Agron Hasanaj: Në Shqipëri, mbështetja për artistët nuk ekziston

Agron Hasanaj: Në Shqipëri, mbështetja për artistët nuk ekziston
 Sapo mbylli ekspozitën e tij “Watercolor Rhapsody”, një përzierje e 29 veprave në akuarel, - disa me përmasa të mëdha dhe e skulpturave me forma bashkëkohore, por bazuar në figura burimore shqiptare të eposit dhe legjendave, fryt i pështjellimit emocional të një viti. Artisti Agron Hasanaj, pas shumë viteve jetese dhe krijimtarie në Berlin, vendos që në Tiranë, të vazhdojë pasionin për ngjyrat, por edhe që këtë pasion, ta kalojë në brezat e rinj. Ai na tregon, me pak fjalë siç piktorët bëjnë, mbi aktivitetin dhe mendimet mbi artin e artistët, dilemat dhe dëshirat e tij.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Si ka lindur pasioni juaj për ngjyrat dhe pikturën?

Pasioni për pikturën ka lindur mjaft herët. Unë isha gati 6 vjeç, dhe shikoja gjyshin tek vizatonte me bojëra tushe, letrat e bixhozit. Në atë kohë, flasim për vitet 1973-1974, hobi kryesor i pensionistëve ishte loja me letra apo domino, dhe letrat e bixhozit nuk mund të bliheshin asgjëkund (quhej shfaqje e huaj). Shikoja Meten (gjyshin) ndërsa përziente ngjyrat për të realizuar figurat “fant” “çup”, “derr” dhe me duart që i dridheshin, gabonte duke përzier njërën ngjyrë me tjetrën, por për mua efekti ishte mahnitës. Mendoj se aty filloi të më ndizet pasioni për ngjyrat.

Përveç aktivitetit si piktor dhe skulptor, prej vitesh jepni mësim me të vegjlit dhe të rinjtë mbi teknikat e pikturës. Si lindi kjo ide dhe çfarë risie keni sjellë?

U bënë gati 10 vjet që bëj këtë gjë, me shumë pasion dhe përgjegjësi. Në fillim ishin disa miq e të njohur të mi, të cilët dëshironin shumë që fëmijët e tyre të merrnin mësime arti. Kështu fillova dhe pata kërkesa nga të tjerë të interesuar për kurset e artit. Ajo unë që ofroj në kurset e artit, nuk është thjesht vizatim apo pikturë, por edhe skulpturë, instalacion, grafikë, njohuri fotografie, histori arti, njohje me artistë të spikatur ndërkombëtar etj.

Sapo u mbyll ekspozita juaj pranë galerisë FAB. Një mori veprash në akuarel dhe skulptura. Na përcillni disa prej emocioneve mbi këtë arritje.

Si gjithmonë, është kënaqësi të ekspozosh. Veprat flasin apo e tregojnë veten më të plotë në muret e galerisë, se sa në studiot tona të vogla. Në ekspozitë takon miq të vjetër, por edhe të rinj, dëgjon përshtypje dhe opinione nga më interesantet deri te më të çuditshmet. Aty-këtu shfaqet ndonjë blerës modest e plot mëdyshje.

Si e shikoni sot jetën e një artisti; sa vështirësi hasni në dëshirën për të ekspozuar punën tuaj?

Si kudo, jeta e artistit nuk është e lehtë, por, në krahasim me artistët në vendet perëndimore, këtu mbështetja nuk ekziston, qoftë ajo sociale, private apo shtetërore. Nuk ka hapësira për ekspozim dhe ato që ekzistojnë, janë pothuajse të papërballueshme financiarisht për t’u marrë me qira.

Ju keni jetuar për disa vite në Gjermani. Ka dallime thelbësore mes aktivitetit të artistëve këtu dhe atje?

Në Gjermani, artistët janë gjithmonë të mbështetur nga shteti, por njëkohësisht edhe nga biznesi dhe shoqëria. Tregu i artit është i ndarë qartazi, në artistë profesionistë dhe diletantë që quhen ndryshe “piktorë fundjave” të cilët, gjithashtu, janë të nevojshëm për shoqërinë. Në Gjermani, si kudo në Perëndim, artistët janë dhe mbeten në oponencë me politikën apo politikanët dhe për asnjë rast nuk bëjnë kurrë kompromise mes artit te tyre dhe faktorëve apo rrethanave social-politike.

Pse "rapsodia" ishte pjesë e ekspozitës tuaj?

Lindi fare natyrshëm. Është një realitet ku kam jetuar e jetoj dhe, nga ana tjetër, është simbolik dhe bohem, është një epiqendër që mund të lëvrohet pambarimisht, mjafton t’i frysh hirit për të nxjerrë thëngjijtë e ndezur.

Sa nevojë ka shoqëria shqiptare sot për të bukurën, për artin e mirë?

Nevoja është e jashtëzakonshme! Arti sjell me vete realitete të pa komprometuara, të cilat prandaj duken të bukura. Së dyti, art do të thotë punë, nocion që po humbet kuptimin këtu tek ne, veçanërisht nga të rinjtë. Së treti, arti mundëson të kapërcejmë kufijtë tanë njerëzor empirik ku fenomeni, subjekti i trajtuar, nuk limitohet nga fjalët apo numrat.

Mendoni se sot ka më shumë pragmatizëm se duhet në art? E pengon kjo krijimtarinë?

Absolutisht, po. Sigurisht që e pengon krijimtarinë. Të bërit art nuk ka lidhje me të qenit pragmatist. Tek artisti kjo është e lidhur direkt me kualitetin artistik që ai ofron.

Çfarë ju frymëzon më shumë?

Gjërat e vërteta, të sinqerta.

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: