SA SHUMË BËRTASIM...!

SA SHUMË BËRTASIM...!
Nga JUELA MEÇANI

Kam vesin e keq që pi ndonjë cigare, mes një shkrimi dhe tjetrit. E teksa dola në sheshin e ndërtesës ku është zyra, dëgjoj një zë gruaje që më shqetësoi, sepse biseda që bënte, ishte si alarm për veshët e kujtdo. Aq shumë bërtiste, me aq shqetësim dhe agresivitet bashkë, saqë më transmetoi ankth. Gruaja ishte bashkë me bashkëshortin i cili rrinte, qetë-qetë, dhe e dëgjonte. Kur u kthjellova, kuptova se ishte biseda e një nëne me djalin që i kërkonte se çfarë kishte gatuar për darkë dhe po e lajmëronte se po kthehej në shtëpi.

Çfarë??? Kjo më la pa fjalë dhe pa mend! Gruaja e kishte këtë, mënyrën e saj normale të bashkëbisedimit me djalin i cili, jam dakord, mund të jetë i përkëdhelur e të ketë ca teka, por cila ishte drama apo problemi i rëndë, që të bërtitej në atë mënyrë?

Në përditshmërinë tonë, jam e bindur, këtë dukuri e hasim të gjithë me tepri. Shumica rreth nesh, pranojeni, flasin me zë shumë të lartë, reagimit e tyre mbi sjellje apo dukuri, janë të ekzagjeruara, pa shkuar deri tek sharjet dhe fyerjet, edhe nëse, padashur, uji i vazove të fqinjës lart, të ka kapur ndonjë rrobë të sapolarë e nderur.

E kemi një problem të madh mes nesh. Gjeste, fjalë, sharje të cilat, në normalitet, justifikohen vetëm për ngjarje të rënda ose dëme të konsiderueshme. Njerëzit që nga fëmijët, i harxhojnë, pa hesap, për ngjarje aq sipërfaqësore.

Justifikimi i të gjithëve është se jeta, në ditët e sotme, ka stres. E mirë, e pranojmë këtë, se e jetojmë të gjithë. Por a mund të ketë justifikim në faktin se fëmijët, kudo, flasin me zë të lartë, në klasë, duke luajtur, në hyrjen e pallatit? Nuk ka as justifikim e as faj prej tyre. Fëmijët, adoleshentët, bëjnë ashtu siç shohin prindërit të bëjnë. E që prindërit bërtasin shumë, këtë na e tregojnë muret që dridhen, për ne - banorë të pallateve. Dita nis me sherr, e një sherr para gjumit nuk na e heq njeri.

Kemi temperament se jemi mesdhetarë? Të jetë kjo, vallë?

Sikur të matej koha që ne, shqiptarët, harxhojmë..., duke u zënë dhe për pazarin, për dritën e banjës së harruar ndezur, për programin e dëshiruar, për atë që ka ngrënë të fundit copë torte, për radhët e ata që nuk i respektojnë ato, për këmbësorin që, i shkreti, aty do kalojë se nuk mund të fluturojë, për pagesën e administratorit të pallatit, për fshatarin që shet sallatë jeshile e çdo ditë të del me çmim tjetër, me mësuesen që do t’i vërë vetëm nëntë sat bije, si ti nuk i jep zarfin siç bën fqinja e aq shumë budallallëqe si këto, do shikonim se na kanë ikur ditë të tëra jete, duke helmuar mendje, tru, sy dhe zë, për hiçgjë.

Kudo bërtitet, si për të kërkuar një vëmendje të cilën nuk e ke. Ngrihet zëri ashtu si për të zaptuar një territor që nuk të përket, një personalitet që duhet në fakt ta fitosh, por jo me ulërima. Kur i bërtet tjetrit, në fakt, i ke ngritur zërin ndërgjegjes tënde, se përse nuk arrin dot të menaxhosh një sistem të tronditur nga themelet.

Prepotenca, arroganca, harbutëria që sjell apo tregon një komunikim me anë të ulërimave dhe sharjeve, është një tipar dallues që na damkos edhe jashtë kufijve. E, fatkeqësisht, as masterat e shumtë, çantat firme apo pasuritë e zengjinëve të rinj, nuk po mund ta zgjidhin.

Sjellja ka lidhje me dashurinë e secilit për jetën. Duam ta harxhojmë me ulërima? Keq për ne!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: