Opinion nga Roland Qafoku për Albanian Free Press: Na e vranë heroin tonë, Artan Cuku!

Opinion nga Roland Qafoku për Albanian Free Press: Na e vranë heroin tonë, Artan Cuku!
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Në të vetmin aksion që Artan Cuku dështoi në karrierë, ishte ai për të mbrojtur jetën e vet. Komisari me gradën “Drejtues i Parë”, por i larguar nga policia, nuk arriti të shmangë dy atentatorët që i zunë pritë mbrëmjen e të shtunës së 18 prillit në orën 20:11. Edhe pse falë intuitës dhe reflekseve, arriti jo vetëm ta kuptojë qëllimin e tyre, por edhe të përleshej me ta, ai mbeti i vrarë me pesë plumba në hyrje të pallatit ku banonte. Një vendngjarje kaq pranë banesës së tij, mund të ishte për këdo viktimë për të cilën ai rendte si përherë, por kurrë jo për vetë komisar Cukun. Polici hero, që në 16 vjet karrierë arrestoi me qindra keqbërës e kriminelë, që drejtoi me qindra aksione, që zbuloi me dhjetëra vrasje e që nuk bëri kurrë kompromis, me asnjë prej botës së krimit, befas, mbeti vetë viktimë. Një viktimë që tregoi se mbrojtësit e këtij shteti, goditen akoma më lehtë kur ky shtet për të cilin ai punoi e sakrifikoi, i hedh në rrugë, po kaq lehtë.

Për të kuptuar nivelin e krimit në Shqipëri, nga viti 1990 deri më sot, dhe çfarë kostoje ka patur policia në këto 27 vjet, mjaftojnë të përmendnim dy shifra: Janë vrarë 6700 persona, mes tyre 260 janë policë nga grada dhe niveli më i ulët i detyrës, deri te më i larti. Gjaku i derdhur prej kësaj ushtrie, është simbolika se në këto 27 vjet, policia është viktima më e madhe e shtetit shqiptar.

Nuk e dimë, ende, se mes këtyre 260 policëve të vrarë, në memorialin e ngritur, pak muaj më parë, në ministrinë e Brendshme do të shtohet edhe ylli me emrin e Artan Cukut. Kjo dilemë shtohet, sepse më 1 qershor 2014, eprori i tij më i lartë, kishte firmosur largimin e komisarit me argumentin absurd “shkurtim funksioni organik dhe pamundësi emërimi në një detyrë tjetër”, - sipas nenit 57 pika 2 germa b, e ligjit për Policinë e Shtetit. Por në mendjet dhe zemrat e atyre që punuan, bashkëpunuan dhe njohën Artan Cukun, nuk ka nen që ua heq. Askush nuk mund t’ia heqë nga mendja dhe zemra heroin e të gjithëve që, nëse do të ishte ende në polici, ndoshta, edhe mund të mos ishte vrarë nga ajo dorë kriminale.

Nëse Artan Cuku nuk do të ishte larguar nga policia, sot, ndoshta do të ishte në ndonjë aksion, pas suksesit të të cilit shefat e tij do mburreshin, duke i marrë meritat.

Nëse Artan Cuku nuk do të ishte larguar nga policia, sot, ndoshta do të merrej me zbulimin e ndonjë krimi të ndodhur më parë dhe përsëri shefat e tij do të mburreshin.

Nëse Artan Cuku nuk do të ishte larguar nga policia, sot, ndoshta, do të organizonte ndonjë goditje të elementëve të krimit të cilët vepronin në zonën që ai menaxhonte, dhe, me këtë, të gjithë do të mburreshin.

Nëse Artan Cuku nuk do të ishte larguar nga policia, shteti do të  kishte një armë më shumë në dorë për të luftuar krimin.

Nëse Arta Cuku nuk do të ishte larguar nga policia, vërtetë ai do t’i kushtonte pak kohë djalit dhe vajzës së vogël, por policia do të kishte një lider idealist në radhët e veta.

Nëse Artan Cuku nuk do të ishte larguar nga policia, ne gazetarët do të vazhdonim të kishim në polici, heroin tonë!

Por kjo jetë nuk bëhet me “nëse”. Edhe pse më shumë se 100 vjet më parë, në kryeveprën e tij, poeti Rudyard Kipling shtroi 11 “nëse” për jetën, përsëri nobelisti nuk i dha përgjigje. E pavarësisht nëse-ve që ne shtrojmë, ata e larguan Artan Cukun dhe dora kriminale e vrau. Në fakt thjesht fare, ajo dorë vrau heroin tonë! Lamtumirë heroi ynë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: