Pagat e reja, nga sot nis rritja e radhës për gjithë buxhetorët

Pagat e reja, nga sot nis rritja  e radhës për gjithë buxhetorët
Punon në “shtet”? Duke nisur nga dita e sotme, 1 mars 2017, do të punosh që, në 1 prill e tutje, të çosh në shtëpi të paktën 37.500 lekë. Shifër e cila përkon, në fakt, me pagën minimale bruto për të gjithë punonjësit e administratës publike, përcaktuar nga qeveria me një vendim të posaçëm fundvitin e kaluar dhe që vihet në zbatim pikërisht në nisje të këtij muaji. Në total, janë rreth 6.900 punonjës të tillë, të cilët do të përfitojnë nga rritja e parashikuar e pagës në nivelin prej +36%, duke i kushtuar buxhetit të shtetit plot 1 miliard lekë më shumë. Kurse, në përgjithësi, efekti 10-­mujor i shtesës së pagave deri në fund të këtij viti, është parashikuar që të jetë 6 miliardë lekë, për plot 110 mijë punonjës të administratës publike. Ku në tërësi, sipas vendimit në fjalë të ministrisë së Financave, rritja e re e pagave varion nga niveli prej +7% deri në +36%. Kujtojmë se punonjësit e administratës që paguhen me pagë minimale në sektorin shtetëror përfshihen shoferët, rojet, sportelistët, operatorët, magazinierët, apo edhe pastruesit. Ndërkaq, siç sqarojnë punonjësit e sektorit të financave të institucioneve përkatës, ata gjenden janë aktualisht në fazën e përllogaritjes dhe vlerësimit konkret të nivelit të ri të rritjes së pagës për buxhetorët, bazuar në vendimin përkatës të qeverisë, i cili sipas tyre do të jetë me efekt prapaveprues. E thënë më thjesht, për të gjithë buxhetorët rritja do të llogaritet duke nisur nga data 1 mars 2017, porse do ta marrin në dorë atë nga data 1 prill dhe në vijim. Gjithashtu, një detaj interesant në rritjen e re të pagave është ai që ka të bëjë me specialistët, rritja e të cilëve do të jetë e ndryshme, bazuar pikërisht në nivelin e arsimimit të tyre, ku më të favorizuarit janë ata me arsim të lartë 5-vjeçar, teksa ata me nivel 4-vjeçar cilësohen me master shkencor etj. Sikundër, ajo që bie në sy nga vendimi në fjalë, është edhe numri i madh i përfituesve prej kësaj rritjeje të re page të ndërmarrë prej qeverisë, sidomos për sektorin e shëndetësisë, përfitues prej së cilës do të jenë gjithsej 18.415 punonjës të tij, nga të cilët 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë. Apo edhe 34.630 mësues në rang vendi, rroga e të cilëve do të rritet në nivelin prej 10%, me një fond total shtese i cili është përllogaritur të  jetë në nivelin e 1.3 miliardë lekëve.

 

 

LISTA

Rritja e pagave

sipas kategorive:

 

BUXHETORËT

- Punonjësit e cilësuar si mbështetës të administratës publike, si rojet, shoferët, sportelistët, operatorët, magazinierët, rritja e pagës bazë minimale shkon rreth 37.500 lekë.

 

- Për punonjësit e ministrive dhe Këshillit të Ministrave; specialistit të kategorisë “III b” rroga do t’i rritet 3.990 lekë, duke arritur në nivelin prej 89.990 lekësh.

 

- Specialistit të kategorisë “IV a” rroga do t’i rritet “IV a” nga 1 marsi rreth 3.206 lekë dhe nga 45.800 lekë që merr sot, atij paga do t’i bëhet 70 mijë lekë.

 

SHENDETESIA

Përfitues nga rritja e rrogave të 1 marsit janë gjithsej 18.415 punonjës të sektorit shëndetësor, nga të cilët 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim në buxhetin e shtetit, në formën e shtesës së pagave, është 1.3 miliardë lekë, apo 1 milion euro. Ndërsa paga e mjekut aktualisht është 69.008 lekë, ajo do të bëhet 78.095 lekë. Kurse rroga për infermierët nga 39.786 lekë do të bëhet 45.561 lekë.

 

ARSIMI

Për 34.630 mësues në rang vendi, rroga do të rritet në nivelin prej 10%, me një fond total shtese i cili do të jetë 1.3 miliardë lekë. Konkretisht, paga për një mësues të shkollës 9-­vjeçare nga 61.600 do të jetë 64.650; ajo për një mësues të shkollës së mesme nga 64.000, do të arrijë 67.950. Nga ana tjetër, është parashikuar që pagat për 3. 826 pedagogë të rriten me nivelin prej do të rriten me nivelin prej 10%, teksa fondi që do të vihet në dispozicion është 450 milionë lekë. Konkretisht, paga e pedagogut nga 91.913 lekë do të bëhet 102.942 lekë, duke përfituar një shtesë rroge prej 11.030 lekësh.

 

POLICIA

Për 10 mijë punonjës të Policisë në rang vendi, pagat do të rriten në nivelin prej 10% deri në 35%. Ku në total, fondi i parashikuar për shtesën është 800 milionë lekë. Konkretisht, për një inspektor , paga do të rritet në nivelin prej 35%, duke nisur nga 1 marsi, duke u paguar me 69 mijë lekë.

 

USHTRIA

Për ushtarakët, rritja e pagës për çdo gradë do të jetë në nivelin prej 8% deri në ­10%. Në total, përfitojnë rreth 6750 ushtarakë dhe fondi për shtesën e pagës është 480 milionë lekë. Konkretisht, rroga për një kapiten rritet në nivelin prej 10% apo 5700 lekë, ku nga 57 mijë lekë që paguhet sot një kapiten, duke nisur nga data1 mars do të marrë 62.700 lekë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: