DOKTORI GJENIAL

DOKTORI GJENIAL
 

Nga Edison Ypi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Me gjith’ atë elektorat që mblodhi, Ligje që bëri, situata që përballoi, punë që mbaroi, Doktori është Sukses.

Doktori nuk mund t'i mbante të gjithë në prehër apo në gji. Doktori me vullnet titanik, durim sizifi, inteligjencë mbinatyrore, realizoi kapërximin nga diktatura në demokraci, bëri dhe do bëjë punëra madhështore që do mbeten në jetë të jetëve, domethënë Doktori është Lavdi.

Nuk mundet çdo spurdhjak nga ata që bëjnë vetëm llallalla të bënte çfarë bëri Doktori. Doktori bëri ato që bëri sepse Doktori është Pasion.

Për nga thjeshtësia dhe përunjësia që e karakterizon Doktorin, mund të thuhet pa mëdyshje se Doktori është Grimcë.

Nisur nga laryshia e pafundme e preokupimeve dhe punëve që Doktori mbaron, është e qartë se Doktori është Univers.

Për nga dijet e pafundme që Doktori ka përdorur dhe do përdori për të zbatuar idetë e tij në mjedisin mesjetaro-diktatorial shqiptar, Doktori është Erudit.

Nga aftësitë e rralla që ka Doktori për të organizuar dhe realizuar punë në dukje të pamundura, Doktori është Artist.

Fjala e rrjedhëshme, e zgjedhur, e bukur, e këndëshme, spontaneiteti, figuracioni, që Doktori përdor në të folur në komunikimet publike, s'të lenë të dyshosh asnjë fije se Doktori është Orator.

Aftësitë e Doktorit për të bindur shqiptarët kokderra për çështje nga më të ndryshmet, e bëjnë Doktorin të jetë Çudi.

Ta kesh Doktorin kaq vjet në krye të punëve, dhe të presësh që Doktori në vitet e ardhëshme të bëjë gjëra të tjera edhe më të mira, domethënë Doktori është Fat.

Meqënse ato që di të bëjë Doktori nuk janë gjëra të thjeshta as të kollajta nga ato që mësohen nëpër shkolla por aftësi të lindura, Doktori është Talent.

Duke qënë se për disa Doktori është Fat dhe Talent, vetvetiu për disa të tjerë me aftësi cerebrale të kufizuara që nuk e kanë idenë çfarë është sakrifica, përkushtimi, puna, e megjithatë e hedhin përpjetë dhe pretendojnë favore të pamerituara, s'do ment se Doktori është Fatkeqësi.

Për jo pak parazitë që duan të hanë e të pinë, të vishen e të mbathen pa e luajtur bythën venit nga kafeneja me orë të tëra duke bërë thashetheme dhe intriga, mes tjerash edhe për Doktorin, Doktori është Hall.

Për jo pak të tjerë që Doktorit nuk ja kanë me të keq por Doktorin thjesht nuk e kuptojnë, dhe për këtë arësye vuajnë, Doktori është Taksirat.

Për ndonjërin që ka ndejtur me vite brenda sqetullës së Doktorit dhe tani rri brenda bythës së Shtatlartësisë së Tij, Doktori është kancer në gurrmaz.

Ndërlikimet e pafundme që rrjedhin për shkak të paaftësive nga më të ndryshmet, bëjnë që për një numur ngordhalaqësh Doktori të jetë Dramë.

Për saktësim dhe argumentim më të plotë, po ti hysh pakëz më thellë dhe ta shohësh pakëz më hollë, për një numur shqiptarësh të cilët ngaqë nuk nuk orientohen dot, qahen, Doktori nuk është Dramë e thjeshtë, Doktori është Socio-Dramë që sjell turbullime organike nga më të ndryshmet.

Për saktësi, argumentim, thellësi, edhe më të madhe se më lart, për një numur trangujsh që nuk dinë as nuk duan të kuptojnë vështirësitë e bërjes politikë dhe pushtet në truallin e Gjergj Kastriotit ku njerëzia që jeton aq pranë detit nuk ha peshk por mish, Doktori është Psiko-Dramë që sjell probleme të rënda të shëndetit mendor.

I definuar artistikisht, Doktori është Epik.

Në pikpamje psikanalitike Doktori është Dramatik.

I parë me syrin shqiptaresk, popullor, vulgar, Doktori është Lirik.

Po ta shohësh nga një kënd naiv, Doktori është Valle.

Nga një kënd tjetër më festiv, Doktori është Daulle.

Nëse ke dëshirën e mirë dhe lodhesh ta kuptosh çfar është Doktori, por nuk del dot në asnjë qafë, rezultatin e ke si veten, zero, Doktori është dhe mbetet Kuriozitet.

Nëse e kupton çfarë Doktori është, dhe nga mirkuptim lehtësohesh, Doktori është Ogur.

Po qe se je hajvan pa shërim, Doktori është Mister.

Nëse jo për fajin tënd, por nëna të ka bërë mes tyçit dhe tulit, që i bie të jesh dell, Doktori është Mëshirë.

Për ata që Doktorin e adhurojnë, por fantazi nuk kanë, Doktori është Legjendë.

Për ata që Doktorin e duan dhe e respektojnë, por meqënse Doktori nuk është diçka që e takon çdo ditë, Doktori është koincidencë.

Për shkodranët Doktori është Fantazi.

Për skraparllinjtë Doktori është Baba Teqeje.

Për Tropojanët Doktori është drejtor ndërmarrje.

Për vlonjatët Doktori është ministër i brendshëm që nuk lejon skafizmin dhe hashashin.

Për lebërit Doktori është helli ku duhen pjekur të korruptuarit.

Për jo pak shqiptarë që e kalojnë jetën duke ngrënë e duke u hipur grave, Doktori është Përrallë.

Për budallenjtë Doktori është kockë në fyt.

Për ata që kanë dy fije ment në kokë Doktori është Punë.

Për të përndjekurit dhe pronarët Doktori është kudhër ku shtypet koka e komunistave dhe mulli ku bluhen kockat e nomenklaturistave.

Për shqiptarët në përgjithësi, Doktori është Histori. Doktori është Gjeografi. Doktori është gjithçka. Doktori është gjeni'.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: