Rilindje apo fund Republike?!

Rilindje apo fund Republike?!
Nga Sonila Meço

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Në Lindjen e Largët thonë se “Vizioni pa veprim është ëndërr me sy hapur, ama veprimi pa vizion është një makth”. Në epokën e Rilindjes, pas vitesh në demokraci, ky yni është makth i gjatë, fundi i të cilit mund të “vrasë” një ëndërr, të dikujt, por mund të “ekzekutojë” edhe një republikë.

Nëse lexon, sot, kronikat e 15, 10 apo 5 viteve më parë, fjalët kyçe të përdorura janë të njëjtat. Problemet të ngjashme, ndërlidhja mes abuzimit me pushtetin, moszbatimit të ligjeve, ndërtimit të marrëveshjeve duke shpërfillur kushtetutën, zhgënjimit të popullit, bllokimeve të njëanshme, janë aq kokëfortë sa ti mendon se, gjithë sistemi që kemi ndërtuar në këto vite, nuk është veçse një qarkullim ciklik i durimit tonë, rreth vendimmarrësve të radhës. Dhe është kështu. Tashmë, nuk ka asnjë dyshim se demokracia e llojit tonë, me liri të pjesshme, sipas Freedom House e me notën mesatare 6, ngecur prej vitesh, prodhon ngërçe ciklike, duke dëshmuar vetëm entuziazmin e votuesit për të shkuar nga kriza në krizë. Ky është optimizmi tragjik i llojit tonë, sepse mban mjaftueshëm votues për të përligjur një sistem, ku prodhim ekskluziv autokton ka grupe interesi, që i lënë vendin shoku shokut në pushtet dhe emigracionin në masë, që prek sidomos grupet “pa interes”.

Pyetjet më bazike janë: Sa siguri, barazi e mirëqenie kemi sot, pas kaq vitesh demokraci? Dhe sapo rrekesh ta bësh këtë ushtrim të thjeshtë, që do të dëshmonte nivelin e kënaqësisë e pakënaqësisë tënde me ata që kanë vendosur për ty sa herë i ke votuar, të vjen ajo kronika e pandryshueshme e ngjarjeve që i di përmendësh, në mos çdo dy vjet, të paktën çdo katër vjet. Dhe kujtohesh se ata për të cilët ke votuar, edhe ata për të cilët nuk ke votuar, ndihen shumë më të sigurt, më të barabartë se ty dhe në bollëk të dukshëm, mjaftueshëm për të patur lagjet e tyre në shtëpitë qytetëse, ato të plazhit e alpine.

Pra, ti, tashmë, je trajnuar mjaftueshëm të dish se zgjedhjet në Shqipëri vidhen. Paraja e pistë në qarkullim dhe të fortët, kanë në dorë fatin e votës tënde. Nuk është shumica, por një grusht trafikantësh, biznesmenësh, ndërtuesish, botuesish, lobuesish, kriminelësh, pa bindje të majta a të djathta, pra, pa një ideologji, që kontrollojnë pushtetet në këtë vend. Pavarësisht votës tënde, ajo nuk ndryshon dot asgjë për ty, megjithëse merret zellshëm në emrin tënd.

Dhe ja provat: zgjedhjet, në këtë vend, nuk janë as të lira dhe as të ndershme. Vota blihet! Me para të pista! Zgjedhjet kontrollohen nga politika! Kushtetuta nuk është ligji themeltar i shtetit, sepse preket e shpërfillet, tkurret e bymehet sipas orekseve të pushtetit, tashmë, edhe të të huajve që s’dihet pse, me gjithë shenjtërinë e sovranitetit të kombeve, mendohet se e duan Shqipërinë më shumë se ne, shqiptarët. Pushtetet nuk janë të balancuara. Drejtësia nuk ndëshkon fajtorët. Referendumet nuk respektohen dhe as përdoren si mënyrë për të ushtruar demokraci në vendimmarrje. Reformat bëhen mbi pazare politike, duke anashkaluar sovranin. Marrëveshjet politike arrijnë të “shuajnë” kushtetutën. Parlamenti merr vendime antikushtetuese. Krerë institucionesh të pavarura, funksionojnë pa mandat dhe të tjerë priten t’i shtohen listës, duke nisur me Presidentin e vendit. Ambasadorët shantazhojnë prokurorinë. Politika shënjestron ambasadorët. Mediat mbyllen, censurohen, vetëcensurohen. Ekonomia kanabizohet. Një zonë zgjedhore mbetet pa përfaqësim në Kuvend, sepse të gjithë të zgjedhurit rezultojnë me të kaluar kriminale. Pra, zgjedhje në këtë vend ka, por sa për të përligjur një republikë si të harlisur prej tymit të hashashit. Tranzicioni ngjan më shumë si gjendje jona natyrale, se sa një proces që demokracinë dhe shtetin e së drejtës, nga një përkufizim e koncept, do ta shndërroftë në realitet.

Por, kësaj here, më shumë se riprodhimi i krizës, të lënë pa mend rekordet e sjelljeve të vendimmarrësve vendas e të huaj, që në përpjekjen e shndërrimit të totalitarizmit në demokraci funksionale, prodhuan, në fakt, një monstër:

Një monstër që lejon në sovranitetin e vet t’i preket keqas kushtetuta, duke ia lënë pa asnjë precedent zbatimin e reformës në drejtësi edhe disa teknokratëve të huaj. Për një reformë madhore në drejtësi, që është praktikisht e pazbatueshme. Dhe që nuk e dimë, nëse ai që sot e ka flamurin e legjitimitetit të pushtetit të vet, do ta votonte të kopsitur, kështu siç është, nëse në pushtet do qe kundërshtari i tij. Do ta votonte vallë Rama, po ta dinte se nesër nuk do të qe në pushtet? Se ky është thelbi i ndërtimit të ligjeve; ato duhen ndërtuar nga ata që nuk e dinë, nëse nesër do të jenë “mbretër” apo “skllevër”.

Një monstër ku të gjithë akuzojnë të gjithë, ku opozita akuzon për pandëshkueshmërinë e pushtetarëve e kur vjen në pushtet, nuk ka një projekt gati se si do të reformojë një sistem të kalbur drejtësie. Por ndërton rrugës, me mënyra ende jo transparente, me njerëz nën dyshim dhe formula të pazbatueshme, një reformë, zbatimi i së cilës ka nisur me procese antikushtetuese, - që nga letrat e Ministrit të Drejtësisë drejtuar Komisionerit Hahn, ku vërehet se nuk ka bazë kushtetuese për krijimin e bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit e deri tek mungesa e kompetencës së Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, për njoftimin e nisjes, sa më shpejt, nga puna të ONM-së (bordi do të ketë rol kyç në këshillim e Parlamentit sa i takon emërimeve në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerëve Publikë, që do të kryejnë procesin e Vetting-ut). Vetë Kuvendi mori vendime antikushtetuese për kthimin e listave me kandidatët e institucioneve të Vetting-ut, tek Avokati i Popullit. Dhe vetë Avokati i Popullit vepron, kësisoj, në shkelje të ligjit, madje, edhe jashtë mandatit, tashmë, të përfunduar. Komisioni i Ligjeve anuloi garën për vendin vakant të Avokatit të Popullit. Megjithëse procedura ishte zhvilluar sipas ligjit, anulimi i saj qe i pazakontë dhe i pajustifikuar. Por vijojmë me antikushtetutshmërinë me të cilën nisi zbatimi i reformës në drejtësi. Kushtetuta nuk lejon shtyrjen e afateve kohore e aq më tepër, shtimin e kandidatëve të rinj në listën me kandidatët për institucionet e Vetting-ut. E, aq më pak, rishqyrtimin e tyre nga ONM, duke vënë në dyshim edhe neutralitetin e punës së këtij të fundit. Pra, premisat mbi të cilat nis, janë një prelud antikushtetues, por duke logjikuar edhe se reforma në drejtësi nuk është garanci për të luftuar korrupsionin, apo për të garantuar zbatimin e ligjit nga politikanët, sepse edhe në kushtet e një legjislacioni të plotë, kur institucionet e reja të krijuara kthehen kundra tyre, ata shfrytëzojnë forma nga më të ndryshmet për të minuar proceset. Shembujt, në këtë farsën tonë demokratike, janë pafund. Këtu nuk është më çështje ligjesh e mekanizmash të sofistikuar Vetting-u, ky është mentalitet e traditë e munguar e vënies përpara përgjegjësisë së politikanëve. Dhe ndryshimi i vlerave të shoqërisë, kërkon më shumë se kaq. Mjafton të shohësh nëse ligji i dekriminalizimit prodhoi edhe një mendësi të largimit të politikës nga fenomeni. Pamë ministra krah të akuzuarve dhe një diskurs publik, ende, justifikues nga vendimmarrësit e sjelljes së personave me të kaluar kriminale në parlament, ose pushtet vendor.

Një monstër që megjithëse vuan në çdo proces vjedhjen e votës, nuk është e aftë të ndërtojnë një reformë zgjedhore. E në mungesë të saj, të jetë sërish në një zeitnot (pamundësi lëvizjeje si pasojë e kohës së kufizuar), që prodhon situata destabilizuese. Sepse, ose zgjedhjet do të bëhen pa opozitën, ose do të shtyhet data e zgjedhjeve, ose do të përdoret, edhe një herë, një pjesë e popullit kundra tjetrës, për të sublimuar gjithnjë vendimet në emër të sovranit kur rrezikohet pushteti. Nëse shkohet me sistemin aktual, ai është sërish deformues vullnetesh, që do të riprodhojnë të njëjtën krizë.

Një monstër ku palët nuk konsumohen në krizë besimi, por paranoja të vërteta. Nuk ka më, një rrafsh moral nga ku mund të nisë diskutimi.

Ndoshta për të zhbërë monstrën ku është katandisur shteti, do të kishte qenë shpëtimtare vendosja e reformës në drejtësi, si një referendum popullor për zgjedhjet e përgjithshme, duke mos imponuar ligje pa konsensus e akte antikushtetuese që në nisje të zbatimit të saj. Por do të qe sërish e pakuptimtë, pa një garanci madhore, së cilës vetë PS-ja i kishte kushtuar protesta e beteja politike, reformës zgjedhore. Me kauzat e pambaruara dhe armiqtë rreshtuar me ndërgjegje të plotë, sot, kryeministrit i duhet të marrë një vendim. Në këto katër vite, qendra e gravitetit të politikës ka qenë Rama, mbi të u ndërtuan shpresa, frikë, armiqësi. Përgjegjësitë u morën në vetën e parë dhe pavarësisht bashkëqeverisjes, reformat u konceptuan si një përpjekje me emër të përveçëm për të instaluar shtetin ligjor. Në krye të një partie që identifikohet vetëm me udhëheqësin e saj. Në këtë ngjitje, përpjekjet u bënë për të eliminuar nga pak të gjithë, u kufizuan kompetencat e presidentit, ligjet u miratuan pa konsensusin e opozitës, falë një mazhorance të mjaftueshme parlamentare, u eliminua gara brenda partisë, u asfiksuan fraksionet, u tentua edhe eliminimi i aleatit bashkëqeverisës me formula ad-hoc, nën pretekstin e reformës në drejtësi, u punua në një makineri të fortë PR-i për ndërtimin e idesë së liderit rajonal, u krijuan media të personalizuara dhe u eliminuan gazetarët në përballje mediatike.

“Shumë armiq, shumë nder”, - thotë një shprehje. Ndoshta, por në sfond është edhe një ekonomi e dobët, akuza për afera me koncesionet, kanabizimi i vendit, mbështetja personale për hyrjen në politikë të personave me të shkuar kriminale etj., etj. Thuhet se disa nxënë duke lexuar, të tjerë duke vëzhguar, por ka nga ata që mësojnë duke e prekur me dorë telin e korrentit. Sërish me një marrëveshje, 15 vjet më parë, kërkohej të hidheshin themelet e një republike ku i jepej fund krizës politike prej zgjedhjeve jo të lira e të ndershme, nëpërmjet një reforme të rëndësishme zgjedhore, zgjedhjeve konsensuale të krerëve të institucioneve, Presidencë, Prokurori e SHISH. E gjitha një doktrinë ndërtuar mbi konsensus që, sërish, ngrihej edhe ai mbi kushtetutën. Kësaj here as kushtetutë e as konsensus, Republika e harlisur tymit të hashashit, ka hyrë në krizën e vet më të rëndë. Ku nuk bën më derman as kushtetuta, as konsensusi, as ndërkombëtarët. Ky është dështim! Më së pari i atyre që kanë në dorë fatet e vendit, që mund të vendosin edhe për “nxënien” më të rrezikshme, atë të prekjes me dorë të telit të korrentit, e prej nga ku mund të shkojmë nga rilindja në “vrasjen” e një republike.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: