Milan “ndjek” Inter, Europa bën gati biletat për dy portierët kuqezi të Seria A

Milan “ndjek” Inter, Europa bën gati biletat për dy portierët kuqezi të Seria A
Inter dhe Milan, vetëm një javë pas barazimit 2-2 në derbi mes tyre, kanë “kapitulluar” përballë kundërshtarëve të radhës në Seria A, duke humbur thuajse çdo shpresë për të kapur këtë sezon zonën e Europës. Inter mbrëmjen e së shtunës humbi 5-4 në fushë të Fiorentinës, duke mbetur plot 7 pikë pas Atalantës që ndodhet në zonën e Europa League.

Skuadra e portierit të kombëtares sonë Etrit Berisha fitoi 3-2 ndaj Bolonjës.

Por në takimet e ditës së sotme, edhe Milan dështoi përballë Empolit, brenda në shtëpi, 1-2. Milani me pronarët e rinj kinez nuk e ka shijuar ende fitoren në këto dy javë. Lapadula shkurtoi diferencën në 72’ për Milan, ndërkohë miqtë humbën më herët edhe një 11- metërsh.  Kjo humbje e la Milan në vend të 6-të, pesë pikë pas Atalantës.

Portieri tjetër i kombëtares sonë, Thomas Strakosha ishte në fushë, titullar me Lazio, ku përjetoi emocionet e një fitoreje tenistike ndaj Palermos. Lazio fitoi 6-2. Strakosha pësoi dy gola, në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 5-0 në favor të skuadrës së tij. Lazio mban vendin e katërt, një pikë para Atalantës.

Në ndeshjet e tjera, Kievo humbi 1-3 me Torinon. Sampdoria gjithashtu humbi në shtëpi, 1-2 me Crotone. Udineze shmangu disfatën në shtëpi, pasi fitoi 2-1 ndaj Cagliari.

Në garë për titull, Napoli barazoi 2-2 në fushë të Sasuolo. Mbrojtësi i kombëtares sonë, Elsied Hysaj ishte titullar për ekipin e tij, që mbeti plot 9 pikë pas Juventus kryesues. Bardhezinjtë mund ta thellojnë diferencën edhe më tepër, pas ndeshjes së mbrëmjes së sotme, me Genoa.

Roma e vendit dytë mbyll javën e 33-të në Seria A, pasi luan nesër në fushë të Pescara.

Roma pas 32 javëve të para ka 72 pikë, 8 më pak se Juventus.

Seria A – Java e 33-të

22 prill

Atalanta-Bologna            3-2

Fiorentina-Inter              5-4

23 prill

Sassuolo-Napoli             2-2

Milan-Empoli                 1-2

Chievo-Torino                1-3

Lazio0-Palermo              6-2

Sampdoria-Crotone       1-2

Udinese-Cagliari            2-1

20:45 Juve  - Genoa

24 prill

20:45 Pescara - Roma

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: