Të gjithë, njëlloj

Të gjithë, njëlloj
Nga Juela Meçani 

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press dhe www.afp.al

Sipas lajmeve të fundit, prestigjiozja spanjolle “El pais”, ka lëshuar alarmin për një turizëm estetik në Shqipëri, duke arritur deri aty sa ta quajë një epidemi. Viktimat e kësaj epidemia, më së shumti, janë vetë shqiptarët, sipas “El pais”, dhe kjo, për shkak se kushtet infrastrukturore lënë për të dëshiruar. Ato që joshin të huajt të vijnë për këtë lloj të ri turizmi, por më së shumti shqiptarët, janë çmimet konkurruese, tepër më të ulëta se kudo tjetër në Europë.

Ndërhyrjet estetike permanente dhe të përkohshme, janë disa herë më të lira, por epidemia shqiptare e mollëzave dhe buzëve perfekte, gjen dhe një boshllëk ligjor, kjo, po sipas medieve spanjolle, por edhe atyre italiane, që e quajnë Shqipërinë një xhungël të ndërhyrjeve estetike.

Sapo lexova këtë lajm, mu kujtua një episod i përpara disa ditëve. Në një dyqan veshjesh, vjen një vajzë e re, mjaft simpatike, sinqerisht, me sy të lirë nuk kishte asnjë defekt. Në një çast i drejtohet mikeshës së saj dhe i flet mbi orarin që kishte lënë për një operacion plastik. Donte të ndërhynte në hundë. Me shumë diskrecion i hodha përsëri një sy. Kishte një hundë perfekte, njerëzore, me karakter, që i shkonte shumë me fytyrën. Ishte mjaft e re dhe mora guximin e pyeta. “Ti je perfekte, kështu si je! Pse dëshiron të rregullosh hundën?”

“Dua ta holloj, e të kem një hundë franceze. Jam modele dhe dua që fotot e mia të jenë super!”- mu përgjigj ajo.

Nuk ngula këmbë më tej, sepse ishte plotësisht e bindur, tepër e entuziazmuar madje, që ia kishte arritur kësaj dite. Fundja, çdo aktore e huaj apo modele, e bën këtë. E tek kjo gjë ajo merrte guxim dhe justifikonte atë pak frikë që kishte.

Por pse kjo epidemi ndërhyrjesh estetike, në moshë kaq të re. A nuk e kuptojnë apo shohin se shumë shpejt do të kemi një kolonizim, “de facto” të fytyrave femërore vërdallë?

“Në kohën e nënave tona, ishin të gjithë njëlloj. Shyqyr që erdhi kjo kohë e të ndryshojmë pak, meqenëse i kemi mundësitë”, - më tha një vajzë e re, një ditë.

Qesha. Njëlloj femrat, dikur? Sot janë njëlloj në fakt, reflektova. Dhe kjo është e dukshme, menjëherë. Një prerje sysh, një kurorë vetulle, hunda njëlloj, flokët njëlloj, tualeti, qerpikët fallco njëlloj. E ke shumë të vështirë të dallosh konturet e vërteta të një fytyre, gdhendjen e nënës natyrë, ngjyra e syve mbulohet nga lentet, mos të flasim për shprehinë me ujëra që të fal një shikim rinor.

Bota e brendshme e një vajze të re dhe të bukur, që presupozohet të dalë në vështrim dhe mimikë, të paktën, në përshtypje të parë, nuk del dot më në pah. Të prera si me stampim, mos flasim pastaj për ato konturimet e habitshme bojë kafe, që të japin një version kinematografik të së tërës.

Gjithsesi është, akoma, më shqetësues aspekti shëndetësor i gjithë kësaj historie moderne të pikturimit përmes bisturisë apo botox-it. Shëndeti i shumë të rinjve, është në rrezik. Edhe ai mendor. Në një kohë kërkesash absurde nga tregu i punës apo shoqëria e rrugës, identiteti humbet, në fillim ndërron formë, pastaj humbet. Je dikush tjetër, në fillim në fytyrë, më pas në ndërveprim, e në fund në shpirt.

Në kërkim të një shablloni për tu imituar, por të imituar në kushte jo fort të qarta higjiene, profesionalizmi apo edhe ligjore, një brez i tërë po i nënshtrohet edhe lifting-ut të trurit. Mbi të gjitha, po përbën një precedent problematik, për sa kohë, ajo që duhet të ishte përjashtim, po kthehet në të zakonshme. Një vend i vogël si ne, i paguan më shtrenjtë se të tjerët eksperimente sociale të rënda si këto.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: