Sfida e qiellit... Aeroportet, pistat ende të munguara të Shqipërisë

Sfida e qiellit... Aeroportet, pistat  ende të munguara  të Shqipërisë
Eglantina Nasi

“Aeroport në Vlorë? Patjetër që ne nga Kosova do të vinim direkt me avion atje në verë. Edhe pse me thënë të drejtën, riviera shëtitet më mirë me makinë...”. Kështu më përgjigjet shoqja ime Kena N., e cila jeton në Prishtinë, teksa i them se po studiohet mundësia e ngritjes së një aeroporti në Vlorë. Madje, teksa i them se një studim i ngjashëm po ndërmerret edhe për Korçën, vendlindjen e saj, ajo ma kthen se patjetër që do ta provonte të shkonte në shtëpi me avion, edhe pse kostoja mund të ishte më e  shtrenjtë. Më shumë komoditet, më pak kohë udhëtimi. Këtë do ta dëshironin madje edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, të cilët harxhojnë orë të tëra për të ardhur nga Athina apo Selaniku drejt Gjirokastrës. “Aboslutisht që po të kishte aeroport në Gjirokastër, nuk do të zgjidhja autobusin për të ardhur. Shtoja edhe ca euro më shumë dhe vija si njeri”, pohon Bledari, 37-vjeçar, i cili për vite të tëra ka ardhur në vendlindje me autobusat e linjës. E të mos harrojmë, që emigrantët si ai në vendin fqinj, janë të shumtë në numër (rreth 500 mijë zyrtarisht), duke përbërë kështu një fuqi të konsiderueshme për trafikun ajror si të tillë në jug të vendit, nëse aty ngrihet një aeroport, të paktën siç po studiohet aktualisht nga ekspertët për Gjirokastrën, Sarandë, apo edhe Vlorën, duke zgjedhur njërën prej tyre. Sepse siç konfirmojnë vetë ekspertët e ministrisë së Transporteve në një prononcim të posaçëm për “Albanian Free Press”, lidhur me këtë çështje, potencialet ekzistojnë, por megjithatë, kërkesa është e ulët. “Jemi një vend me vetëm 2.8 milionë banorë. E po ta krahasosh situatën me rajonin, edhe ata 1-2 aeroporte kanë në territorin e tyre”, sqarojnë ata. Duke shtuar më tej në këtë kuadër se në vendin tonë janë  aktualisht dy aeroporte, ai i Rinasit që është funksional dhe ai i Kukësit i cili nuk është i tillë, pasi kërkon disa investime. Teksa në lidhje me studimin e fizibilitetit se ku do të ndërtohet aeroporti i ri Jugut, pas lehtësirave ligjore të krijuara për heqjen e monopoleve mbi aeroportet në jug të vendit, ata japin afatin kohor prej 2-3 muajsh që ai do të dalë me përcaktimin konkret se ku do të ndërtohet: në Sarandë, Gjirokastër apo Vlorë. Që të treja këto pika të rëndësishme të cilat mund të ndihmonin sakaq edhe thithjen e turistëve, sidomos atyre nga Maqedonia, shumica e të cilëve pikërisht për shkak të mungesës së një të të tilli, zgjedhin më mirë Greqinë për të kaluar pushimet e verës, kryesisht Selanikun që e kanë vetëm 2-3 orë larg,  edhe pse pëlqimi i tyre më i madh është për rivierën shqiptare. Madje, pikërisht për shkak të kanaleve ajrore, ata zgjedhin të shkojnë edhe më larg, në Mal të Zi dhe Turqi. “Fakt ky që i largon nga toka shqiptare, ndërsa ne humbasim shumë para nga mosfrekuentimi i plazheve tona pprej tyre. në jug të vendit”, sqaron këtë situatë, punonjësja e një agjencie turistike në Tiranë, A.R. e cila bashkëpunon me agjencitë homologe në shtetin fqinj. Të gjitha këto, janë në fakt vetëm disa detaje që ravijëzojnë panoramën e pistave ende të munguara të Shqipërisë. Dhe sfidën ende të mbetur si të tillë, të ajrit kundrejt tokës, për përmirësimin e infrastrukturës së  të cilës qeveritë e deritanishme duhet thënë se janë impenjuar më shumë...

Teksa në tërësi, siç raporton Observatori i Transportit për Europën Juglindore (SEETO) në një studim të tij të fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë njohur zhvillim sa i përket transportit ajror të pasagjerëve. Ku vetë Mate Gjorgjievski, ekspert i tij, paraqet nevojën që në këtë aspekt këto vende, përshirë këtu edhe Shqipërinë, duhet të bëjnë më shumë, teksa e cilëson këtë të fundit si ndër të vetmet vende që kanë ende një aeroport. Realitet ky i cili pritet të ndryshojë pikurisht pas planifikimit të fundit të qeverisë shqiptare për ndërtimin e një aeroporti të ri, me kusht që të jetë 100 kilometra  larg atij të Rinasit. Në pritje kështu për t’u dhënë jetë pistave ende të munguara në territorin shqiptar.

 

STUDIMI

 87% e trafikut ajror shqiptar, me Evropën

Në Ballkan, trafiku ajror i pasagjerëve është rritur me shpejtësi duke arritur në rreth 15 milionë pasagjerë mesatarisht në vit. Kjo është shifra që jep Observatori i Transportit për Europën Juglindore, duke shtuar gjithashtu se numri i pasagjerëve mes BE dhe Ballkanit është trefishuar. Sipas tij, 2/3-at e trafikut ajror të këtij rajoni realizohet me Europën Perëndimore, ku dallojnë Shqipëria me 87% dhe Bosnja, me 69%.

 

KERKESA

Bashkitë e jugut: Duam aeroport në Korçë

Bashkitë e Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit, Maliqit dhe Pustecit, janë bërë bashkë së fundmi, duke i drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një kërkesë për të financuar një studim fizibiliteti për ndërtimin dhe funksionimin e aeroportit në fushën e Lumalasit (Korçë). Ky në fakt nuk do të jetë i pari që po kryhet për një aeroport në këtë zonë një i tillë është kryer edhe më herët, në vitin 2007.

 

Historia

Përveç Rinasit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri ka pasur edhe aeroporte të tjera, të cilat ishin ëkarakterit ushtarak. Më i madhi ishte në qytetin e Kuçovës, ku ishte edhe një nga bazat më kryesore të forcave ajrore te Shqipërisë dhe një nga bazat ajrore më të mëdha ne Ballkan. Aeroport tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe aeroporti i Vlorës, ne te cilin u krijua edhe shkolla e parë e aviacionit ne Shqipëri. Sikundër, listës së aeroporteve ushtarake, i shtohet dhe ai i Lezhës (i Gjadrit). Ndërsa aeroporte lokale ka patur edhe në Shkodër, Gjirokastër, madje edhe në Korçë.

 

Qielli, në vend të detit...

Në rritje kultura e udhëtimit me avion të shqiptarëve

Të zgjedhësh qiellin, në vend të detit... Jo vetëm për të udhëtuar, por edhe për të transportuar mallra. Kjo është ajo çka së fundmi po

preferojmë në shqiptarët, teksa shifrat krahasimore flasin për një epërsi të transportit ajror si të tillë, kundrejt atij detar. Konkretisht, sipas Institutit të Statistikave, në muajin janar të këtij viti, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore është rritur me nivelin prej +28.6%. Duke shtuar se në tërësi, transporti ajror i pasagjerëve zë peshën më të madhe kundrejt totalit, në nivelin prej 71.6%. “Në transportin ajror operojnë 15 shoqëri fluturimi dhe janë kryer 1.806 fluturime ajrore, duke shënuar një rritje me nivelin prej 9.3%, ndaj janarit 2016”, citon INSTAT-i. Duke shtuar nga ana tjetër faktin se volumi i mallrave të transportuar pikërisht përmes rrugëve ajrore është rritur në nivelin prej 5%, në krahasim me muajin janar 2016.

“Në transportin ajror operojnë 15 shoqëri fluturimi dhe janë kryer 1.806 fluturime ajrore, duke shënuar një rritje me nivelin prej 9.3%, kundrejt muajit janar 2016”, pohojnë mes të tjerash ekspertët e INSTAT-it, për të përforcuar në këtë mënyrë idenë se shqiptarët po zgjedhin gjithmonë e më shumë linjat ajrore për të udhëtuar, kundrejt rrugëve detare, tregues ky për të cilin thonë se ka një rënie në nivelin prej -3.5%. “Transporti ajror i pasagjerëve zë peshën më të madhe prej 71.6%, teksa numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 75.984 persona, krahasuar me muajin janar 2016, ky tregues është ulur me 3.5%”, sqarojnë saktësisht ekspoertët e Institutit të Statistikave. Për të ndihmuar ndoshta kështu në përforcimin e idesë se shqiptarët gjithmonë e më shumë po e pranojnë fluturimin në ajër, pavarësisht kostos së lartë që ky lloj shërbimi ofron ende në vendin tonë, falë edhe faktit se deri më tani ka qenë në funksionim vetëm një aeroport. Por të mos harrojmë se gjatë historisë, vendi ynë ka patur edhe të tjerë aeroporte, me funksione të ndryshme, teksa vitit 1924 shënoi pranimin nga pala shqiptare të kontratës me shoqërinë ajrore “Adria-Aeroloyd” dhe nxitën daljen e një projektligji që do të çelte siparin e historikut të aviacionit civil në vendin tonë. Një i tillë ka qenë ai i Gjirokastrës, linja e të cilit me Tiranën u inaugurua në vitin  1929 dhe ishte operative vetëm në kushte optimale. Teksa aeroporti i Rinasit, që sot e njohim si “Tirana International Airport” "Nënë Tereza" është ndërtuar gjatë periudhës së viteve 1955 -1957 dhe trafiku fillestar i tij arrinte deri në dy fluturime në ditë.

“Në transportin ajror operojnë 15 shoqëri fluturimi dhe janë kryer 1.806 fluturime, duke shënuar rritje me nivelin 9.3%, ndaj janarit 2016”, citon INSTAT-i

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: