Opinion nga Apollon Baçe për Albanian Free Press: Ku po na çoni o njerëz?

Opinion nga Apollon Baçe për Albanian Free Press: Ku po na çoni o njerëz?
Nga Apollon Baçe

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Vite më parë, Mongolia pati blerë kamionë Skoda. Pas një muaji, brenda garancisë, dy prej tyre rezultuan me defekt. Ekspertët konstatuan se kamionët ishin përplasur në shkretëtirën e Gobit, pasi shoferët nuk i kishin hapur rrugë njëri tjetrit. Historia është vërtetë dhe jo e sajuar.

Tek ne kjo lloj përplasjeje, tashmë është ciklike: Menjëherë pas mandatit të parë të partisë shemër në pushtet. Nuk ka ndodhur as edhe një herë  një herë që ky cikël të kalojë dyst, pa dhimbje koke dhe hemorragji. Si e tillë edhe kjo herë nuk kishte pse të ndryshonte, përderisa shkaqe/rrethanat janë po ato: Nga e djathta paaftësia totale e PD-së për të mbyllur kapitullin e shkuar (aspak për tu lëvduar) dhe nisur një kapitull të ri që do ta bënte të besueshme. Nga ana e përkundërt, mungesa totale e skrupujve, paaftësia dhe arroganca skajore e Rilindje/PS.

Por, ndryshe nga herët e tjera, ku notat e larta nisnin me nisjen e mandatit, këto nota nisën muajt  e fundit, kur grindja kryesisht brendashtëpiake (tipeve Rama/Blush, Basha/Dodë, Meta/Prift) ridoli në bulevard. Edhe këtë herë nën hijen e çadrës, të pagëzuar nga Berisha “Çadra e Lirisë, fari i dritës, guximit dhe vendosmërisë” (pak a shumë si “fener ndriçues i marksizëm leninizmit”).

Që nga ky çast të tërë nisën të flasin sa më gjatë, sa më pa brumë. “Kemi frikë të hapim frigoriferin, se na del Edi Rama” përqeshet Kim Mehmeti dhe Rama vetë ndrit me batutat sqimatare “zgjidhni muzikën e luftës për Shqipërinë që duam” dhe “Si e sheh Nardi Lulin ?”. “Shih mor çfarë thonë: Unë jam trafikant droge” thotë ish veziri Tahir (pavarësisht se në këtë muaj që nuk është, u kap dhe u sinjalizua 50 herë më shumë kanabis se gjatë 45 muajve kur ishte). “Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thejuani dritaret, nxirrini nga zyrat” ngjiret Basha, të cilit britmat luftarake i ngjisin sa fjalët e pista djalit të mamasë. Krejt ndryshe nga prototipi Berisha, të cilit kushtrimet e luftës i kanë hije sa s’bën. Aq saqë në krahasim me to, edhe klithmat “waaaaaaaaaaar” të indianëve komançë duken si melodi dashurie: ” Dy javë më parë Edi Rama u tha ministrave të tij se ne jemi para alternativës pushteti apo burgu. Duhet të na falënderojë se meriton më shumë sesa burgun...” (ndonëse pa e sqaruar mirë nëse me meritë kuptonte levat e hekurta apo heqjen zvarrë).

Dhe, sikur të mos mjaftonin tërë këto gjëra të bukura, në kusinë e turlisë parazgjedhore u hodh për shije edhe pak konspirativitet: “Për destabilizimin politik të vendit, shërbimet fqinje inteligjente po përgatiten të vrasin Bashën (pse pikërisht Bashën që nuk shkakton rrëmujë dhe jo Berishën a Ramën që do sillte rrëmujë ?)”. Po pohon mendueshëm Presidenti i Republikës ”Ka mjaft aktorë që punojnë dhe investohen për të destabilizuar Shqipërinë dhe rajonin”. Pavarësisht se shërbimet inteligjente kur duan të vrasin, vrasin dhe nuk thonë do vrasim dhe pavarësisht se tërë vrasjet postkomuniste shqiptare kanë sfond ekonomik (inkluziv Hajdarin dhe Xhindin) dhe aspak politik. Ndërkohë që situatën e mbarsur me konflikt mund ta shpërthejë bukurmirë 7 maji i Kavajës, Datë kjo në të cilën PD premton se zgjedhjet nuk do mbahen se s’ka dhe PS premton zgjedhjet do bëhen se s’ka.

Vërtet që Basha nuk të frigon se zakonisht harron çka thënë (Fatmir Xhafa do kalojë vetëm mbi trupat tanë), por daullet e luftës të Berishës janë krejt ndryshe: “U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të përgatitemi që kjo betejë të njohë nivele të tjera, të cilat të shporrin, ta kërrejnë, të qërojnë nga faqja e dheut Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale, qeverinë”. Dhe kjo kur kujtesa ende nuk i ka fshirë 2400 të vrarët nga thuaj lufta civile e ’97, as tanksat bulevardeskë të ’98, as 200 petritat që gjatë demonstratës anti Meta të 21 janarit dogjën makina dhe i flakën në kokë policisë tërë kalldrëmin e bulevardit, as edhe 4 të vrarët në një kohë që afshi i dhunës kishte shterur. Si e tillë Kavaja e 7 majit, gjithnjë po nuk u arrit ndonjë zgjidhje deri në 7 maj, nuk do ti zhgënjejë aspak shikuesit.

“Askush nuk e kupton në Gjermani dhe në Europë pse pak para zgjedhjeve, kërkohet qeveri teknike. Interesi kombëtar i një opozite nuk mund të jetë kaosi” i vjen në ndihmë Ramës Ministri i Jashtëm i protektores Merkel të Ramës. Duke futur në lojë Teorinë e Kaosit, të cilën formuluesi Lorenz e përmbledh në një sentencë “nëse e tashmja e saktë e përcakton saktë të ardhmen, në kaos e tashmja e pasaktë nuk e përcakton dot as pasaktësisht të ardhmen”. Kostum ky si i prerë me porosi për absurdin parazgjedhor shqiptar. Ndërkohë, sipas kësaj teorie, kur njëherazi ndodh një varg ndodhish në dukje të pa lidhura, filli lidhës mund të kapet vetëm nëpërmjet pyetje/supozimeve. Për rastin në shqyrtim këto pyetje/supozime do ishin:

Ku synon realisht joshje/kërcënimi i Metës “LSI afirmon koalicionin me PS... Por nëse lideri i PS nuk garanton zgjedhje të lira nuk mund të jetë pjesë e këtij koalicioni dhe as e një farse elektorale.”

Nëse Rama është i bindur se koalicioni PS/LSI e ka fitoren të sigurt, përse nuk ndjek këshillën e Metës për ti hapur rrugë qeverisë teknike ?

Përse Meta nuk thotë qeveri teknike, por qeveri besimi ? A është rastësor propozimi i Ramës nr 2 (atij të LSI) për një qeveri transitore të kryesuar nga LSI apo ka lidhje me qeverinë e besimit ?

Kush e shkakton lebetitjen e Ramës “Ata duan kokën time” (si Jan Pagëzori i ikonave sllave që mban në pjatë kokën e tij të prerë). Kush janë “Ata” që duan kokën e tij ? Berisha/Basha ? Meta ? Berisha/Basha/Meta bashkë ? dhe cilën kokë duan, thjesht të kryeministrit Edi Rama apo atë të kryeministrit Edi Rama dhe Edi Ramës bashkë ?

Ku synon dhe sa shanse ka propozimi i Metës “Duhet të kërkojmë ndihmën e PPE që të negociojmë zgjidhjen e krizës” ? Si do arrihej kërkesa e zv. Presidentit të PPE për “dakordësimin e axhendës së negocimit”, ndërkohë që kushti për negocim i PD është qeveria teknike dhe kushti për negocim i PS është kundërshtimi i qeverisë teknike ?

Sa i përgjigjet realitetit opinioni se pas tërë zullumahisë fshihet frika nga vettingu (nga vetterinaring: kontrolli veterinar i gjallesave para garave ose therjeve) dhe dredhimi unë e dua shumë, por është ai tjetri që nuk e do fare.

Së fundi pyetja e fundit është: Po Shqiptarët ?

Pllakati i fundit i Disko Lajmeve nga Lion King, nuk paraqiste skenën e famshme me Timonin dhe Pumban që i thonë Simbas “Hakuna Matata” (Bëj qejf. As mos e çaj kokën). Por skenën lart në mal, me diellin në horizont dhe fushën me Shqiptarë. D.m.th. skenën ku Simba pyet të atin “Këta Shqiptarët, janë si ne o ba?” dhe ku i ati  Mufasa i përgjigjet “Jo o ba. Ata janë dele”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: