëhet më e fortë dhe balerinë të tjerë i bashkohen personazhit, siç përpiqet turma të ndryshojë apo ndikojë. E vesh, me kollare, xhaketë, pantallona. E vesh me pushtet.

Një karrige. Në fillim e thjeshtë, më pas me drita të forta. Personazhi dashurohet me karrigen pas një flirtimi me të. E prek, e shtyn, e prek sërish. Karrigia bëhet një me personazhin. Turma kërkon nga ti, ti kërkon nga turma. Paraja nga një valixhe. Paraja që të sjell femrën, por jo dashurinë. Paraja që në fund të merr jetën.

Pauzë dhe një pjesë e dytë me motive orientale. Një violinë dhe një endacak. Një biznesmen barkfryrë që nuk jep lëmoshë e një tjetër që e ndihmon. E ndërkohë i trashuri nga pushteti dhe paraja, e lë jetën e paranë peng në kazino. “Pushteti i karriges” dhe “Upside-Down” me ide dhe koreografi nga Eltion Merja dhe producente Rovena Dilo, na përballën me vesin, shoqërinë dhe dilemat e pushtetit në sallën e Akademisë së Artit.

Një balet kontemporan por mjaft realist, kostumografi e thjeshtë për të mos rënduar mesazhin, një muzikë me pathos, ndriçim shumë i goditur. Një koncept i ri në artin shqiptar që guxon të afrojë baletin kontemporan tek të gjithë. Menduam që ta shikonim, të reflektonim mbi të e të merrnim përshtypjet e vetë realizuesve të shfaqjes.

Rovena Dilo: Pushteti absolut është i shpirtit, jo i karriges

Producenten Rovena Dilo e takojmë pas shfaqjes, ajo ka emocion por është e qetë nga kritika dhe vlerësimi nga miqtë, kolegët, publiku. E shkëpusim për pak çaste nga bashkëpunëtorët e saj.

AFP: Sa janë identifikuar shoqëria shqiptare dhe problemet e saj në këto dy pjesë baleti?

Unë kam ndihmuar për ta konkretizuar libretin e pjesëve të baletit. Ndjesia dhe sensibiliteti që ka pasur ideatori dhe koreografi i pjesëve të baletit, Eltion Merja, është një lloj proteste e tij, një lloj reagimi i tij   i brendshëm i shprehur në art, ndaj vesit njerëzor. Pushteti i parasë dhe i karriges janë vese dhe dobësi të njeriut, veçanërisht të kohëve që jetojmë. Ky njeri i sotëm gjithçka e ndërton mbi këto të dyja, pra, nëse do të kishte mundësi do të ngrinte çdo gjë mbi pushtetin e karriges dhe parasë, duke menduar fatkeqësisht se këto janë vlerat më të mëdha që nuk tjetërsohen dot.

Unë ndërkohë mendoj që nuk është kështu, pushteti absolut, mendoj unë është pushteti i shpirtit, pushteti i personalitetit, pushteti i ideve të tua dhe më të mëdha se këto mendoj se nuk ka asgjë tjetër. Karrigia dhe paraja, në të vërtetë, vejnë dhe vijnë, pavarësisht se, në momentin që i rrokim, ne na duket sikur janë të përjetshme tonat.

Mbi këtë ide unë mendoj se kjo është arsyeja që këto dy pjesë godasin në plagë, janë shumë sociale dhe realiste. Eltioni është një koreograf realist, nuk është as abstrakt e as konceptual. Ai është shumë i drejtpërdrejtë, karakteristike për realitetin e artit shqiptar. Edhe këngët e mia po ti keni vënë re, janë shumë të drejtpërdrejta. Kjo më ka bindur që ta mbështes në ato që realizon.

AFP: Do të pasohet ky projekt i juaji si producente, me projekte të reja?

Unë, Eltion merja dhe disa miqtë tanë kemi themeluar një fondacion artistiko-kulturor i quajtur “Arku” i cili ka për qëllim krijimin dhe realizimin e veprave të ndryshme, ndër to edhe me karakter koreografik. Ne duam ta zgjerojmë gamën e tipologjive të projekteve tona artistike. Dhe shpresoj që në këto projekte, të vogla apo të mëdha qofshin, të kemi më shumë përkrahje nga institucionet e kulturës.

AFP: A patët mbështetje në këtë projekt nga institucionet apo biznesi?

Në këtë shfaqje përkrahja nuk ka qenë gjithmonë materiale, dikush na ka mbështetur me postera apo fletushka, dikush me qiranë e sallës. Ministria e Kulturës na ka dhënë një mbështetje të vogël. Por kjo mbështetje nuk na lejon të shpërblejmë apo kënaqim siç duhet ata që kanë punuar në këtë projekt. Feedback-u financiar nga këto projekte, është për të qarë hallin në Shqipëri. Vetëm balerinë janë dhjetë, është një grup i gjerë artistësh dhe teknikësh që kanë punuar për këtë shfaqje.

AFP: Kjo gjë nuk ju ka bërë pesimiste për projektet e reja?

Pavarësisht se përfitimi financiar është shumë i vogël, unë mendoj që ka një lloj përfitimi tjetër, i cili të çon më përpara në mundësitë e projekteve të reja që ti do të bësh, sepse kur del me sukses, si në këtë rast, përben një CV shumë të mirë që ti paraqet, hapen sy, hapen krahë, hapen dyer. Po e more me zhgënjim dhe pesimizëm nuk ndihesh e plotësuar. Por duhet të shohësh më përpara, me largpamësi, ne i duam rezultatet sot për sot por në art nuk duhet të jetë kështu. Ajo që ti bën duhet të mos të të zhgënjejë, të mos mendohesh nesër dhe unë gjithmonë kur kthej kokën pas me projektet artistike, nuk zhgënjehem kurrë.

 

Eltion Merja: Ju rrëfejmë sa vlerë ka dinjiteti përpara parasë

Eltion Merja, ideatori dhe koreografi i të dy pjesëve të baletit, i diplomua në Degën e Koreografisë në Akademinë e Arteve në vitin 2009. Pas një eksperience disa vjeçare në Itali si koreograf dhe balerin me kompaninë “Padova danza” dhe në turin botëror të koreografit të njohur amerikan Anthony Heini dhe kompanisë “eVolution dance theater”, Eltioni ideon veprën  e tij të parë “Pushteti i karriges”. Eltionin e gjetëm mbi skenë, me kolegët e trupës, duke diskutuar mbi përshtypjet mbi shfaqjen.

AFP: Dy pjesët e ideuara dhe realizuara nga ju, a kanë një fije lidhëse?

Janë dy pjesë të shkëputura, por që kanë fijen logjike të vesit, së mirës dhe së keqes në shoqëri, tek “Pushteti i karriges” lëvizjet dhe muzika japin një këndvështrim mbi joshjen e pushtetit dhe rëndësinë që ka marrë mbi shoqërinë ndërsa tek pjesa “Upside-down” tregohet me art fenomeni se si reagon paraja (një i pasur barkderr si puna ime në rol) ndaj një lypsari dhe vesit të kumarit si dhe vendin e dinjitetit njerëzor mes tyre. Të dyja pjesët flasin për paranë, por është karrigia në mes që tek pjesa “Pushteti i karriges” përbën frymëmarrjen.

AFP: pas kësaj eksperience, mendoni se është gati publiku shqiptar për baletin kontemporan?

Kjo varet, ka balet kontemporan kur ti hyn në sallë dhe nuk arrin të kuptosh asnjë mesazh, dallon vetëm lëvizjet. Në rastin konkret, jam përpjekur, me këto dy vepra por edhe me ato që kam në projekt, të jem i lexueshëm për publikun, i drejtpërdrejtë, i kuptueshëm.

AFP: Keni marrë kritika për pjesët?

Publiku për baletin kontemporan jo i gjithi është kritik. Por unë jam kritiku më i madh i vetes. Tani pasi të ndahem nga ju do të bëj reflektim kritik mbi shfaqjen dhe do të gjej unë më shumë gjëra që nuk shkojnë se çdo sy kritik nga jashtë. Unë jam gatuar kështu. Rrallë kënaqem me punët e mia. Varet shumë në baletin kontemporan se si lidhet çdo lëvizje që balerini bën. Edhe një dorë që hapet duhet të ketë kuptim, të përcjellë një mesazh.

Këto shfaqje më lanë një shije të mirë të perceptimit nga publiku, të cilin e ftoj në shfaqje të tjera. Ajo që më mërzit më shumë është që duhet të kemi më shumë përkrahje nga institucionet. Ka mosbesim ndaj artit dhe projekte si këto pak gjejnë vend për zbatim. Fatmirësisht kemi miqtë shokët e kolegët që punuan me mua. Por nuk mund të vazhdohet kështu. Uroj shumë që një ditë të kem kompaninë time sepse do të ishin gjërat sumë më të lehta. Marr shkas që të falënderoj trupën e balerinëve Elton Cefa, Arbër vathi, Rovena Shqevi, Besi Skura, Tea Ajazi, Kristi Dushmani, Fjoralba Zere. Falenderoj kostumografen Anila Zajmi Katanolli, Ilir Karaj për ndriçimin e mbi të gjithë producentin dhe bashkëpunëtoren time, Rovena Dilo. Pa ata kjo shfaqje nuk do të ishte e mundur.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: