MEDIAT ONLINE: KUSH KOPJON KË?!

MEDIAT ONLINE: KUSH KOPJON KË?!
Nga ILDA LUMANI

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Një nga arsyet që më ka motivuar që në fillim kur u bëra pjesë e opinionistëve të gazetës “Albania Frees Press” ishte rregulli që ka vendosur si në versionin print dhe atë online të ndalimit të publikimit të shkrimit: “Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press”! M’u duk si një prazmore, që mbronte punën e kolegëve dhe time! Pasi është bërë kaq normale vjedhja, ripublikimi, madje dhe humbja e autorësisë së lajmit, sa të duket pretendim i madh ta kërkosh këtë gjë. Edhe pse në shumë faqe online kryesisht shkruhet e zeza mbi të bardhë, që ndalohet ripublikimi, sërish shumica e portaleve nuk hezitojnë përpara kësaj vjedhjeje, që në optikën time po kthehet në një masakër! Këto media të reja, përveç vlerave që kanë informimit në kohë reale, po përdoren shpesh keq, që nga sulmi që i bëjnë një individi, biznesi, apo force politike, por më e keqja është se këto shpesh prodhojnë terr informativ; disinformimi, keqinformimin, çfarë ka shkaktuar gjënë më të keqe për lajmin, humbjen e besueshmërisë ndaj tij. Sot, edhe pse çdo gjë merret me rezerva, sërish lajmet e këqija shkaktojnë mërzi, mllef, pakënaqësi, dhe mllef ndaj mediave dhe gazetarëve. Sot,  besueshmëria ndaj gazetarëve është në nivele mjaft të ulëta. Madje edhe mes gazetarëve vetë janë krijuar tashmë ndasi, në kuptimin dihen cilët janë gazetarë (=media) të vërteta dhe cilët janë gazetarë (=media) të pabesueshëm. Por, ajo që është më e frikshme, është fakti se sot mediat janë vënë në një garë absurde hajdutshmërie. Sot nuk luftohet kush të ketë lajmin i pari, kush të ketë tre burime, kush të jetë në vendngjarje dhe të sjell foto dhe video nga terreni, sot fatkeqësisht bëhet një gazetari dembele, e cunguar, e varfër, e shëmtuar. Në këtë artikull kam për qëllim të evidentoj problematikat që i takojnë mediave online, të ashtuquajturave protale infromativ. Që misionin e tyre në këndvështrimin tim shumica e kanë humbur.

Në Shqipëri ekzistojnë rreth 90 portale informativë. Një pjesë e mirë janë një zë i fuqishëm i medias dhe vlejnë për t’u përshëndetur. Një pjesë tjetër është e frikshme dhe merret me gjobëvënie, pa iu dridhur aspak qerpiku.

Për mua jo si gazetare, sepse e njoh tashmë sa e sa vite këtë teori të tmerrshme gjobëvënie, që na fëlliq e demaskon çdo ditë profesionin dhe emrin e gazetarit! Kjo është një nga mënyrat më rutinë që portale të shumta funksionojnë në vend; Shantazh biznesit!

Të tjerë shantazhojnë personazhet. Mos fol për atë portal… Fol vetëm për mua… Do të bëj reklamë…  E të tjera manovra, për të mbajtur një grup njerëzish publik të lidhur pas vetes! Një formë e njohur kjo tash e ca vite.

Por fenomeni i vjedhjes së lajmeve është për mua më i keqi. Kjo ndodh çdo ditë. Pa më të voglin merak, të njëjtin lajm që ti ke bërë e kopjojnë dhe e publikojnë pa ndryshuar as presjen në median e tyre. Vetëm pak ditë më parë kisha publikuar një foto shoqëruar me një artikull të fëmijërisë së Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, në portalin që drejtoj. Ishte një nga më të kilikuarat e ditës (kjo lufta e klikimeve një histori mashtrimesh më vete!). Por, kur erdhi mbrëmja e mandej mëngjesi, në adresën time erdhën linqe të mediave që e kishin nxjerrë komplet çfarë kishim shkruar, pa ndryshimin më të vogël dhe pa iu referuar se ku e kishin marrë. I shkruaj drejtorit të një gazete të rëndësishme në vend dhe pasi më kërkon ndjesë, më thotë që do ta vendosë burimin. Mandej kontrolloj portalin e dytë që e kishte publikuar, i cili i referohej si burim një tjetër portal të cilit ia kishte marrë lajmin. E shoh këtë portal, i cili gjithashtu nuk kishte marrë mundimin të bënte ndonjë ndryshim apo interpretim të vetin të lajmit dhe vë re që lajmi ishte i njëjtë por vetëm burimi se ku e kishte marrë nuk thuhej. I shkruaj këtij drejtuesi që të vendosë burimin. Pasi më kërkon ndjesë më thotë se do ta vendosë. Por nuk kalon pak dhe më shkruan që nuk “ta kanë vjedhur ty lajmin, por ja kanë vjedhur gazetës së parë që citova”! E tmerrshme! “Ok! , - i them. Por edhe gazetën tjetër duhet ta kishte referuar gazetari nga e kishte marrë. Burimi nga është marrë lajmi, është A-ja e gazetarisë”! sigurisht pas këtij mesazhi nuk mora asnjë përgjigje! Ku ta dijë ai dhe shoqet e tij se cila është A-ja apo B-ja e gazetarisë!

Ditët e fundit këtij shqetësimi tim i janë bashkuar edhe disa kolegë të nderuar, dhe ndoshta është momenti që të merret një masë ligjore ndaj të drejtës së autorit, e cila në gazetari shkelet me të dyja këmbët më shumë se kudo! Ndaj, kolegë të nderuar ne që ngremë zërin për çdo temë, le ta ngremë së pari për cënimin që i bëjmë njëri-tjetrit!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: