Për Franko Radin

Për Franko Radin
 

 

nga Rovena Dilo

 

Franko deshi të nisej,

por zemra vendosi ndryshe

 

I dhamë lamtumirën, Frankos!

Jo, nuk është vetëm trishtimi që të mpin, është edhe pabesia e vdekjes.

Gjithmonë e më shpesh, ajo merr krejt papritur, fare pa pyetur.

Gjithmonë e më shpesh, dëgjojmë të ikin rrëmbimthi, në moshë jo edhe aq të shtyrë, njëri pas tjetrit, njerëz që i njohim dhe njerëz te mirënjohur.

Kështu iku Franko! Por ajo që më preku dhe tronditi nga ikja e tij, ishte tjetër gjë.

Vetëm para dy javësh, e takova në një kryshëndoshë .

Vetëm para dy javësh e pyeta si je e m’u përgjigj, se ishte mirë. Shëndeti, Rovena, ka rëndësi! - më tha. Më vonë mësova se kishte prerë biletën për të ikur jashtë.

Franko jonë, miku ynë i dashur, nuk mundi të largohej në Australi!

Kishte vendosur të ikte nga Shqipëria, duke menduar një jetë më të qetë, larg rrëmujave, çrregullimit, pakënaqësisë dhe gjërave të tjera shqetësuese që prodhon vendi ynë.

Dhe ,si Franko, ka me qindra shqiptare që duan të ikin një orë e më parë.

Por rasti nuk i ngjan rastit dhe unë supozoj se jo gjithkush është i ndërtuar mendërisht për ta përballuar ikjen nga vendi i tij.

Ka njerëz, mendoj, që nëse janë në gjendje të mjerë e të lodhur nga mungesa e minimumit të jetesës, kanë të drejtë të kërkojnë të zhduken një orë e më parë. Por, ka nga ata që, për hir të një rebelimi intelektual apo social, - sepse Shqipëria të fyen me mënyrën se si i përballon situatat e ndryshme individuale apo kolektive, - duan të shkëputen nga krahët e këtij realiteti.

Këtu fillon problemi. Ne asnjëherë nuk e dimë se çfarë kosto do të ketë arratia apo qetësia e premtuar në dheun e huaj.

Qetësia apo rregulli që na pret, mund të mos jenë terreni i duhur për psikikën dhe emocionet e një shqiptari.

Pason një tjetër lloj shqetësimi.

Dëshpërimi i vetmisë që është një lloj trishtimi i vazhdueshëm dhe aspak i shëndetshëm.

Kam dëgjuar plot raste të tilla. Se fjala lëviz si era dhe të fut edhe të dridhurat. Sidomos kur dëgjon acarin e mërzisë së bashkatdhetarëve të tu.

Por emigrimi është i vështirë. Ndodh që edhe qajnë. Njerëz të rritur që qajnë fshehurazi dhe që iu mungon pikërisht vendi nga kanë ikur me vrap, sepse të ikësh është sikur të vdesësh pak. Ti lë pjesë nga jeta jote, nuk mund t’i marrësh me vete. Ato mbeten atje ku i ke jetuar, me ata njerëz që për ty kanë qenë apo janë shumë të dashur. E nuk thonë kot, “guri i rëndë në vend të vet”.

Ashtu ndjehen shumë nga ne. Të rëndë, këtu, në vendin që e shajmë por që prapë e duam. Ne ikëm dhe u kthyem. Ka të tjerë që thjesht ikin pa e vrarë mendjen, ka nga ata që sapo kthehen mendojnë përsëri të ikin apo që sapo kanë ikur pendohen dhe vijnë me vrap. Di të them që ikja ka shumë dhimbje dhe ndonjëherë kjo është e padurueshme. Por ndonjëherë edhe nuk ikën, sepse thjesht zemra zgjedh të qëndrojë këtu. Në vendin e varfër, të lodhur, të vuajtur. Në vendin tënd që, megjithëse ndodh edhe të të ketë torturuar, ti përsëri s’e lë dot. Ose ndoshta, nuk të lë ai. Shqipëria zgjedh të të mbajë këtu. Siç zgjodhi të mbante Frankon. Nuk deshi ta linte të largohej!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: