Shtigjet drejt zgjedhjeve

Shtigjet drejt zgjedhjeve
Nga Eduart Zaloshnja

Ky shkrim është përgatitur, posaçërisht, për gazetën Albanian Free Press

Edhe pak kohë ka mbetur për regjistrimin e partive që duan të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Por ende nuk është bërë e qartë se sa parti do të regjistrohen. Kjo, sepse partitë opozitare këmbëngulin që Edi Rama të japë dorëheqjen e që të krijohet një “qeveri teknike”, ndërsa LSI-ja këmbëngul se nuk mund të bëhen zgjedhjet pa opozitën, e prandaj duhet krijuar një qeveri (me apo pa Edi Ramën në krye), që t’i krijojë besim asaj.

Në një situatë të tillë, shtigjet drejt zgjedhjeve janë disa.

Shtegu 1 – Ilir Meta dhe ndërkombëtarët arrijnë ta bindin opozitën të futet në zgjedhje me qeverinë aktuale, por duke bërë ndryshime në kodin zgjedhor dhe në organizimin e zgjedhje, për të siguruar se ato do të jenë me standard të larta.

Në një skenar të tillë, opozita do të futej shumë e dobësuar në zgjedhje, sepse do të tërhiqej nga një kërkesë, për të cilën është ngujuar një muaj e gjysmë në mes të bulevardit.

Shtegu 2 – Ilir Meta dhe ndërkombëtarët arrijnë ta bindin Edi Ramën për krijimin e një “qeveri besimi”, të dalë nga një tryezë bisedimesh me opozitën, ndërkohë që LSI-ja nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen e koalicionit me PS-në për katër vjetët e ardhshëm. Nëse kjo gjë ndodh, me gjasa, mund të miratohet një nen tranzitor i kushtetutës për shtyrjen e zgjedhjeve deri në shtator, në mënyrë që “qeveria e besimit” të ketë kohë për përgatitjen e zgjedhjeve.

Në këtë skenar, do të përballeshin në zgjedhjet e ardhshme një koalicion që ka marrë 1 milion vota në dy zgjedhjet e fundit (më 2013 e më 2015) dhe një koalicion që ka marrë  620-660 mijë vota. Por deri në zgjedhje, mund të ndodhë apo të provokohet diçka që do t’i jepte LSI-së justifikimin për t’u tërhequr nga koalicioni me PS-në, dhe në këtë rast, do të ishte e vështirë të parashikohej rezultati i zgjedhjeve…

Shtegu 3 – Ilir Meta dhe ndërkombëtarët nuk arrijnë ta bindin Edi Ramën për krijimin e një “qeverie besimi”. Meta, duke ia faturuar Ramës tensionin dhe destabilitetin që mund të krijohet pa një qeveri të tillë, mund të bëhet nismëtar i një mocioni mosbesimi në Kuvend ndaj kryeministrit. Në një skenar të tillë, partitë e opozitës mund të regjistrohen për zgjedhjet e 18 qershorit brenda afatit ligjor, në qoftë se Meta u garanton se bëhen 71 vota në Kuvend, për ta zëvendësuar Ramën me një kryeministër të pranuar nga opozita, LSI-ja e ndonjë parti tjetër parlamentare.

Nëse ka sukses një iniciativë e tillë e Metës, gjasat janë që LSI-ja të krijojë para zgjedhjeve një koalicion të pavarur nga PS-ja dhe PD-ja, në mënyrë që asnjëri nga koalicionet e partive të mëdha të mos sigurojë dot 71 mandate në zgjedhje. Në këtë mënyrë ajo mund të mbetet përsëri kyçi për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve.

Shtegu 4 – Ilir Meta dhe ndërkombëtarët nuk arrijnë ta bindin Edi Ramën për krijimin e një “qeverie besimi”, ndërkohë që LSI-ja nuk arrin të marrë premtimin e 71 deputetëve, për rrëzimin e Ramës me mocion mosbesimi në Kuvend. Në këtë rast, LSI-ja mund të futet në zgjedhjet e 18 qershorit në minutën e fundit, pavarësisht se nuk regjistrohet opozita, ose mund të mos futet edhe ajo.

Në rast se LSI-ja merr pjesë në zgjedhje, në të cilat nuk merr pjesë opozita, do të rezultonte një parti pakice në Kuvend, sepse 140 mandatet do të shpërndaheshin mes PS-së së madhe, nga njëra anë, dhe LSI-së e partive të tjera të vogla, nga ana tjetër.

Në rast se LSI-ja nuk merr pjesë në zgjedhje, duke iu bashkuar opozitës, zgjedhjet do të ishin krejt formale dhe destabiliteti që mund të krijohet nga protestat e opozitës së zgjeruar (PD+LSI) do t’ia bënin të pamundur qeverisjen Edi Ramës. Në një skenar të tillë, ndërkombëtarët, të cilët stabilitetin e Shqipërisë e kanë objektiv mbi objektivat, do të ushtronin trysni të fortë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndoshta brenda një viti.

Shtegu 5 – Edi Rama bën një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Lulzim Bashën, për anashkalimin e LSI-së dhe partive të tjera të vogla. Kjo gjë mund të realizohet përmes një sistemi elektoral me prim, ku partia e parë siguron 50%+1 të mandateve parlamentare, mjafton që të ketë marrë mbi 30% të votave në rang vendi.

Në një skenar të tillë, votuesit e partive të vogla gravitojnë drejt të mëdhave, ngaqë e dinë se të parat do të mbeten jashtë pushtetit dhe nuk do të kenë mundësi t’i mbajnë më në patronazh, si deri më sot. Basha mund ta pëlqejë një skenar të tillë, sepse mund ta premtojë ndërtimin e “Republikës së Re” pa ndihmën e Metës, Kokëdhimës, Blushit, etj., por mund të ndruhet, ngaqë PS-ja ka qenë parti e parë në dekadën e fundit, edhe kur nuk ka arritur të marrë pushtetin. Për më tepër, Berisha mund të mos e lejojë Bashën ta bëjë një marrëveshje të tillë me Ramën, sepse mund t’i ketë bërë Metës një premtim, që ky i fundit ia përmendi në Çorovodë para dy vjetësh…

Përfundim

Është e vështirë të parashikohet se cilin shteg do të ndjekin ngjarjet drejt zgjedhjeve. Sidoqoftë, në ditët në vijim, ky shteg do të përcaktohet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: