Master dhe doktoraturë, ja niveli i gjuhës së huaj, që duhet për aplikim

Master dhe doktoraturë, ja niveli i gjuhës së huaj, që duhet për aplikim
Njohja e detyruar e njërës nga 5 gjuhët e Bashkimit Europian, vendoset si kriter pranimi për kandidatët që do të konkurrojnë për të fituar nga kuotat e pranimeve, për programet master dhe ato të doktoraturës. Udhëzimi i miratuar nga ministria e Arsimit, detajon përcaktimin e niveleve dhe testeve ndërkombëtare të 5 gjuhëve të huaja të lejuara, përkatësisht: “Gjuhës angleze, frënge, gjermane, italiane dhe gjuhës spanjolle”. Në këto kushte, të gjithë kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në programe studimi, të ciklit të dytë apo të tretë, në institucionet e arsimit të lartë, duhet të kenë të konfirmuar me dëshmi përkatëse, nivelin e lejuar të njohjes së njërës prej këtyre pesë gjuhëve të huaja, të përmendura. Ekspertët e dikasterit të arsimit, theksojnë se klasifikimi i aftësive gjuhësore dhe niveleve të njohjes, do të bëhet sipas përcaktimeve që gjenden të detajuara në tabelën bashkangjitur shkrimit, ku jepen edhe referencat e pikëve të testimeve të ndryshme ndërkombëtare, që do të zhvillohen.

Këto pikë do të shërbejnë si standard për njohjen e gjuhëve të huaja, sipas llojit të testeve që do të ofrohen, tashmë, zyrtarisht, edhe në vendin tonë. “Për pranimin në programet e studimit të ciklit të dytë (master), kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj, ndërmjet nivelit B1 dhe nivelit C1. Universitetet do të përcaktojnë në rregullore edhe nivelin e gjuhës, që do të jetë kriter hyrës në programet e studimit të ofruara prej tyre në ciklin e dytë, brenda niveleve të miratuara. Ndërsa për pranimin në programin e studimeve të doktoraturës, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj të nivelit C1”, - bëhet me dije në udhëzim.

Kështu, studenti që aplikon për t’u pranuar në këto programe universitare, duhet të ketë certifikime dhe rezultatet e testimeve ndërkombëtare për nivelet e njohjes së gjuhëve, të cilat i përkasin një periudhe jo më vonë se 2 vjet, nga çasti i lëshimit të tyre. Dokumenti i njohjes së gjuhëve të huaja, mund të jetë një certifikatë, diplomë apo dëshmi, e lëshuar nga subjekte të njohura dhe miratuara nga ministria e Arsimit dhe Sportit për ofrimin e testeve ndërkombëtare të njohjes së 5 gjuhëve të përmendura. Pas miratimit të këtij udhëzimi, MAS kërkon nga universitetet, të shpallin në mjediset e tyre, listën e niveleve të njohjes së gjuhëve të huaja dhe testimeve ndërkombëtare, në referencë të përcaktimeve të miratuara në udhëzim, për secilin nga llojet e testeve të lejuara, të vendosur si kriter pranimi në programet e studimit të ciklit të dytë apo të tretë.

Universitetet, gjithashtu, duhet të zbardhin edhe listën e subjekteve të njohura nga MAS, të cilat gëzojnë të drejtën e pronësisë intelektuale, mbi testimet ndërkombëtare të njohjes së këtyre gjuhëve.

 

http://www.arsimi.gov.al/files/userfiles/udhezimeurdhera/udhezim_nr._52_gjuhet_e_huaja_i_ndryshuar.pdf

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: