Ambicia e Dakos: Rotonda e parë nëntokësore në Durrës

Ambicia e Dakos: Rotonda e parë nëntokësore në Durrës
Në periudhën maj-qershor fillon puna për ndërtimin e rrugës nëntokësore pranë maozeleumit të dëshmorëve në Durrës. Për herë të parë në Shqipëri do të ndërtohet edhe një rotondë nëntokësore. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, shpjegon për Albanian Free Press se për projekti që kushton rreth 700 milionë lekë të reja tashmë është tenderuar faza e parë e punimeve, ndërsa financimi është siguruar edhe për fazën e dytë.

Ajo që sot është rrugë automobilistike do të shndërrohet në shesh për këmbësorët, me dy godina të reja nga të dyja krahët për gjykatën dhe prokurorinë, ndërsa rruga për automjetet do të shtrihet nën tokë.

Por ky projekt ka edhe një risi. Ai do të shoqërohet me ndërtimin e disa ambienteve për qëllime tregtare që do të menaxhohen nga vetë bashkia. Tarracat e këtyre ambienteve do të shndërrohen në hapësira të gjelbra, në minilulishte.

Po si do të duket ky shesh pas përfundimit të punimeve? Shikoni fotot e projektit, të publikuara ekskluzivisht nga Albanian Free Press.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Çfarë parashikon projekti i ri në rrugën përpara maozeleumit të dëshmorëve?

Është një projekt që e kthen rrugën në një sipërfaqe publike. Nga një rrugë për makina, kthehet në një shesh publik për këmbësorë. Vazhdon po me një shesh tjetër, pasi është i ndarë në tre zona dhe përfundon me dy pallate që i kemi quajtur “pallate të Drejtësisë”. Kjo pasi kemi menduar që në atë shesh të ndërtohen godinat e reja të gjykatës dhe prokurorisë, të lidhura të dyja me një kalim nëntokësor dhe me një hapësirë publike rekreative për qytetarët e Durrësit. Janë tre projekte brenda një projekti të madh.

Në çfarë faze jeni me këtë projekt?

Kemi nisur punën për realizimin e fazës së parë të këtij projekti që është gjithë nënkalimi përgjatë rrugës kryesore dhe degëzimi në drejtim të gjykatës aktuale dhe të spitalit.

Për fazën e parë ka përfunduar procesi i tenderimit dhe po përgatitet fillimi i punimeve. Kjo fazë shtrihet në zonën B arkeologjike të qytetit dhe jemi duke kryer sondazhet dhe duke marrë miratimet e nevojshme nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Ministria e Kulturës. Për fazën e dytë nuk është kryer ende procesi i tenderimit, por financimi është siguruar nga Qeveria shqiptare.

Shpresojmë se fundi i këtij viti do të na gjejë me realizimin e dy projekteve të para brenda projektit të madh, ndërsa pallatet e Drejtësisë i kemi si financim më vete që nuk do të kryhet nga bashkia e Durrësit, por institucionet përkatëse që janë gjykata dhe prokuroria. Ne u vëmë në dispozicion sheshin, projektin, mënyrën e zhvillimit urban të asaj zone.

Në dijeninë tuaj, këto institucione kanë siguruar financimin e nevojshëm?

Gjykata ka aplikuar pranë Këshillit të Europës për të marrë financime, por ende nuk ka diçka konkrete. Gjithsesi, ne nuk kemi llogaritur që të gjitha fazat e projektit të përfundojnë për një kohë të shkurtër, por për një periudhë 4-5 vjeçare.

Nga sondazhet paraprake, ka rezultuar se mund të ketë pasuri arkeologjike që mund të çojnë në një pezullim të mundshëm të zbatimit të projektit, si në rastin e Velierës?

Projekti shtrihet në zonën B arkeologjike të qytetit, e cila është një zonë ku ka risk arkeologjik, pra ka rrënoja arkeologjike. Gërmimet do të nxjerrin në pah vlerat e tyre. Janë specialistët e arkeologjisë ata që do të na japin përgjigje përfundimtare.

Ne kemi plotësuar gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor, kemi bërë kërkesat dhe aplikimet pranë Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë. Presim përgjigje prej tyre.

Projekti parashikon edhe sistemimin e sheshit “Pranvera”?

Jo. Fillon tek ish-poçeria, përgjatë rrugës që të çon tek maozeleumi i dëshmorëve dhe shtrihet në të dyja krahët deri tek maozeleumi.

Parashikoni reagime për faktin se projekti prek edhe lulishten në të dyja krahët e rrugës?

Është bërë si modë që, për çdo punë që bën bashkia e Durrësit, çohet një grup që e kundërshton. Por ne mendojmë se i kthejmë qytetit sipërfaqe publike dhe gjelbërim si dhe cilësi më të mirë jetese qytetarëve të Durrësit.

Por bëhet fjalë për një lulishte tradicionale të qytetit...

Pothuajse e gjithë lulishtja që është aktualisht do të ruhet, projekti shtrihet atje ku sot është trotuari dhe rruga e kalimit të makinave. Atje ku sot kemi rrugë, nesër do të kemi hapësirë publike për qytetarët, ndërsa rruga do të kalojë nën tokë.

Ka edhe një rotondë nën tokë, pikërisht atje ku rruga që të çon te maozeleumi kryqëzohet me rrugën “Aleksandër Goga”, pra rrugën nga gjykata te spitali. Kjo rotondë do të ndajë tre drejtimet e mundshme për automjetet.

Tek kjo rotondë mund të jetë edhe fillimi i tunelit që ju keni hedhur si ide e që mund të dalë në Currila?

Po, projektin e kemi bërë, por është çështja e financimit. Me alternativën e parë që kemi, projekti kushton afro 70 milionë dollarë dhe nuk është i realizueshëm nga ana e bashkisë. Por nuk është edhe kompetitiv, nuk ka fizibilitet dhe kjo bën që të mos mund të kërkojmë dot fonde as nga buxheti i shtetit. Ne po mendojmë një alternativë shumë më pak të kushtueshme. Kushton më lirë të bësh shpronësime dhe ta ndërtosh rrugën në kodër. Pra një rrugë e zakonshme mbitokësore, e re, kushton shumë më pak se tuneli.

DETAJET TEKNIKE

Fondi:                          700 milionë lekë (afërsisht 5 milionë euro)

Tuneli i parë:               Rruga e maozeleumit, 295 metra

Tuneli i dytë:               Rruga “Aleksandër Goga”, 265 metra

Rotonda                      Nën tokë, diametri 26 metra

Sipërfaqja e sheshit:    1600 m2, duke përfshirë edhe gjelbërim

Ambiente tregtare:      Secili nga 30-35 metra katrore, me tarracë të gjelbëruar

Shpërndajeni me miqtë tuaj: