Interesat e kredive rriten, të depozitave zerohen

Interesat e kredive rriten, të depozitave zerohen
Kontrasti - Interesat bankare të kredive dhe ato të depozitave po e thellojnë gjithmonë e më tepër hendekun e tyre, teksa këto të fundit po shkojnë të gjitha drejt zeros. Kurse të parat vazhdojnë që të jenë ende të larta, si në lekë dhe në valutë

Të marrësh një kredi në bankë, është një veprim që shoqërohet përherë me interesa të larta për të paguar. Kurse të kursesh para’ pranë saj në formë depozitash, duket se tashmë nuk është një veprim me leverdi për qytetarët, pasi interesat e tyre thuajse po shkojnë të gjitha drejt zeros. Duke e thelluar kështu gjithmonë e më shumë hendekun që ka ekzistuar prej kohësh mes normave të interesit për kreditë dhe atyre për depozitat. Por që mesa duket, tani po bëhet edhe më i dukshëm, teksa këto të fundit po zerohen.

Një dukuri e tillë konfirmohet nga të dhënat më të fundit të referuara prej Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave, përballë kredive, normat e interesit të depozitave po njohin vetëm rënie.

Konkretisht, sipas tyre, norma mesatare e interesit të depozitave me afat 1-60 mujore rezulton që të ketë qenë zero gjatë muajit shkurt të këtij viti. E kjo për të tre kategoritë, si për depozitat e individëve apo bizneseve në monedhën vendase lek, edhe në ato të krijuara pranë bankave në valutë të huaj, euro apo dollarë.

Për të treguar në këtë mënyrë se për të gjitha kategoritë, përveç efektit të ruajtjes së parave të tyre, duket se nuk ka më interes për shtim të parave të tyre prej një depozite nga bankat. Mjafton të kujtojmë këtu se norma më e lartë e interesit për depozitat, gjatë periudhës së lartpërmendur, rezulton të ketë qenë pikërisht ajo prej 2%, respektivisht për ato në lekë me afat maturimi 36 apo edhe 48 mujore, si për individët, edhe për bizneset. Një shifër kjo mjaft e ulët, po ta krahasojmë në fakt me normën më të lartë të interesit që është identifikuar gjatë muajit shkurt 2017 për kreditë në tërësinë e tyre. Konkretisht, rezulton se norma më e lartë e interesit për të gjitha kreditë, ka qenë ajo në monedhën vendase, lek, prej 9% për ato deri në 6 muaj.

9%

Ka qenë norma më e lartë e interesit për kreditë, kundrejt asaj prej vetëm 2% për depozitat, duke folur kështu për një diferencë të madhe mes tyre

Kreditë, norma mesatare nuk po zbret nën nivelin 4% për të gjitha monedhat

5% rezulton që të jetë norma mesatare e interesit për të gjitha afatet e maturimit për kreditë që jepen në monedhën evropiane euro; po kaq për ato që jepen në monedhën amerikane, dollar dhe 7% për ato që jepen në monedhën vendase, leku.

 Kreditë që jepen nga sistemi bankar në Shqipëri, si ndaj biznesit, edhe ndaj qytetarëve, nuk njohin ndonjë shifër më të vogël se ajo prej 4% të normës së tyre mesatare të interesit. Kjo faktohet nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave, konkretisht kjo shifër ndeshet kryesisht tek kreditë e reja të akorduara në euro për afatin e maturimit 1-3 vjet, apo mbi 5 vjet.

Të mos harrojmë se në këtë rast bëhet fjalë për aplikimin e monedhës evropiane, gjë e cila në praktikë përkthehet sërish me një nivel të lartë parash që qytetarët duket t’i kthejnë bankës për kredinë e marrë prej saj, edhe pse ajo rezulton me normën më të ulët të interesit që ofrohet aktualisht.

Situatë e cila në fakt, nuk rezulton e ngjashme me monedhën tjetër të huaj në të cilën merren zakonisht kreditë, dollari, i cili e ka normën mesatare të interesit për të gjitha afatet e maturimit rreth 5%. Shifër kjo e cila rritet pastaj sipas afateve specifike, siç është ai përshembull për kreditë e akorduara për afat 1-3 vjet, norma e interesit të të cilave arrin deri në 8%.

Skemë kjo e ngjashme edhe për kreditë të cilat akordohen në monedhën vendase, leku, të cilat e kanë normën e tyre mesatare të interesit për të gjitha afatet e maturimit në nivelin prej 7%. Por që për afate të caktuara, siç është përshembull ai për kreditë e akorduara për afat 1-3 vjet, ky tregues arrin deri në nivelin prej 8%. Apo edhe deri në 9% për ato që jepen për një kohë më të shkurtër, (e përkthyer ndryshe në terma konkretë, që duhet t’ia kthesh sa më parë bankës), duke arritur në një nivel prej deri 9%.

 

Depozitat deri 1-vjeçare, të gjitha me normë interesi 0%

Nëse ke një depozitë pranë bankave me afat maturimi deri 1 vit, mos shpreso të përfitosh shumë para’ nga interesat e tyre

Nëse ke një depozitë pranë bankave me afat maturimi deri 1 vit, mos shpreso të përfitosh shumë para’ nga interesat e tyre, pasi ato rezultojnë të jenë zero. Të paktën sipas Bankës së Shqipërisë, e cila në listimin e shifrave konkrete të normave respektive bën me dije se konkretisht për depozitat me afat 1-3-12 mujore ato janë zero. E vlefshme kjo si për ato që krijohen në monedhën vendase, edhe në monedhat e huaja, euro apo dollar.

Një trend ky që duket se “e merr kthesën” kur nis dhe bëhet fjalë për depozita me afat maturimi që e kalojnë periudhën 1-vjeçare, për të cilat nisin dhe aplikohen norma më të larta të interesit. Duke nisur nga norma prej 1% për depozitat me afat matarimi 36-mujor në euro dhe në dollar dhe 2% për të njëjtin kreditim, por në monedhën vendase.

Për të arritur më tej, në nivele më të larta për afatet më të gjata të maturimit, respektivisht me nivelin prej 1% për normën mesatare të interesit prej depozitat 60-mujore në euro, po kaq për ato me të njëjtin afat maturimi në monedhën amerikane dhe 2% në monedhën vendase, leku.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: