Merkato ka pronar

Merkato ka pronar
Nga Frrok Çupi

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Thuajse të gjithë kanë konstatuar se ndodhemi në një merkato politike. Jo “thuajse të gjithë” por të gjithë kanë të drejtë në konstatimin e tyre

Nuk di nëse kanë të drejtë në zemërimin e tyre ndaj politikanëve që kanë hyrë në Merkato...

Merkato ja ku është:

Koalicioni qeveritar bën sikur prishet dhe pastaj bën sikur nuk prishet kurrë. Njëra pjesë e koalicionit i bën isharete tjetrit. Partia më e vogël në koalicion “kërcënon” partinë më të madhe, sepse kërkon “më shumë” në merkato. Para pak ditësh u tha se LSI kërkon një ministri shumë të rëndësishme. Asgjë nuk dihet saktësisht nëse është e vërtetë apo jo. Por askush nuk dyshon se kjo nuk është e vërtetë. Përderisa jemi në merkato dhe përderisa të gjithë e kemi pranuar këtë fat, atëherë mund të pranojmë se edhe detaji i fundit është i vërtetë.

Vetë partia më e madhe në koalicion (PS) është duke bërë “Pazar” me partin e dytë. Në qoftë se garantohet te çmimi me partinë e dytë, atëherë nuk shkon te e treta dhe e katërta. Por kur nuk ka të sigurt “çmimin me LSI, PS hidhet në kërkim për parti të tjera që krijon në qeveri...

Pastaj vjen një ditë që “pazari” shkon në zero. Pazari shkoi në zero në momentin kur LSI u lëkund dhe bëri deklarata se “nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën”. Por opozita ka garantuar se nuk shkon në zgjedhje. Atëherë i bie që edhe LSI – aleate e qeverisë nuk shkon në zgjedhje. Sikur të mos bëhen zgjedhje, kjo nënkupton deshtimin e qeverisë. Sepse qeveri pa zgjedhje nuk kemi më që nga qeveria e Enver Hoxhës. Europa dhe Perëndimi sot nuk lejojnë më qeveri pa zgjedhje. Ku mund të jetonte qeveria nëse bota nuk e pranon?...

Atëherë zbresim përsëri në merkato: Kryeministri Rama thërriti në bisedime kryetarin e LSI, Ilir Meta. Në mënyrën më metaforike darka e “pazarit” u shtrua në “Pazarin e Ri”. Po kaq dëshmuese ishte edhe që darka e kësaj legjislature u shtrua me prodhime deti- njësoj si katër vjet më parë kur u ngjiz koalicioni PS+LSI.

Të gjitha janë elemente të një pazari politik të hapur. Menjëherë pas darkës në “Pazar”, kryetari i LSI iu afrua një partie të vogël, aleate qeveritare, PDIU. Meta me siguri si gjuetar tregjesh ka menduar se më mirë ta kapë ky “gjahun” e tregut, se sa Rama. Më tej nuk dihet si shkojnë punët, por pazari po bëhet.

Ndërsa Çadra e opozitës po duket se hesht në bulevard. Në fakt nuk po hesht; tregu i vërtetë aty është. Të gjithë i bëjnë pazaret në varësi të Çadrës. Madje edhe drejtpërdrejt. Vetë kryeministri Rama e bën pazarin e ditës në varësi me Çadrën. Ky merr rrugët në të gjithë kryeqytetet e botës, deri edhe në Podgoricë, por në zyrë (pranë Çadrës) nuk vjen. Do të thotë se ka vartësi dhe se ka emocion. Emocioni tani është fitim ose humbje, d.m.th., është Pazar.

Edhe vetë Ilir Meta ka vartësi të padiskutueshme nga Çadra. Sidomos zoti Meta. Ky, sado që i afrohet koalicionit ose kryeministrit, asnjëherë nuk vendos në pavarësi nga Opozita. Zoti Meta e di se Opozita ka një lidhje me Shtëpinë e Bardhë të presidentit Trump. Meta i largohet dhe i afrohet Çadrës aq shume ose aq pak sa mendon se mund t’i afrohet Shtëpisë së Bardhë. Meta po pret një sinjal nga Amerika që të “bjerë qeveria Rama”, dhe pas kësaj ai del nga pazari...

Kështu po ndodh përditë... Më vjen keq për ata që mërziten e dëshpërohen pse “politika është kthyer në Pazar”. Më vjen keq pse e gjykojnë kështu. Më vjen keq pse nuk mendojnë cili është pronari i Pazarit, ose Merkato - në gjuhë tjetër.

Merkato ka pronar; dhe pronari janë këta që lodhen e mërziten pse ka merkato politike. Pronari i Merkatos janë qytetarët, ose populli- siç i thonë këta. Përderisa populli, i informuar(ose keqinformuar) nga mediat e veta, ka lëshuar terrenin e pazarit, atëherë kjo do të ndodhë.

Ne jemi në Merkato sepse jemi pronarë të Merkatos.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: