Afërdita Zonja: Si ma "mori" këngën Parashqevi Simaku në provë gjenerale

Afërdita Zonja: Si ma "mori" këngën Parashqevi Simaku në provë gjenerale
Ajo është një nga zërat më melodiozë të festivaleve para viteve ’90. Që kur nisi të këndonte në aktivitetet kombëtare të këngës, shumë artistë e konsideruan zërin e saj, të ngjashëm më zërin e artistes së madhe Tefta Tashko Koço.

Me dhjetëra çmime e koncerte, Afërdita Zonja, korçarja simpatike që edhe sot mëson brezat e rinj të kantos në Liceun Artistik, na rrëfen se si e nisi aktivitetin, dëshirën e parealizuar për të kënduar si soprano lirike, egon artistike mes këngëtareve, familjen e saj dhe pasionin për muzikën live.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ju keni lindur e jeni rritur në Korçë. Si kanë qenë fillimet e tua me këngën?

Kam filluar të këndoj e vogël, në shtëpinë e Pionierëve në Korçë, dhe kam marrë pjesë në festivalet e fëmijëve të rrethit, më pas në atë kombëtar në Shkodër. Jam nderuar edhe me çmime. Në Shkodër, madje, kam marrë çmim të parë. Zëri im spikati për veçantinë. Por isha në moshën 15-vjeçare që u dallova në festivalin e këngës në Korçë, me një këngë të Thoma Gaqit. Juria ishte prestigjioze, sepse elementet e talentuar që më pas shkonin në Festivalin e Këngës në RTSH, zgjidheshin pikërisht nga rrethet. Në juri kanë qenë Gaqo Çako dhe Çesk Zadeja. Në këtë aktivitet ishte prezantimi i parë me këtë nivel të muzikës. Aty u propozua prej tyre edhe ardhja ime në Tiranë, në festival.

Cila ka qenë kënga juaj e parë?

Ishte një kompozim i Aleksandër Lalos, kënga “Shokë jete”. Nga paraqitja e mirë në këtë festival, të tjerat erdhën radhë. Suksesi i madh erdhi me një këngë të Agim Prodanit në vitin 1979. Ishte “Festë ka sot Shqipëria”, një këngë mjaft aktuale, sepse Shqipëria kishte përjetuar tërmetin e rëndë të Shkodrës dhe kënga fliste për solidaritetin. Ishte duet me Zeliha Sinën dhe fituam çmim të parë.

 

Në festivalin e RTSH-së me Liliana Kondakçi dhe Zeliha Sinën

Ju ende nuk kishit filluar studimet e larta, ishit shumë e re. Si rrodhi karriera juaj më pas?

Në dhjetor, fitova çmim të parë dhe në qershor të atij viti, konkurrova për soprano në Institutin e Arteve dhe, fatmirësisht, fitova. Fatmirësisht, sepse ishim brez me shumë talente! Ishte Irma Libohova, Myfarete Laze etj., pra, zëra tepër të bukur dhe kishte konkurrenca ishte e madhe. Por fati im, i atij viti, nuk mbaroi këtu. Kur mësova nga afishimi, pas dy javësh, se kisha fituar, vendosa të kthehem në Korçë, tek familja. Por e gëzuar që kisha fituar, përpara afisheve, në shkallët e Insitutit të Lartë të Arteve, takoj profesor Çesk Zadenë. Më uron që kisha fituar e më pyet a do të shkoja në Korçë. Përgjigjes time pozitive, ai i shtoi një surprizë. “Mos shko fare, është një ansambël, Ansambli “Migjeni”, që niset në turne në Greqi dhe mendoj të jesh pjesë e këtij ansambli”, - më tha profesor Zadeja.

Aq shumë u habita, sa e pyeta të ma përsëriste. Pasi mora informacion për aktivitetin, vendosa të mos kthehesha në Korçë dhe të nisesha në turne në Greqi. Pas kthimit nga Greqia, fillova menjëherë provat me Ansamblin “Skënderbeu”, për një turne në Itali. Imagjinoni, sa shumë aktivitet dhe ishim në vitin 1979.

Jeta artistike ziente në ato vite?

Jashtëzakonisht shumë! Kishte aktivitete pa fund, aq sa nëna më thoshte me humor: “Kur do t’i heqësh ndonjëherë këpucët, moj çupë!”. Isha gjithmonë në lëvizje, sa në Korçë ku këndoja me grupin karakteristik “Lira”, me orkestrën simfonike të Korçës, me estradën, këndoja në festivale në Tiranë. Ishin vite ku ziente edhe dashuria e publikut për artin dhe këngën e lehtë.

Ju studiuat si soprano lirike. Kishit pritshmëri të qëndronit në Tiranë?

Gjatë studimeve të larta pata fatin të kisha profesoreshë të madhen, Nina Mula. Ajo ishte e rreptë, nuk të vinte kurrë notën dhjetë, por në diplomën time, derdhi lot! Për mua ishte një emocion tepër i madh që mora vlerësimin maksimal prej saj. Por Nina Mula pretendonte një zgjedhje, një ndarje mes asaj që unë dëshiroja të bëja më vonë. Duhet të zgjidhja ose më saktë të ndaja mendjen, nëse do të vazhdoja me operën lirike apo me muzikën e lehtë. Dhe arsyeja ishte, sepse këngët e muzikës së lehtë, nuk do më lejonin t’i kushtoja kohën e duhur muzikës lirike, e cila ka nevojë për shumë ore studimi dhe ushtrimi. Nina Mula kishte, si gjithmonë, të drejtë!

A e keni peng që nuk vazhdoi karriera juaj në Opera?

Atëherë ashtu ishin rrethanat. Teatri i Operës ishte mjaft i tkurrur, nuk kishte shumë emërime. Do mbetesha gjatë në pritje. Mua më kërkuan në Korçë dhe shkova mësuese në Liceun e Korçës. Kjo ishte një goditje për mua, sepse doja të isha soprano, aq sa i premtova edhe profesoreshë Nina Mulës se do zgjidhja vetëm muzikën lirike. Por emërimi në Korçë, ndryshoi gjithçka. Aktivitetet ishin të shumtë, sepse kishte koncerte recitale me instrumentistët e shkëlqyer të Korçës. Liceu atje kishte staf të jashtëzakonshëm. Por përsëri aktiviteti ishte i kufizuar, të mbante jashtë zhvillimeve të Tiranës. E detyruar nga kjo distancë, u riktheva tek muzika e lehtë. Ndikoi edhe fakti se, në ato vite, festivalet ndiqeshin, publiku priste me padurim të ishte në sallë. Nëse arrije sukses në këto aktivitete, bëje emër, kishe kontakt me spektatorin, bëheshe e njohur. Sot them me bindje se, kam bërë mirë. Ndërkohë, profesionin e mësimdhënies nuk e lashë asnjëherë dhe aktivitetin me këngën gjithashtu!

Më treguat për koncertet jashtë vendit, shto ato të festivaleve. Si kujdeseshit për paraqitjen skenike, gardërobën?

Në fillim e kisha të zgjidhur, sepse isha me kostume popullore. Por në festivale sajoheshim, rregulloheshim mes shoqesh. Ne na i qepnin fustanet gardëroba e posaçme, por ishin të thjeshta në ekstrem, me ca basme të shpëlara, pa model. Kujtoj se kam pasur një shoqe të cilës i vinin fustane nga Amerika e disa herë m’i kalonte mua. Por kur i vishja, ato duhej patjetër të shiheshin dhe kontrolloheshin nga lart. Nuk mund të ndryshohej kurrë veshja e miratuar në provën gjenerale. Kujtoj që në listën e renditjes, përbri emrit të këngëtarit dhe këngës, ishte veshja përkatëse. Nuk mund ta shmangie. Veshjet linin për të dëshiruar!

Por ju zgjidheshit edhe nga hijeshia, apo jo?

Ishin shumë përzgjedhës. Kishte rëndësi pamja skenike, hijeshia, por më shumë zëri. Ai ishte parësor. Këngëtari shikohej nga disa aspekte, fillonte që nga biografia. Ai sistem ky ishte. Këngëtari kalonte në një sitë tepër të imët. Ne kalonim një muaj prova përpara festivaleve, shkëputeshim nga puna, prova paradite-pasdite. Kur p.sh., i madhi Ferdinand Deda, fliste, ne të tjerët heshtnim. Kishte disiplinë të jashtëzakonshme!

Ju nuk keni kënduar shumë këngë për partinë apo këngë patriotike. Pse?

Unë isha zë melodioz, zëri im nuk i shkonte këtyre këngëve. Përveç kësaj këngët për partinë apo atyre patriotike, u jepeshin zërave të fuqishëm të këngëtareve të mëdha, si Vaçja. Ato këngë ishin direkt për çmim të parë.

Mes këngëtareve, cilat kishe mikesha?

Do të veçoja Adriana Cekën. Ajo ishte tironse, por edhe unë kalova të jetoja gjatë provave, tek motra e cila jetonte në Tiranë, e takoheshim shpesh bashkë. Edhe Irma Libohova, ajo shkonte në Estradë dhe ne takoheshim në lagje, në qendër.

 

Afërdita Zonja me bashkëshortin, gazetarin Artur Zonja

Ju me bashkëshortin jeni lidhur herët ...

Kemi qenë shokë shkolle. Ai studionte për violinë dhe më pas karriera e tij mori drejtim tjetër. Ai duke vlerësuar gjithmonë artin, më ka ndihmuar dhe vlerësuar edhe mua. Ky mirëkuptim më ka mbështetur shumë. Nuk ka qenë e lehtë, sepse ai gazetar me shërbime, unë me koncerte dhe aktivitet, dy fëmijët tanë me kërkesat e tyre. Por them se jam një amvisë shumë e mirë. Ja p.sh., sot që kisha këtë intervistë me ty, e kam bërë drekën qysh mbrëmë. Ha ha ha...

Edhe sot, ju këndoni çdo fundjavë, këndoni live. Cili është mendimi juaj, mbi fuqinë e këngës live?

Në kohën e aktivitetit tim në festivale, ishim vetëm live, edhe këngëtarët, edhe orkestra. Shkurt, po nuk ishe në performancën e duhur, skualifikoheshe. Ka pasur edhe shumë këngëtarë që kanë hyrë në festivale, por nuk kanë rezistuar në kohë. Cilësia kryesore ishte të kënduarit live. Kjo ka sjellë që sot e kësaj dite, këngëtarë të shumtë të brezit tim, vazhdojnë të këndojnë live me intensitet. Sot mund të bëhen videoklipe sa të duash, por ballafaqimi me publikun bëhet live.

Ka rastisur shpesh që në netët live ku unë këndoj, të vijnë artistë të rinj të cilët në videoklipe janë shumë të suksesshëm. Live kanë dështuar e këtë dallim e ka bërë vetë publiku. Ai nuk të fal.

Unë këndoj serenata korçare dhe më kërkojnë këngën “Mora shoqezën përkrah”, sepse më kanë dëgjuar dikur ta këndoj. Më thoni ju, po nuk e këndova dot live, si mund ta këndosh! Publiku zhgënjehet kur dëgjon që nuk ka zë këngëtari. Kjo ndodhi pas viteve ’90. Shumë artistë të brezit tim e lanë këngën ose u larguan, sepse ndiheshin akull, duke kënduar me playback.

 

Kishit ego në mesin tuaj në festivale?

Kishte por ego pozitive, sepse kishte dashamirësi. Mbaj mend, me emocion, një rast. M’u dha një këngë e Spartak Tilit, që e desha fort. E mban mend vargun “Prapë unë ty tu luta që mua të më thuash, të dua pra unë ty të dua”. Një muaj prova me atë këngë, e në provë gjenerale, ma merr Parashqevi Simaku. Më rridhnin lotkat nëpër faqe, se u mërzita shumë! Por dashamirësia e udhëheqësve artistikë, ishte e jashtëzakonshme. Spartak Tili, Gjon Simoni, Ferdinad Deda etj., ishin unikë në gjetjen e zërave të duhur për secilën këngë. Një nuhatje profesionale të hatashme! Ata ishin artistë të vërtetë. U mërzita, por u gjend kënga për mua, një këngë e Maksim Shehut, shumë e bukur!

Ka qenë një rast që kisha një këngë të bukur të David Tukiqit. I them Genc Tikuqit ta shfaqë këngën vetëm në provë gjenerale, që mos të ma merrnin. E kështu u bë. Iu lutën shumë këngëtare që ta merrnin atë këngë, por pata fatin ta këndoja unë. Ishin këngë me një vijë melodike që ngulitej në kujtesën e publikut. Publiku dilte nga salla e fillonte, menjëherë, të fishkëllente apo këndonte këngët. Nuk di sa mund të ndodhë kjo tani.

 

Afërdita Zonja me fëmijët e saj

Ju keni dy fëmijë të cilët janë juristë. Ju ka ardhur keq që nuk ndoqën rrugën tuaj?

Si çdo artist, unë doja që ata të kishin një kulturë muzikore. Duke qenë mësuese në Liceun Artistik të Tiranës ku vazhdoj ende të jem, i mora të dy aty, të studionin për piano. Djali nuk rezistoi gjatë, e la në klasë të katërt. Vajza studioi deri në klasën e tetë. Më pas, vajza donte shumë të këndonte muzikë të lehtë, sepse kishte edhe talent, por unë nuk kam dashur asnjëherë.

Si nënë kisha shumë merak, sepse ambienti muzikor apo artistik sot nuk është ai që ka qenë dikur. Por e lashë të lirë të bënte vetë zgjedhjet e saj. Fatmirësisht, për mua, vajza ime Megi doli vetë në përfundimin që duhet të ndryshonte kurs e të linte këngën dhe ajo ditë që e vendosi këtë, ka qenë ditë shumë e lumtur për mua.

Pas studimeve për Gjermanisht, ajo plotësoi studimet edhe me Fakultetin Juridik e sot po ecën në profesionin e saj.

Nuk jeni ndarë asnjëherë nga serenata korçare. Jeni krenare për këtë?

Serenata korçare, ashtu si jaret shkodrane, përqafohen e dashurohen nga të gjitha brezat, krahinat, shijet. Unë jam vajzë pe Korçe, por dashuria për serenatat më erdhi pas aktivizimit me korrin karakteristik “Lira”. Vetëm atëherë dhe prej tyre këndoheshin serenatat korçare të pastra, origjinale. Unë ndihem krenare për qytetin tim, traditën e tij e më vjen mirë që po vazhdoj traditën e qytetarisë korçare.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: