
Shpresa e vetme që i është dhënë nga mjekët është një ndërhyrje në Itali. Ndërhyrje, e cila mund ta shpëtojë foshnjën, pasi tumori është ende i lokalizuar në pjesën e syrit të djathtë.
Kasëm Grebeshi mësoi dy muaj më parë se vajza e tij, në atë kohë vetëm 5-muajshe, vuante nga një lloj tumori në sy. Pas vizitave të njëpasnjëshme në QSUT, por edhe në klinika private, mjekët konstatuan se foshnja vuante nga “Retino blastoma”, një formë tumori që do t’i kushtojë heqjen e syrit.
Gjendja shëndetësore e fëmijës është rënduar së tepërmi, ndaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, në të kundërt pasojat janë fatale.
Pasi është konsultuar me disa mjekë, zgjidhja e vetme në klinikat tona është heqja e syrit të fëmijës. I dëshpëruar, Kasëm Grebeshi kërkon ta çojë në një klinikë të specializuar në Itali, ku sipas informacioneve të marra, nëse menjëherë do të kryhej një ndërhyrje kirurgjikale, do të shpëtohej jo vetëm jeta, por edhe syri i fëmijës 7-muajsh.
Prindërit kërkojnë me dëshpërim t’i ndihmojë kushdo që ka mundësi të kontribuojë, pasi gjendja financiare e tyre është shumë e dobët dhe nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet e kurimit në klinikën “Salesi”, në Ankona të Italisë.