Ka “ngrirë” koha

Ka “ngrirë” koha
Frrok Çupi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Sot kam lexuar një lajm për besimin mbi “ngjalljen e Krishtit”, por m’u duk se ishte shkruar për të evokuar pikërisht ngjarjen dhe kohën rreth nesh, këtu në Tiranë. Lajmi është ky:

Një gazetar i gazetës amerikane “The Chicago Tribune”, Lee Strobel, që nga vitet ’70 ishte shpallur ateist. Kjo ishte bërë e njohur edhe në Universitetin e Yakle ku studioi dhe kudo. Por një të diele, kohët e fundit, gruaja e tij Leslie, shihet tek po shkonte në kishë.

Kishin kaluar shumë vite që Strobel e shpallte veten familjarisht “ateist”, por nuk e  dinte që gruaja besonte. Bëri të pamundurën për të “fituar” gruan, pas kësaj. Dhe hyri të zbulojë enigmat mbi Krishtin: “Ka shërbyer, siç thonë, apo jo?”. “Është ringjallur Krishti apo jo?” Pyetje ekzistencialiste që zoti  Strobel guxoi t’i shfaqte hapur. Dhe doli se ishin të vërteta; edhe shërbesa, edhe ringjallja...

Njeriut i kishte “ngrirë koha”. Ai nuk kishte ngulmuar për të zbuluar mbi Krishtin dhe, ndërkohë, në “akullnajën” e kohës kishte humbur të shoqen.

Ja ku jemi:

1.

Një protestë  qytetare e projektuar me kujdesin më të madh, që të mbahet koha si kali nga frenat. Protesta ka zënë rrugën në bulevardin e madh, mes dy selive, ku gjallojnë institucionet “fajtore” për gjendjen e keqe e të “pabesueshme” të vendit, - sipas opozitës që mban protestën në këmbë. Prej katër vjetësh, opozita xhiroi në “boshllëk”, madje, mori mbi vete edhe mallkimin e qytetarëve të pakënaqur ndaj qeverisë se, “kjo opozitë nuk na çon aty ku duam”. Sjellja klasike e opozitarizmit nuk pinte më ujë; as në Kuvend, as me protesta të mëdha ditore, as me gjykata dhe padi penale. Përballë ndodhej një ekip establishmenti jashtë kohe,  që as donte t’ia dinte për opozitë, as për të pakënaqur, as për padrejtësi, as për varfëri, as për mungesë stabiliteti. Establishmenti kishte marrë formën e kalit dhe harbonte nga t’i donte qejfi. Kali në vrap nuk kapet “as nga njëqind burra”, - thotë populli. Qeveria është treguar me gisht si arrogante edhe nga militantët e vet politik... Atëherë, në mënyrë alegorike, opozita vendosi të “ngrijë” kohën ku po vraponte “kali”. Ngriu kohën me një mënyrë të thjeshtë: Një çadër në bulevard ku bashkohen të mëdhenj e të vegjël, të huaj dhe vendas, dhe ku nuk ka “kohë përfundimtare”, - siç deklaroi kryetari i opozitës, që ditën e  parë. Kufi të fundit nuk caktoi kohën, por qëllimin:  “qeveri teknike” për “zgjedhje të ndershme. Koha ngriu, deri në këtë pikë.

2.

Establishmneti (ku hyjnë qeveri, Kuvend,  Institucione ligjzbatuese...), ndërkohë jetonte para pasqyrës së vet. Kishte ndërtuar një pasqyrë kolosale dhe aty shihej, krihej, zbulohej dhe kënaqej me të gjitha që shikonte në pasqyrë. Shikonte zyra luksoze, shikonte piktura të bëra në kohë pune në zyrë, shikonte kostumet më të shtrenjta mes gjithë “celebrities”, dmth., “figurave” të botës. Në pasqyrë u shfaqën edhe fjalimet e  bujshme, premtimet pa limit, duartrokitjet e një milion shqiptarëve (që edhe këto kishin ngrirë, por nuk i shikonte njeri). Të gjitha, të gjitha... dukeshin si ngjyra pafund. Gjithçka në pasqyrën e qeverisë lëvizte me shpejtësinë e dritës dhe dinamizmin e kalit të garave.

... Mirëpo në anën e pasme të pasqyrës, kishte ngrirë koha. Atje ndodheshin miliona njerëz të pakënaqur dhe pa prezencën e qeverisë. Premtimet që u dhanë lumë, as u dukën më; as punësim, as shëndetësi falas, as shëndetësi fare, as “gju më gju me popull”. Korrupsioni u kthye në “galopant” siç konstatoi Departamenti i Shtetit në SHBA.

Mijëra parcela me bimë narkotike, gjallonin përtej pasqyrës dhe  në malet dhe skërkat e Shqipërisë, aq sa, një ditë - këto ditët e fundit qeveria u detyrua të pranojë se “nuk e kontrollonim territorin”. Prapa shpinës “si të oksiduar” të pasqyrës, kishte ngirë siguria e njerëzve; kriminelët ishin sheshit, madje edhe deri në krye të institucioneve të shtetit. Kuvendi kishte miratuar një rezolutë ku pranonte se vetë ishte i inkriminuar, - por kjo nuk lexohej në pasqyrë. Atje, në popull, kishte plasur ironia dhe neveria ndaj arrogancës së ministrave dhe kryeministrit, por këndej nga pasqyra nuk shikohej... Për qeverinë koha kishte “ngrirë” andej nga ana tjetër e pasqyrës.

3.

Kohën mes Perëndimit dhe vetes, qeveria nuk mundi kurrë ta kapë! Domethënë, koha nuk ishte e gjallë, ishte një copë mjegull si akull, dhe asgjë më shumë. Premtimin për “anëtarësim” në BE, e paraqitën si kërcënim kundër atyre që nuk bindeshin. Marrëdhënien me Gjermaninë e perceptuan si “luftë kundër të tjerëve”, duke nisur që nga Amerika. Me fqinjët gatuan marrëdhënie gallatë, por jo politike as stabilizuese. Këndej pasqyrës, qeverisë iu duk vetja si “qeveri globale”, dhe humbi kontaktin me globin. Kryeministri sulmoi ashpër presidentin e Shteteve të Bashkuara, madje, përdhosi edhe amerikanët, duke iu thënë: “ Problemi juaj, nëse zgjidhni Trump, nuk është problemi im”.

Në Europë, ndërkohë, u zhvillua shumë fryma kundër elitave politike boshe, që nuk shërbejnë popujt, që falin sovranitetin, që nuk luftojnë krimin, që nuk respektojnë kufijtë dhe kombin... Europa tani po kërkon një BE të re, ose nuk do të ketë më lidhje me BE. Sot, lideri i Brexit, Farage, deklaroi në Parlamentin Europian se “BE është një mafie më vete”... Këta këtu vazhdojnë të bëjnë njësoj sikur nuk ka ndodhur gjë: Propagandë, demagogji, gënjeshtra, korrupsion, arrogancë... Sikur bota të mos kishte pësuar asgjë!

Por bota ka ndryshuar gjatë kohës që për këta kishte ngrirë...

Tani  ndodhemi në prag të një zgjidhjeje, - një qeverie teknike, një lëvizje për zgjedhje, për një pluralizëm politik që po ngrinte, për një liri për të mos u mashtruar sy në sy. Kjo po ndodh: Thjesht po shkrihet koha... Palët i janë kthyer për të verifikuar nëse Krishti kishte shërbyer dhe ishte ringjallur, njësoj si gazetari Strobel. Ndryshe, do ta kishin humbur “gruan”!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: