Xhudo, Majlinda Kelmendi fiton medalje ari në Poloni

Xhudo, Majlinda Kelmendi fiton medalje ari në Poloni
Majlinda Kelmendi mbulohet me ar edhe në Varshavë! Xhudistja nga Kosova nuk ka asnjë rivale në botë dhe sot thjesht rikonfirmoi se vazhdon të jetë numri 1 i padiskutueshëm në këtë sport dhe se askush nuk ka shans ta ndalë. Fituesja e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike të Rios fitoi medalje ari edhe në Kampionatin Evropian që po mbahet aktualisht në kryeqytetin e Polonisë, duke emocionuar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Për herë të tretë në karrierën e saj, 26-vjeçarja triumfoi duke mposhtur në finale rusen Alesya Kuznetsova në kategorinë e 52 kilogramëve. Ky është një tjetër sukses i madh për Kelmendin dhe trajnerin Driton Kuka, një dyshe e cila duket se ka vendosur të pushtojë globin në çdo kompeticion të mundshëm. Ndërkohë, xhudistja tjetër  nga Kosova, Nora Gjakova, gjithashtu na nderoi në Poloni duke fituar, pasi fitoi medalje bronzi. Faleminderit, burrnesha! /e.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: