Veliaj: Kashari, në fokus të investimeve

Veliaj: Kashari, në fokus të investimeve
Zona e Kasharit do të jetë fokusi i investimeve të këtij viti nga Bashkia e Tiranës. Kjo u theksua nga Kreu i bashkisë Erion Veliaj, i cili bashkë me përfaqësues të Komunitetit Mysliman dhe biznesmenë kanë mbjellë pemë në Farkë dhe në Kashar. Sipas tij, kjo nuk do jetë më një zonë e paurbanizuar dhe e lënë në harresë.

“Këtu jemi në zonën e Kasharit, që deri dje konsiderohej një zonë fshat, një zonë ku interesi primar ka qenë dhënia e lejeve të ndërtimit, pa urbanizim, pa infrastrukturë. Para një jave këtu hapëm këndin e lojrave dhe sot u kthyem për të mbjellë pemë, do të vijojmë me rrugët e rrugicat. Kemi pasur shumë probleme me infrastrukturën e bërë pa mend, rrugë të investuara në mënyrë zig-zag, ku nuk hyn dot as autobusi, as ndonjë mjet tjetër i transportit publik. Të gjitha këto janë në një proces korrektimi dhe besoj se në këtë vit të dytë të mandatit, zona e Kasharit, që ndryshe njihet edhe si zona e Astirit, Yzberishtit, pranë Unazës së Madhe të Tiranës, mes Tiranës në njësinë 7 dhe Kombinatit, do të jetë zona ku do të fokusojmë pjesën më të madhe të investimeve”, theksoi Veliaj.

Duke theksuar më tej se në dy vite janë mbjellë mbi 50 mijë  pemë, 3 mijë prej të cilave në Farkë, kryebashkiaku deklaroi se është detyrë e qytetarëve që të mbrojnë natyrën dhe mjedisin.

/n.e/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: