Përtej "çadrës" ka jetë!

Përtej "çadrës" ka jetë!
Nga Alfred Peza

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Në kulmin e debateve të këtyre ditëve, për filmat e socrealizmit, një syresh me titullin "Në pyjet me dëborë ka jetë" mu kujtua, për ta përshtatur si diçiturën e jetës sonë politike gjatë muajit mars. Ajo është: Edhe përtej "çadrës" së protestës së PD-së në Shqipëri, ka jetë. Që do të thotë, se simbolika e shqetësimit në protestën opozitare, nuk ia arriti që të eklipsonte dhe të mbizotëronte realitetin e fokusit të shoqërisë. Duke e anuar ndjeshëm, balancën e vëmendjes së qytetarëve nga hallet e tyre dhe jo nga halli i lidershipit të PD-së, ku krerët e saj, nëpërmjet protestës së 18 shkurtit, tentuan që hallin e tyre personal, t'ia shisnin qytetarëve si të vetin, si hall kombëtar.

Nëse bën një studim profesional, apo i hedh qoftë edhe një sy të pastërvitur mirë me këto punë, e kupton fare lehtë dinamikën e fokusit publik të orientuar nga mediat tradicionale apo ato të rejat. Rreth pesë javë më parë, kur opozita ftoi qytetarët në protestë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, por edhe në ditët e javës në vijim, projektorët ishin drejtuar të gjithë, mbi çadrën që u kompozua të ishte simboli i qëndresës opozitare. Fillimisht u artikuluan tri kërkesa. Më pas u tha se ishin katër. Asnjëra prej tyre nuk mbahet mend prej askujt, nëse pyet sot. Por ajo që ka mbetur, është se PD-ja dhe aleatët, thonë se nuk do të hyjnë në zgjedhjet e 18 qershorit, pa largimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie teknike. Por, më pas, u mor vesh, shpejt, se asnjëra prej tyre nuk kishte lidhje me kryehallin: Bllokimin e vettingut, e për rrjedhojë të reformës në drejtësi.

Sa më shumë qartësohet kjo, aq më pak vëmendje ka nga qytetarët mbi “çadër” e për “çadrën” dhe aq më i qartë dhe i fortë është zëri i ndërkombëtarëve, për t’i thënë opozitës ti japë fund bojkotit, të shkojë në Parlament dhe të bëhet gati për fushatën e zgjedhjeve. Me kalimin e ditëve dhe javëve, në vend që të realizohej skenari i pritshëm i udhëheqësve të minorancës, për të krijuar "efektin ortek" tek qytetarët që sa më shumë të kalonte koha, aq më të shumtë do ishin në shesh kundër qeverisë, në praktikë po ndodh e kundërta. Ndaj edhe në media, në debatet publike dhe në ato shoqërore, në tryeza formale dhe informate, e deri nëpër qendra pune dhe familje, fokusi ndryshoi, duke e lënë gjithnjë e më shumë jashtë vëmendjes, hallin e liderëve kryesorë të Partisë Demokratike. Është kjo arsyeja që, maksimumin e kohës televizive, hapësirave në gazeta, radio dhe në të gjitha zhanret e tjera të mediave online, vëmendja është përqendruar prej kohësh në tema dhe çështje të tjera.

Mesazhi që na jep i gjithë ky peizazh i vëmendjes publike, është fare i thjeshtë dhe i qartë: Edhe përtej "çadrës" ka jetë!

Ka jetë për të gjithë ata që nuk mendojnë se "një lajm i keq, është një lajm i mirë". Ata gëzohen, realisht, kur shohin sesi në Tiranë u inaugurua një hapësirë e rivitalizuar si "Pazari i ri", apo të gjithë ata që presin, pas pak ditësh, të shëtisin në sheshin "Skënderbej" që ka ndryshuar rrënjësisht pamje.

Ka jetë për të gjithë të pasionuarit pas natyrës, kur shohin sesi po rivitalizohet parku i Liqenit Artificial në Tiranë, Lungomare në Vlorë, parku i ri i Farkës apo lumit të Tiranës, Parku i Funarit apo Liqeneve të Belshit.

Ka jetë për të pasionuarit pas aktivitetit fizik, të cilët kanë vetëm në kryeqytet 12 kënde të reja sportive të ndërtuara brenda vitit të fundit, por edhe parkun e ri e modern Olimpik, për të ushtruar pasionin apo hobin e tyre.

Ka jetë për fëmijët, prindërit dhe gjyshërit e tyre që po shijojnë parqet dhe hapësirat e reja të lodrave.

Ka jetë për të gjithë ata që shohin, sesi bashkë me rilindjen urbane të qendrave në 71 qytete të Shqipërisë, po rilindin edhe pronat, banesat dhe të gjitha investimet e tyre. Duke rilindur edhe shpresën se, një ditë, edhe ky vend mund të bëhet dhe mund të ketë perspektivën e dëshiruar për ta dhe pasardhësit e tyre.

Ka jetë edhe për dashamirësit e futbollit, të cilët pas finaleve të Europianit, Francë 2016, po shohin dhe debatojnë me shqetësim, për të ardhmen e kombëtares.

Ka jetë edhe për të gjithë ata që nuk duan ta ngatërrojnë këngën "unë jam kuqezi" me asnjë këngë a sirenë tjetër, qofshin ato të dhunës, si ai në ndeshjen Itali-Shqipëri, apo të debatit ku u përfshi imami Ahmet Kalaja, pas një video me "çunat" e kombëtares.

Ka jetë për të gjithë ata që e kuptojnë se pa debatin e dekomunistizimit nuk mund të ketë një të ardhme të shpejtë europiane për Shqipërinë. Ndaj janë përfshirë në këtë periudhë "përtej çadrës", në debatin për filmat e realizimit socialist, në debatin mes Presidentit të Republikës dhe poetit disident Visar Zhiti, në debatin për "mendjet e bukura" shqiptare që persekutoi Enver Hoxha, në debatin për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, etj.

Ka jetë për të gjithë ata që janë të shqetësuar në lidhje me fenomenin e braktisjes së shkollave nga vajzat që fejohen e martohen të mitura, jo vetëm në Librazhd.

Por edhe për ata që janë të shqetësuar nga debati për importin e mishit brazilian.

Sikundër ka jetë për të gjithë ata fermerë e biznesmenë të vegjël a të mesëm, që përfitojnë nga amnistia dhe falja e borxheve dhe kamatëvonesave të vjetra.

Ka shumë të tjerë që po i gëzohen gjatë marsit, rritjes së re të pagave dhe pensioneve, pavarësisht se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, sikundër edhe për investimet e brendshme e të huaja, apo për punësimin.

Ka jetë për të gjithë ata që po i kompensohen pronat për dosjet e para 1994, e jo vetëm. Apo për të gjithë ata ish-të përndjekur e të persekutuar të diktaturës komuniste, që po marrin më në fund, një e nga një, të gjitha këstet e djersës dhe gjakut të tyre, apo të familjarëve të vet.

Ka jetë edhe për të gjithë ata që ndjekin me vëmendje zhvillimet rajonale, ndërkombëtare apo lëvizjet e diplomacisë shqiptare. E deri tek ata që e shohin me optimizëm deri edhe partneritetin strategjik, që Shqipëria firmosi së fundi në Paris, me Francën.

Ka jetë edhe për partitë politike vetë, të cilat, pavarësisht "çadrës" dhe retorikës politike, po përgatiten ethshëm në terren për zgjedhjet. Madje, duke tentuar në mënyrë "agresive" se kush e kush të zërë më shumë vend, në hapësirën e madhe të lënë bosh, deri tani, nga PD-ja dhe aleatët e saj, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar në çadër. Duke mos dashur në këtë mënyrë as të shohin, as ta kuptojnë dhe as ta lexojnë siç duhet mesazhin që po i japin qytetarët e këtij vendi, gjatë ditëve të qëndrimit në bulevard.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: