Negociatat, eurodeputetët: Ja ku u ndanë palët politike

Negociatat, eurodeputetët: Ja ku u ndanë palët politike
Pas përfundimit të negociatave, të cilat rezultuan të dështuara mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike, zyra e BE-së ka theksuar se bisedimet ishin mjaft të frytshme.

Në një deklaratë për shtyp, zyra e BE-së nënvizon se mazhoranca mbështeti pikat e ofruara nga negociatorët europianë, ndërsa PD ka këmbëngulur në krijimin e qeverisë teknike dhe në votimin dhe numërimin elektronik.

“Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister (PPE) dhe Raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein (S&D) u takuan me përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës ku patën një bisedë mjaft të frytshme, - thuhet në deklaratë. - Dy deputetët evropianë paraqitën propozimet e tyre mbi ecurinë e mëtejshme, që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër drogës, masa teknike për përmirësimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe masat për të rritur besimin ndaj situatës politike. Ata po ashtu bënë propozime mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshimet e mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë  për të rritur besimin afatgjatë në sistem. Nga ana mazhorancës pati dakordësi në lidhje me pikat e ofruara për sa kohë që në parlament votohet Vetingu. Ndërkohë Partia Demokratike ishte e qëndrimit se duhej të emërohej një Kryeministër teknik dhe se duhet të zbatohet një sistem elektronik për numërimin e votave me qëllim që të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”. /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: