ANALFABETË NË EDUKATË - Nga Rovena Dilo për “Albanian Free Press”

ANALFABETË NË EDUKATË - Nga Rovena Dilo për “Albanian Free Press”
Nga Rovena Dilo për “Albanian Free Press”

Po të pyesja, sa prej jush i mbajnë mend pllakat e vogla nëpër rrugët e Tiranës, në të cilat shkruhej: "Mos pështyj në tokë!", e di që, shumë syresh, do ngrenë edhe supet.

Por ja që ka qenë e vërtetë, siç është e vërtetë që sot trotuaret e rrugëve qendrore, "dëmtohen" çdo prag zgjedhjesh. Por, gjithmonë e më tepër, mendja më shkon tek ato pllaka të vogla katrore, të cilat, megjithëse i kam parë në fëmijërinë e hershme, s’i harroj. Vagëllimthi më kujtohet të kenë qenë të shpërndara në mënyrë të rregullt nëpër trotuare.

Një burrë i mençur i kohës së mbretit Zog, ka menduar drejt, - ah, sa drejt - t’u kujtojë njerëzve që ecin, se trotuari publik nuk është banjë. Pra, pështyma apo shfryrja e hundëve, nuk duhet bërë, pikërisht, aty. Dhe seç kishin një forcë ato mbishkrime të vogla, sikur ta kujtonin apo sikur të pengonin të gabojë. Por, të paktën, një lloj ngurrimi të krijonte ai mbishkrim urdhërues. Të paktën...

Sa arrijnë të edukojnë këto lloj mbishkrimesh në rrugë?! Sikur edhe pak të arrijnë, janë më mirë sesa asgjë. Ndoshta ka ardhur koha që, Tirana, përsëri të mbushet me të tilla këshilla. Mendoni se shqiptari ka ndryshuar këto 100 vjet, nga koha e "Mos pështyj në rrugë", deri tani? Unë them, jo. Tirana është qyteti që pret e përcjell çdo kategori njerëzore. Fatkeqësisht, këtij qyteti i duhet më shumë se çdo tjetri, të mendojë, seriozisht, për mbarëvajtjen e çdo sektori të jetës qytetare, sidomos të pastërtisë në rrugë.

Besomëni, të neveritet tek ecën dhe dëgjon, ngjitur pas veshit, dikë që pasi kruan fort fytin, i zbraz hundët, fiks, ngjitur me ty. Obobo, çfarë tmerri! A i ka thënë dikush atij, në jetë, që ky është turp i madh! Me gjasë nuk i ka thënë askush. Se mënyra sesi performohet rrugëve të Tiranës, nga kaq shumë syresh, i njëjti ritual i pështirë, tregon me logjikën më të thjeshtë, jo.

Nuk po ecim dot me sytë lart nëpër rrugë, se na duhet të kontrollojmë çfarë ndodh poshtë, para këmbëve tona. Nuk do kisha qejf të përshëndesja, qysh në pikë të mëngjesit, p.sh., me këpucët e mia të sapopastruara, pllacën e verdheme të ndonjë të pacipi pa edukatë.

A ia vlen që dikush, të marrë edhe njëherë, seriozisht, pllakat me shkrime të ndryshme ndaluese në rrugë, se nuk janë vetëm pështymat e hundët që hidhen rrugëve, sikur të ishin glasa zogjsh (se edhe zogjtë kanë më rregull, për zotin!). Por janë edhe plehrat e çdo lloj mbeturine që kanë në duar këta "qytetarë", të cilat i flakin ku të jenë.

Po, po, nuk u skuqet faqja, as ju nxihet! U duket veprimi më normal i mundshëm.

Ndaj, të dashur qytetarë të qytetit të Tiranës, - flas për juve që shqetësoheni çdo ditë, nga ky sekretim banal nëpër rrugët e kryeqytetit, - a nuk do të ishte me vend që rrugët të mbusheshin, përsëri, me edukatë fillestare? "Mos pështyni në rrugë!", "Mos hidhni mbeturina në rrugë!", "Mos shfryni hundët në trotuar!" etj, etj. E tmerrshme, por le ta fillojmë nga A-ja, sepse ka ende njerëz analfabetë në edukatën qytetare! Detyra jonë e përbashkët, është t’i mësojmë dhe të bëjmë durim!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: