Juventusi bëhet “mur” ndaj Barçës, në gjysmëfinale me Monakon

Juventusi bëhet “mur” ndaj Barçës, në gjysmëfinale me Monakon
Nuk ndryshon asgjë nga ndeshjet e dyta të raundit çerekfinal të UEFA Champions League, ku Juventusi dhe Monako kalojnë në gjysmëfinale falë fitoreve të arritura në raundin e parë të dueleve kundër Barcelonës dhe Borusias së Dortmundit.

Në “Camp Nou” Barcelona shpresoi në "remntadën" e radhës por nuk shkoi më shumë se barazimi pa gola që e kualifikoi lehtësisht skuadrën italiane në raundin tjetër falë fitores 3-0 në ndeshjen e Torinos.

Katalanasit tentuan të çanin "murin" bardhezi por nuk ia dolën mbanë edhe pse gjatë gjithë sfidës kontrolluan pjesën më të madhe të topave, por Mesi, Nejmar e Suarez nuk arritën të kalonin Bufon, duke i dhënë lamtumirën këtij kompeticioni.

Triumfi juventin mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje për atë dështim në finalen e vitit 2015 ku Barcelona arriti të fitonte duke ua rrëmbyer trofeun kampionëve të Italisë.

Në ndeshjen tjetër të luajtur në principatë, Monako e futi takimin në shina që në minutat e para duke triumfuar 3-1. Kylian Mbappe dhe Radamel Falcao i dhanë dy shuplaka të shpejta brenda 17 minutave skuadrës së Thomas Tuchel që humbi besimin pavarësisht golit të realizuar nga Reus në pjesën e dytë, pasi Germain vulosi sfidën.

Një humbje që i vendos kapakun sezonit të Borusias që tashmë është pothuajse jashtë të gjithë objektivave sezonalë, ndërsa Monako duket se po përsërit magjinë e vitit 2004 kur arriti deri në finalen e Champions League, edhe pse tashmë duhet të presë shortin për të mësuar skuadrën që do të sfidojë në gjyfmëfinale. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: