Ëndrra çadre me ndërkombëtarë

Ëndrra çadre me ndërkombëtarë
Nga Alfred Peza

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Ka pësuar një metamorfozë vërtet interesante, qasja e opozitës shqiptare, gjatë muajve të fundit, në përpjekjet për të futur në lojë ndërkombëtarët, në luftën për të mundur mazhorancën e për tu rikthyer në pushtet në Shqipëri. Është një kurb sa serioze, aq edhe qesharake. Një rrugë sa naive, aq edhe e djallëzuar. Një përpjekje sa për tu vlerësuar, aq edhe për tu argëtuar. Duke shkuar deri në kufijtë e një kazusi, të denjë për tu studiuar nga politologët. Si një shembull, realisht, spektakolar se si një lidership, një parti, apo një grupim politik, nuk duhet të veprojë, në përpjekjet gjithsesi të lavdërueshme për të arritur qëllimet e saj, sepse e gjitha, është kundër çdo lloj ligjësie të sistemit, rregullave normale të një loje politike dhe mënyrës së funksionimit të diplomacisë dhe botës demokratike.

Por le ta sqarojmë në mënyrë të thjeshtë dhe kronologjike se, çfarë ka ndodhur. Besoj se gjithkush që është sadopak i vëmendshëm rreth zhvillimeve politike në vend, e mban mend sesi, disa muaj më parë, gara presidenciale në SHBA mes Hillary Clinton-it dhe Donald Trump-it, në mediat shqiptare, gati-gati, pasqyrohej si një garë mes PS dhe PD, mes Edi Ramës dhe Sali Berishës e Lulzim Bashës. Si një garë jo mes përfaqësuesit të së majtës dhe të djathtës amerikane, por si përplasje për jetë a vdekje, mes të majtës dhe të djathtës shqiptare. Besoj se të gjithë e kujtojnë fillimin e nëntorit të kaluar, kur fitorja e presidentit Trump u përjetua nga demokratët në Tiranë, gati-gati, edhe më me gëzim sesa në vetë kampin e stafit të tij të ngushtë republikan në Uashington. Mediat e djathta në Shqipëri, hapën shampanjën e një gëzimi të parrëfyer më parë, duke filluar që ta barazonin hyrjen e Trump-it në zyrën ovale, me daljen e Ramës nga zyra me kosh basketbolli në Tiranë.

Ishte ky momenti kur filluan ecejaket e emisarëve të opozitës sonë, në të dy anët e oqeanit, në përpjekjet për të lidhur, sa më shpejt, fijet e këputura me kryeqendrën e diplomacisë globale. Duke ëndërruar se e rigjetën më në fund, shkopin magjik ta Harry Potter-it, për të mundur Edi Ramën. Kaq u desh që presidenti i ri amerikan, jo vetëm të bëhej qytetar nderi, por edhe një rruge në Kamzë, t’i vihej emri i tij. Ndërkohë që kishte filluar fushata propagandistike për ata që ëndërronin një erë të re në politikën globale "putiniane", që pritej të sillte ndryshim total të kursit diplomatik të SHBA-së në Europë e Ballkan, e për rrjedhojë, sigurisht, edhe në Shqipëri. E shoqëruar kjo, edhe me efektin domino që pritej të sillte referendumi pro Brexit, i cili çoi në divorcin e Britanisë së Madhe me BE-në, rritja e frymës së populizmit në Francë, problemet me standardet demokratike në Maqedoni, Hungari, Turqi a gjetkë.

Paralel me këtë, filloi një fushatë që ushqehej edhe në disa vende të tjera, kundër Sorosit dhe atyre që u quajtën "sorosianë", me shpresën se kjo do ta bënte edhe më të motivuar Trump-in për të luftuar "dishepujt" e armikut të tij filantrop, në qeveritë e ish-lindjes komuniste në Europë. Pa lënë në harresë këtu, edhe një fushatë të egër kundër Ambasadorit të SHBA-së dhe të BE-së në Tiranë, që kishin udhëhequr përpjekjet e ndërkombëtarëve për të mbështetur miratimin e reformës në drejtësi. Krahas kësaj, u vunë në lëvizje të gjitha mekanizmat e vjetër e të rinj të lobimit në Uashington e Bruksel, si edhe ngritën në art, fenomenin që po dominon kohët e fundit, botën e informacionit: Fake News-in. Ishte kjo atmosferë që shoqëroi protestën e 18 shkurtit, dhe ditët e para të çadrës së opozitës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Me shpresën se duke kombinuar presionin e brendshëm me atë ndërkombëtar, do ta detyronin mazhorancën të pranonte kushtet e opozitës, për krijimin e qeverisë teknike. Duke shkuar, më pas, të sigurt, më 18 qershor, për të marrë të qetë mandatin qeverisës, e për tu rikthyer, sërish, në pushtet.

Por atëherë kur menduan se ishin më pranë se kurrë realizimit të këtij skenari, u kuptua se diçka e madhe nuk shkonte në gjithë këtë histori.

E para, se politika amerikane ndaj Europës, Ballkanit e aq më pak Shqipërisë, nuk ndryshon, as sipas dëshirës së politikanëve tanë lokalë, as sipas pikëpamjeve të vetë kandidatëve për president të SHBA-ve, të shprehura gjatë fushatave elektorale. Këto qasje janë strategjike, afatgjata dhe nuk i nënshtrohen koniukturave e, aq më pak, dëshirave a halleve të momentit të ndokujt.

E dyta, të pretendosh se Presidenti i SHBA-së, ka prioritet sapo futet në zyrën e tij, hallet e kujtdo lideri politik në Shqipëri, është më shumë se naive. Pjellë e një kulture qesharake, mitomane dhe e delireve ballkanike se ky "fshati" ynë i vogël është kërthiza e botës.

E treta, të përpiqesh të zgjidhësh problematikën specifike të një procesi kalimtar politik në Shqipëri, me koniukturën e përgjithshme globale, është jo vetëm të gënjesh keqas veten, por mbi të gjitha, të ushqesh iluzione të paqena tek përkrahësit dhe votuesit e tu.

Është kjo arsyeja për të kuptuar se kur gënjeshtra e liderëve të tillë politikë, që i është ofruar njerëzve të tyre me tamtame, në formën e një ëndrre të madhe e të bukur, është krejtësisht utopike. Për rrjedhojë, ajo nuk do të zbatohet kurrë, sepse qëndrimet zyrtare si të Europës ashtu edhe të SHBA-së, por edhe e gjithë faktorëve të tjerë ndërkombëtarë të interesuar për zhvillimet në Shqipëri, ka qenë e qartë, e thjeshtë dhe e prerë për opozitën: Shkoni në parlament, miratoni implementimin e reformës në drejtësi dhe hyni në zgjedhjet e 18 qershorit, për të provuar që ta merrni pushtetin vetëm nëpërmjet votës së qytetarëve shqiptarë.

Kur u kuptua nga të gjithë se, ky qëndrim është i panegociueshëm dhe i patjetërsueshëm, erdhi edhe momenti i një zhgënjimi të madh; aq sa e detyroi vetë liderin që e ka prodhuar gjithë këtë qasje, tërësisht iluzive, të bëjë një kapërcim pindarik, e të shpërthejë në anën e kundërt. Duke mos e kërkuar fajin tek vetja, por tek të tjerët, si gjithmonë. Sikundër bëri Lulzim Basha kur deklaroi në çadër se, "me paratë e drogës shqiptare, paguhen lobues europianë dhe amerikanë, fundërrina morale, që bëjnë duanë e krimit të organizuar dhe qeverisë më të korruptuar të Europës, për të vjedhur milionat nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës".

Kaq mjafton për të kuptuar se kur nuk ka asnjë kauzë të vërtetë, sado i zoti të jesh për ta shitur hallin tënd personal si hall kombëtar, gjithnjë do të dështosh, sepse jo sot, por qysh kur se ka lindur shoqëria njerëzore, është thënë se nëse diçka lind nga hiçi, do të rikthehet në hiç. E nga ana tjetër, sado mbështetje të kërkosh, të gjesh apo të marrësh nga ndërkombëtarët, një gjë është e qartë si drita e diellit, se ata nuk janë përcaktues në realizimin e ëndrrës tënde me kolltuk kryeministri. Sepse përcaktues për këtë, janë vetëm qytetarët shqiptarë, me votën e tyre. Ndaj është e kotë të kërkosh pushtetin, "duke u endur si çifuti në shkretëtirë". Ai është këtu, në Shqipëri, në dorën e votuesve shqiptarë. Nëse ke miratimin e sovranit më 18 qershor, e nga ana tjetër edhe të ndërkombëtarëve, kjo do të ishte ëndrra vetë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: