Sytë e tu, sytë e tu, me gjithë dritat që kam parë....

Sytë e tu, sytë e tu, me gjithë dritat që kam parë....
 

Nga Juela Meçani

Jo më larg se dje, kalova plot 1 orë e gjysmë, ballë për ballë, në bashkëbisedim me dikë që, gjatë gjithë dialogut, shmangte të më shikonte në sy. Ju them të drejtën, tipologjia e profesionit tim e gjen të pamundur ndërveprimin me persona që flasin me sytë ulur ose lëvizin kryet djathtas, majtas, lart poshtë, por, asnjëherë, nuk të flasin duke të të parë në sy.

Këtë reflektim e kam bërë, shpesh, edhe në lidhje me ekranin. Gjej politikanë që përpiqen të na mbushin mendjen, por pa parë në sy asnjëherë gazetarin, analistin apo publikun (sepse kamera është publiku në shtëpi). Has rëndom në personel shërbimesh, në banka, posta, zyrat e administratës të cilët, pas një fragmenti identifikues, shkëpusin nga ti çdo vështrim.

Nuk është kaq i parëndësishëm, ky gjest guximtar e fisnik, përkundrazi! Jam shumë e bindur se personi që bashkëbisedoi me mua, nuk ka drojë ndaj meje, thjesht, po fshihte diçka. Këtë e shprehu me gjuhën e trupit. Gjuha e trupit nuk të gënjen kurrë!

Që të vegjël, këshillohet të edukohen fëmijët me të parit në sy, kur u drejtohesh ose kur ata flasin me më të rriturit. Përgjithësisht, konsiderohet manifestim interesi dhe mirësjelljeje. Gjithashtu, në gjuhën trupore, shmangia e vështrimit në sy, paralelizohet me gënjeshtrën, mashtrimin dhe frikën. Në shkollat perëndimore të politikanëve të rinj, ndër leksionet më të rëndësishme, është ai që politikani kandidat për një post në zgjedhje, duhet t’u drejtohet zgjedhësve pa lëvizur sytë nga qendra e kamerës, sepse vetëm kështu është i besueshëm.

Nuk duhet, ama, të ketë ekzagjerim në këtë akt. Duhet konfidencë apo intimitet më i madh, të mbash një kontakt të gjatë në sy me dikë. Kur dikë nuk e njohim, kontakti i gjatë me sy, madje, na kthehet në bezdi, e shohim me frikë, deri në kërcënim.

Një studim i gjerë në revistën “Psychological Science” nga Universiteti i Frajburgut, reflekton mbi këtë argument, bazuar në disa studime dhe dëshmi. Madje është kryer edhe një eksperiment, e njëjta çështje, katër bashkëbisedues, njëri që përpiqet të bindë tjetrin, duke mos e parë në sy, tjetri duke mbajtur një kontakt direkt me vështrimin. Sigurisht, kontakti me sytë bëri që argumentet të ishin më bindës për vërtetësinë e tyre.

Por studimi bën një dallim të madh. Kontakti me sytë na ndihmon shumë kur argumenti kërkon bindje mes personash të afërt në dije apo botëkuptim. Ndërkohë përbën kërcënim mes dy armiqsh, ose intimidim, trembje.

E sigurt është që, njerëzit e fortë shohin në sy. Ata me karakter të fortë, personat që kanë eksperiencë dhe nuk kanë frikë përballjen.

Por kur sinjalet verbale dhe joverbale janë të ç’koordinuara, çdo marrëdhënie vlerësohet si jo e sinqertë, më e pakta, e mjegullt. E kjo e bën rezultanten shumë të vështirë. Imagjinoni se sa takime zhvillojmë për kontrata pune, për kontrata biznesi, vlerësime situatash krize. Ku ka mosbesim, ka lëkundje themelesh.

Në përditshmërinë tonë, në fakt, këtë aspekt të gjuhës trupore, ne e harrojmë gati fare. Rutina dhe streset, planet dhe oraret, na bëjnë të harrojmë. E kështu nuk marrim parasysh, aspak, këto dy burime të rëndësishme paraprake informacioni, për një vendimmarrje, faktet dhe sinjalet e syve. Nëse do të ishim më të vëmendshëm, do të kishim një pjesë të mirë të vlerësimit, të kryer.

Buzët e zëri, të vetme nuk mjaftojnë, ato shoqërohen nga sytë e më pas nga duart.

Sytë brenda syve....shkruan një poet anglez... Sytë e tu, sytë e tu, me gjithë dritat që kam parë... këndonte Frederik Ndoci. Edhe ndjenja më sublime e shpirtit, dashuria, nis me shikime, madje, dhe përfundon me mungesë shikimesh. Ne jemi, ajo çka janë sytë tanë!

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: