Mërgjyshi largohet papritur nga drejtimi i Bylis, pritet Troisi

Mërgjyshi largohet papritur nga drejtimi i Bylis, pritet Troisi
Ndodh që të largohesh edhe pas një fitoreje, por ndoshta vetëm në Shqipëri.

Trajneri Artan Mërgjyshi është larguar një ditë pas fitores së skuadrës ballshiote me Pogradecin në “Adush Muça”. Drejtuesit e klubit mallakastriot dhe trajneri 48-vjeçar ndërprenë me konsensus marrëveshjen, por  në një moment delikat, pasi në javët e mbetura të Kategorisë së Parë  Bylis synon ngjitjen në Kategorinë Superiore.

Mërgjyshi nuk ishte në stol as në suksesin minimal me pogradecarët për arsye pezullimi, por ndarja mes palëve u bë zyrtare vetëm gjatë të martës.

Vendin e lënë bosh nga Mërgjyshi pritet ta marrë një trajner i huaj, i njohur për futbollin shqiptar, braziliani Marcelo Troisi, i cili më parë ka drejtuar Kukësin dhe Laçin në Kategorinë Superiore.

Bylisi po rivalizon me Lushnjën për një vend në Superiore dhe gjithçka pritet të zgjidhet në ndeshjen e fundit direkte, që do të luhet në “Roza Haxhiu”. Në përballjen e kaluar, në “Adush Muça”,  zhvilluar më 8 prill, vendasit nuk arritën të fitonin përballë rivalit direkt. Ndoshta është kjo një nga arsyet kryesore që drejtuesit nuk kanë qenë të kënaqur me punën e Artan Mërgjyshit, ndaj edhe vendosën për largimin e tij nga stoli ballshiot.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: