Bashkia e Tiranës, gati projektin për suveniret turistike

Bashkia e Tiranës, gati projektin për suveniret turistike

Bashkia e Tiranës ka përgatitur një projekt i cili pritet të marrë votat e këshilltarëve të Këshillit Bashkiak dhe më pas të vihet në zbatim, ku në thelb ka hapjen e një konkursi për prezantimin e suvenirëve më të mirë, të cilët tregojnë traditën tiranase. Qëllimi i këtij projekti është rritja e tregtimit të suvenirëve, llojshmërinë e tyre duke lidhur dizenjimin dhe kompozimin me tendencat tregtare bashkëkohore, si dhe traditën dhe trashëgiminë natyrore. Konkursi synon të përzgjedhë 40 produktet turistike, më të spikatura, të cilat mund të jenë suvenirë artizanalë, produkte inovative që promovojnë kryeqytetin në funksion të turizmit që do të përfaqësojnë qytetin e Tiranës. “Turistët që vizitojnë Tiranën, dëshirojnë të marrim me vete një kujtim, i cili përfaqëson vlerat kulturore, historike, simbolikat apo traditat e saj. Ndaj traditat, kultura dhe trashëgimia e qytetit, duhet të promovohen duke u vënë në dispozicion të turistëve dhe qytetarëve”, - thuhet në projektvendimin e bashkisë. Sa i takon fituesve, është menduar që të ketë edhe shpërblime monetare, të cilat do të fillojnë nga 100 mijë lekë për çmimin e parë për produktin artizanal tradicional, e deri në 36 çmime inkurajuese me vlerë 20 mijë lekë për secilin fitues.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: