Fatmira Breçani: Në kohën e diktaturës nuk kisha para, por plot privilegje

Fatmira Breçani: Në kohën e diktaturës nuk kisha para, por plot privilegje
 

Fatmira Breçani është dhe do të ngelet një ndër këngëtaret më të njohura të trevave të Veriut të Shqipërisë. Ajo e ka trashëgim këngën tropojane nga mësuesja e saj, ish-këngëtarja me famë, "Artiste e Popullit", Fatime Sokoli, por edhe pas dekadave aktivitet, Fatmira Breçani ka një jetë artistike të pandërprerë në Shqipëri dhe jashtë saj. Çikën e Tropojës, e takova në një mjedis të gjelbër, rrëzë Dajtit. Nuk mund të ndodhte ndryshe, që një bisedë miqësore mos të ishte afër ajrit të freskët, paçka se jemi larg bjeshkëve të saj të dashura. Në një rrëfim të ngrohtë, bilbili i Tropojës na tregon mbi udhët ku shkeli, deri sa u bë zëri simbol i Veriut të Shqipërisë.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Publiku shqiptar e ka të ngulitur zërin tuaj, por jo shumë e dinë, si ka ardhur kënga tek ju?

Kam filluar të këndoj vetë që në moshë të vogël. Këndoja në mjedise familjare dhe në shkollë, ose mes shoqeve. Menjëherë u dallova për zërin tim natyral, që i rrinte shumë bukur muzikës dhe këngës popullore të trevave të Tropojës.

Ashtu siç të ndihmon gjithmonë rastësia, unë këndoja në një dasmë dhe, aty, disa pjesëtarë të Ansamblit “Dardania” që ushtronte aktivitetin artistik, në atë kohë, pranë Shtëpisë së Kulturës, më dëgjuan të këndoja dhe më dalluan menjëherë talentin duke më ofruar të bashkëpunoja me ta. Kjo ishte një shtysë e madhe që në fillimet e mia.

Quheni shpesh si trashëgimtarja e së madhes Fatime Sokoli. Kjo ka bazë vërtetësie?

Po dhe këtë e kam për nder. Kam pasur fatin e madhe të kem këngëtaren e madhe, Fatime Sokoli, si mësuese muzike. Ajo jo vetëm që më mëkoi me dashurinë për muzikën e bukur tropojane, por edhe më përkrahu të vazhdoja më tej karrierën, pavarësisht vështirësive.

Ajo i binte çiftelisë, unë këndoja. Shpesh, bashkatdhetarët që vijnë me pushime, më thonë se kam zëvendësuar Fatime Sokolin, por e vërteta është se me të nuk kam qenë vetëm nxënëse, por edhe shoqe. Vitet e fundit të jetës, Fatimja ka qenë mjaft e sëmurë dhe na ndodhte shpesh të shkonim bashkë të pinim kafenë në mëngjes, tek Turizmi i Bajram Currit. E kam pasur mësuese dhe shoqe shumë të mirë. Tani që flas me ju, kam nostalgji.

Në ato vite keni hasur në pengesa nga mentaliteti i atyre viteve?

Në ato vite, sigurisht, ka qenë e vështirë; mentaliteti nuk të lejonte që një femër të merrej me jetën artistike. Pengesë ishte si familja ashtu edhe shoqëria. Ne ishim shtatë motra me pesë vëllezër të cilët ishin tepër protektivë ndaj nesh. Sigurisht, kjo ndryshoi më pas edhe për faktin se, në atë kohë, një talent gjente përkrahje. Arti kishte rëndësi, sepse ai shtynte dhe ngrohte masat, ndaj në momentin që u pikas talenti im, pati presion pozitiv nga institucionet mbi familjen që të më lejonte të këndoja. Sot, ata janë shumë krenarë me atë që kam arritur!

 

Ju kujtohet kënga juaj e parë?

Po. E kujtoj me shumë dashuri! Deri në një farë kohe, interpretova këngë të njohura për publikun, por kompozimi i parë, enkas për mua, ishte “Çohu, moj çikë e del ke ara”, këngë e cila më solli në Tiranë, pranë një publiku të mrekullueshëm, të cilin nuk e harroj as sot, sepse u ngritën të gjithë në këmbë! Pas atij koncerti ku kënga ime pati jehonë, unë afrova publikun tim, që më mbështet edhe sot.

Në kujtesën tonë, keni mbetur në këngë të filmuara gjithmonë në panoramën e bukur të bjeshkëve. Si i kujtoni ato vite?

Po, shumë e vërtetë. Gjithmonë këmbëngulja që videot, - se në ato vite ishin si videoklipet e para, - të filmuara nga Televizioni Shqiptar, të zhvilloheshin në trevat e bukura të bjeshkëve, në qytetin tim të dashur, Tropojë, mes fushave me lule e buzë ujërave të ftohta.

Unë jam vajzë bjeshkësh, ndaj ato “kartolina” muzikore, janë kujtim i jashtëzakonshëm për mua dhe kolegët e mi. Në atë kohë, një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk ishin ngjitur në malësitë tona të mrekullueshme. Përmes këngëve të mia, kanë mësuar edhe ata, të duan malet tona dhe besën e malësisë.

Gjatë karrierës tuaj përpara viteve ’90, përveç aktivitetit me Ansamblin “Dardania”, cilat ishin aktivitetet e tjera artistike ku angazhoheshit?

Aktivitetet artistike ishin të shumta, jeta jonë ishte e mbushur me të tilla, të muzikës popullore dhe të lehtë. Më kujtohet kur më kërkonte Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të isha soliste me ta, në koncerte. Edhe në ato vite, ishim shpesh në turne edhe jashtë vendit, deri në vendet skandinave kemi shkuar. Rëndësi të madhe kishte edhe organizimi i Festivalit të Gjirokastrës, ku isha krenare të përfaqësoja, shpesh, dhe me sukses trevat nga vija. Ishte gjithmonë kënaqësi e rrallë kur, pas përfundimit të Festivalit të Gjirokastrës, isha ndër artistët e përzgjedhur për natën e madhe të këngës popullore, që zhvillohej në Tiranë, përballë personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar.

Kam kënduar vërtetë përpara njerëzve më të rëndësishme të shtetit në vite. Në kohën e diktaturës nuk kam pasur para, por privilegje kam pasur mjaft. Kam kënduar para Enver Hoxhës, Ramiz Alisë etj. Në vitet e demokracisë, Doktor Berisha më ka ftuar në dasmën e vajzës së vet, Argitës. Doktor Berishën mund ta quaj një mik dhe për familjen e tij, kam një respekt të jashtëzakonshëm! Por unë jam artiste, këndoj live e do të këndoja kudo ku mund të më ftojnë.

Ju jeni çikë tropoje, bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijëve që, sot, janë dy të rinj. Mes shumë turneve dhe aktiviteteve, si ia dolët?

Ah! Është fat të kesh bashkëshortin që kam unë. Ia kam dalë vetëm me mbështetjen e tij dhe për një artiste, është fat i madh. Do të kishte qenë e pamundur, vërtetë, të përballoja familjen dhe karrierën bashkë. Është e padiskutueshme që, edhe sot, bashkëshorti im është gjithmonë me mua, bashkë, në çdo turne ku shkojmë, në mbarë botën. Por edhe në ato vite, më ndihmonte shumë, shpesh rrinte ai me fëmijët e vegjël kur isha në turne. Do t’i jem gjithmonë mirënjohëse! Kam qenë dhe vazhdoj të jem e hapur në vizionin tim për jetën, por mendjen e kam pasur gjithnjë te familja ime. Kam pasur zërin dhe prirjen për muzikën, por për mua parësore ka qenë dhe është familja. Falë zotit e falë tim shoqi, i kam realizuar të tria, - karrierën për të cilën burri im është frymëzues, martesën e suksesshme dhe fëmijët e mbarë!

Nuk ke hequr dorë, kurrë, prej kostumit popullor. Pse?

Veshjen popullore, kostumin e bukur të viseve të mia, ma pëlqejnë gjithandej, ma preferojnë, madje, dhe ma kërkojnë. Veçanërisht në Amerikë, të gjithë më shtrojnë kërkesën për kostumin popullor. Tani vlerësohet dhe në Shqipëri. Më vjen mirë që është rikthyer dëshira për të respektuar bukurinë e kostumit popullor shqiptar.

Gjatë gjithë karrierës, nuk keni hequr dorë nga muzika popullore taban. Një zgjedhje?

Unë këndoj në gjithë botën. Nuk kam shumë kohë që u ktheva nga një turne në Australi. Gjithashtu këndoj edhe nëpër dasma shqiptare, veçanërisht në verë. Dasma është skena më e bukur shqiptare, vendi më i bukur ku ruhen traditat e një vendi. Por nuk kam hequr, kurrë, dorë nga muzika e pastër popullore.

Ju tregoj një detaj interesant. Një zotëri nga Gjakova, më kontakton për dasmën e djalit të tij të vetëm. Më thotë: “Zonjë, mua nuk më pëlqen muzika. Nuk e dëgjoj aspak, madje as në makinë. Por kam një djalë të vetëm, e dua t’i bëj dasmë të madhe. E kështu mendova, cila është ajo këngëtare që unë ia dëgjoj një këngë nga fillimi deri në fund? Këtu te ne, në Gjakovë, ka këngëtarë dasmash plot. Por mendja më shkoi vetëm tek ti. Të vetmen këngë që dëgjoj deri në fund, janë këngët e tua se janë shqiptare të pastra.”

Pra, mua më gëzon fakti se po shtohen njerëzit që po rizgjedhin këngën e pastër popullore, të cilës i qëndroj besnike.

Kaq gjatë në skenë. Keni një sekret?

Këmbëngulja ime e madhe dhe natyra. Zëri që më ka dhënë Zoti. Kam po atë zë që kam pasur prej moshës 15-vjeçare. Jam e lumtur, sepse vazhdoj të kem aktivitet mjaft intensiv. Duhet ta them që, kalendari im i aktiviteteve, mbyllet që një vit përpara. Jam në koncerte në botë, kudo, e më vjen mirë që edhe të rinjtë i njohin këngët e mia. Por unë mbetem një familjare, amvisë, një nënë. Pavarësisht skenës dhe famës, sekreti është të jesh e palodhur, por dhe me këmbë në tokë. Të jesh e thjeshtë.

Këndoni këngë jugu?

Po, këndoj. Këndoj edhe pogonishten kur ma kërkojnë në aktivitete të ndryshme. Por nuk dal shpesh nga vetja, kënga e malësisë, ajo epike, patriotike, lirike, janë dashuria ime.

Cili është mendimi juaj për muzikën popullore sot?

Si mund të ndihet një amerikan kur, në Amerikë, shkon të konkurrosh me këngë shqiptare? Keq, mendoj. Në Shqipëri edhe në konkurse talentesh, konkurrojnë vetëm me këngë të huaja, kur ne kemi perla si në muzikën popullore dhe në atë të lehtë. Duhet ta duam muzikën tonë të tabanit, sepse është identiteti i kombit, arti që na ka dalluar në botë, në çdo sistem, është vlerë. Këtë ia këshilloj edhe brezit të ri. Ta duan këngën popullore e të këndojnë vetëm nëse kanë talent e jo thjesht për të dalë në skenë. Ky është edhe misioni i artistëve të brezit tim, - të mbajmë në këmbë muzikën tonë të bukur popullore nga të gjitha trevat e të bëjmë të përkrahet sa më shumë!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: