INTERVISTA Dëshira Subashi: Kriza politike? Zgjidhje në momentin e fundit

INTERVISTA Dëshira Subashi: Kriza politike? Zgjidhje në momentin e fundit
Ish-nënkryetarja e KQZ-së flet me “Albanian Free Press”: Situata të tilla kemi patur edhe më parë, zgjidhja gjendet me konsensus edhe në momentin e fundit

Dëshira Subashi prej shumë vitesh ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Në vitin 2000 kandidoi për të marrë detyrën e anëtarit të KQZ-së. U votua nga Konferenca gjyqësore, por nuk u miratua si anëtare e KQZ-së. Vazhdoi punën e gjyqtarit të Apelit, por nuk hoqi dorë nga kjo kërkesë. Në vitin 2003, në një vakancë të krijuar në KQZ, tentoi sërish. Ju drejtua me një kërkesë Partisë Socialistë, e cila e mbështeti duke e propozuar si kandidatë për anëtare të KQZ-së, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ky i fundit, midis katër kandidaturave, dy nga PS dhe dy nga PD, vendosi zgjedhjen e saj anëtare të KQZ-së. Pas përfundimit të mandatit, nuk u rikthye në vendin e mëparshëm të punës, në Gjykatën e Apelit dhe prej disa vitesh endet gjyqeve, për të kërkuar të drejtën...

Intervistoi: Albert Zholi

Znj. Subashi ka një tension të madh politik për sa i përket zgjedhjeve. 48 parti politike janë regjistruar për zgjedhje dhe 25 jo. Madje nuk janë regjistruar as koalicione zgjedhore. Në këto kushte, kur opozita thekson se nuk hyjmë në zgjedhje pa qeveri teknike, a do të zhvillohen zgjedhjet e 18 qershorit?

Unë mendoj se po. Ka ende ca ditë dhe mendoj se do të arrihet një konsensus, do arrihet një rrugë zgjedhjeje. Këto situata fatkeqësisht kanë qenë në disa zgjedhje parlamentare, por kur mendohej se çdo shpresë kishte humbur, është gjetur rruga e duhur. Personalisht kam menaxhuar disa zgjedhje dhe disa situata të tilla kanë kaluar.

Z.Basha duket i prerë për të mos hyrë në zgjedhje pa qeveri teknike...

Gjithmonë është gjetur një zgjidhje në një moment të caktuar pavarësisht shumë deklaratave. Pra besoj se do të gjendet një rrugë që do të bazohet në ligj. Unë flas vetëm në bazë të ligjit dhe ligji ka hapësira për komunikim dhe gjetjen e rrugës së zgjidhjes.

Pra, në këto kushte, Kushtetuta e lejon të shkohet në zgjedhjet e 18 qershorit pa opozitën?

Marrëveshja është pjesë e politikës brenda ligjit. Kushtetuta thotë se, të gjitha partitë politike garojnë në zgjedhje. Është një parti, janë dhjetë parti, është pozitë është opozitë, partitë kanë detyrimin të hyjnë në zgjedhje. Në këtë mënyrë është i ndërtuar shteti. Ai që nuk bën detyrën është i lirë të ikë.

Ndërkombëtarët nga ana tjetër bëjnë thirrje që çdo gjë të zgjidhet në parlament, aty ku është vendi i diskutimeve politike....

Kjo është detyrë e partive dhe unë nuk i jap dot përgjigje kësaj pyetjeje. Në aspektin teknik Kodi Zgjedhor e ka zgjidhur çdo gjë në lidhje me zgjedhjet. Ka norma dhe rregulla dhe ne është absurde të pyesim: A duhen zbatuar rregullat në Shqipëri? A duhen zbatuar ligjet në Shqipëri?

Në gjykimin tim unë duhet të dal mbi ligjin që t’ju jap juve një përgjigje. Por unë nuk dal mbi ligjin. Për mua ligji është Mbreti, është gjithçka që lidhet me rregullat e ndërtimit të shtetit në demokraci. Ligji është demokracia, ligji është vetë shteti. Ligji në vetvete është demokracia, ne vetëm duhet t’i zbatojmë ato.

Unë kam qenë një nga to që e kam pësuar nga ato që kanë drejtuar shtetin dhe më kanë shkelur të drejtat. Ndaj them që të respektohet ligji dhe vetëm ligji si në Kodin Zgjedhor edhe në afatet e zgjedhjeve.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: